4.8 C
Prizren
E diel, 17 Nëntor, 2024

Kushnini i Hasit, fshati i bukëpjekësve dhe traditës së lashtë

Fshati i parafundit në jugperëndim të Prizrenit është fshati Kushnin i Hasit, që ende ruan traditën. Veprimtari i hershëm të këtij fshati dhe njëherësh veteran i luftës së UÇK-së, Brahim Morina, është shprehur për “Kosova Sot” se në këtë fshat jetojnë 400 familje me mbi 3000 banorë.

“Është fshat kodrinor-malor, por me fusha të gjëra dhe pjellore, ka burimin e ujit të pijes, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia më të mirin në rajon. Banorët jetojnë me tradita siç janë në gjithë rajonin e Hasit, por kohët e fundit vërehet një devijim nga traditat e vjetra”. Ka shtuar se megjithatë shumë nga ato thelbësoret ruhen me xhelozi.

Bujari e jashtëzakonshme ndërmjet banorëve

Ende në këtë fshat frymojnë dasmat e traditës dhe kanagjeqet, kurse rendi familjar respektohet.

“Fejesat dhe martesat e të rinjve me përqindje shumë të madhe bëhen përmes parapëlqimeve familjare që pasqyrojnë traditën e lashtë shqiptare, moshat gjithë ashtu respektohen në skajshmëri”, tregon plaku Asllan Morina.

Morina thekson se raportet ndërfqinjësore janë skajshmërisht të mira dhe ekziston bujari e jashtëzakonshme në mes të banorëve.

“Të ardhurat për familje bëhen kryesisht nga zanati i bukëpjekësit – zanat të cilin meshkujt nga mosha 18 e deri 60 vjeç e kryejnë me krenari, duke punuar nëpër të gjitha vendet e botës kryesisht në ato evropiane. Një fat i mirë vërehet vitet e fundit që rinia kanë filluar të arsimohet, duke mos pasur dallim gjinish, por që zanati i bukëpjekësit vërehet si pengesë për arsimimin e gjinisë mashkullore”, është shprehur ai. Shton se bujqësia është e zhvilluar në nivelin familjar, njëherësh mbi 90 për qind e familjeve kanë edhe bagëti të ndryshme për nevoja familjare.

Banorët i takojnë 100 për qind besimit fetar mysliman të rrugës së tarikatit besik Kaderi. Në fshat ekziston shkolla fillore 9- vjeçare, ndërsa ajo e mesme ndodhet 7 km larg, në fshatin Romajë, njëherësh ashtu është edhe ambulanca më e afërt e fshatit.

Fshati dha pesë dëshmorë

Brahim Morina pohon se shkolla posedon një infrastrukturë moderne dhe vlen të theksohet se, falë bashkëpunimit me DKA-në, e sidomos falë Drejtorisë së Arsimit dhe Komunës së Prizrenit, kanë arritur të investojnë afro 15,0000 euro.

“Jemi munduar që kjo shkollë pasi mban edhe emrin e dëshmorëve të jetë një institucion që krijon vlera arsimore për gjeneratat e ardhshme”, tregon për “Kosova Sot” Brahimi.

Ai shton se Kushnini i ka dhënë 5 dëshmorë atdheut dhe ishte korridori më i sigurt i luftës. Ai edhe vetë është veteran i luftës.

Fshati Kushnin i Hasit është një fshat me tradita të lashta të këtij rajoni. Atje është ruajtur si traditë e tërë ajo që dikur ishte përcjellë nga brezat e ndryshëm.

Ndërkaq, kuvendari nga Hasi, Gëzim Duraj, shpjegon se tani e shtatë vite vazhdimisht ka ngritur zërin që Hasit duhet t’i kthehet dinjiteti. Ai për “Kosova Sot” thekson se deri më tani hasjanët kanë dhënë kontribut me zejen e bukëpjekësit anekënd botës.

“Tash do të kthemi këtu të punojmë e përsëri të ndihmojmë me prodhimet tona”. Ai mendon se po vjen koha kur Hasi do të bëhet një pjesë e bukur e atdheut dhe rikthimi i banorëve rrit shpresat për gjallërim. (Kosova Sot)

Më Shumë

Kosova U19 triumfon ndaj Spanjës

Fantastik ishin djemtë tanë në ndeshjen e sotme kundër Spanjës. Ndeshje plot emocion në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe rezultat dramatik 4:3. Kjo fitore mbresëlënëse vjen në...

Kosova nuk pranon të dalë në fushë, gjyqtari e mbyll ndeshjen

Kombëtarja e Kosovës nuk ka pranuar të dalë në fushë, teksa gjyqtari doli dhe e mbylli ndeshjen. Gjyqtari kryesor i ndeshjes Rumani-Kosovë ka kërkuar që...

Buzë honit

Lajmet e Fundit