Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk po bën asgjë jolegjitime që të flitet për dhunë apo tensione në vend, por po zbaton kushtetushmërinë.
I pyetur rreth deklaratave që vijnë nga zyrtarët e Serbisë se Kosova po përgatit destabilitet në veri të vendit për shkak të reciprocitetit me Serbinë lidhur me dokumentet, Kurti ka thënë se nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim.
“Në fqinjin tonë verior në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj se paqja, demokracia, sundimi i ligjit, kushtetushmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë, por do t’ua shtojmë një fletëdeklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njëjësoj me çdo qytetar të Kosovës kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë jo më pak dhe ajo do të jetë një fletëdeklarim që lëshohet në kufi, në të gjitha vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës. Nuk ka kurrfarë vendi për tension, s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, ata që flasin për barrikada për bllokime, ata që flasin për destabilizim e për tensione flasin për vete jo për neve. Ne jemi republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë më së mirië”, ka thënë Kurti. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që kanë targa të periudhës së Millosheviqit që t’i konvertojnë ato në targa legjitime në akronimin e shteti të përbashkët “RKS”.
Kurti: Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është zotuar t’i ndajë 34.7 milionë euro në formë të bashkëfinancimit të marrëveshjes së MCC-së të nënshkruar në SHBA këtë javë. I pari i ekzekutivit në konferencën e përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se vlera totale e programit shkon në 236.7 milionë dollarë.
“Me marrëveshjen përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit janë pajtuar që t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarë. Ky është granti më i madh i njëhershëm në histori të Kosovës së çliruar. Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta mbështesë programit 34.7 milionë dollarë në bashkëfinancim duke e quar kësisoj vlerën totale në 236.7 milionë dollarë”, ka thënë Kurti.
Tutje ai ka thënë se investimet që do të bëhen përmes këtij programi do të jenë pronë e Kosovës.
“Investimet e programit kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijë tri projekte: e para është rezerva apo bateritë me kapacitet 340 megavat, e dyta është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë dhe e treta është projekti i institucionit amerikan të katalizatorit në zhvillim. Paralelisht zhvillohen kuadro në fushën e energjisë si dhe nxiten investime”, ka thënë Kurti.