10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Kuteli, ylli që shndriti letrat shqipe

Mjeshtri i realizimit magjik, rrëfimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare.

Mitrush Kuteli lindi me 13 shtator 1907 në Pogradec, ku mori dhe mësimet e para.

Më 1919, në kalendarin «Pogradeci», botoi vjershat e tij të para: «Mëmës Shqipëri» dhe «Skënderbeu». Në vitin 1921, filloi Shkollën Tregtare Rumune në Selanik. Nga viti 1924 kish filluar të botonte te «Shqipëria e Re» dhe «Kosova» që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Më 1928, filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike në Bukuresht (1928). Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën «Shqipëria e Re» në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën «Shënime Letrare».

Të falem ty, o gjuhë – shkëmb
me rrënjët thellë në shkëmbënj
që çave qiellin kur t’u vrënj
dhe shëmbe bisha e shtërpënj
pa mbete prapë
…..shkrep e shtëng;

të falem, gjuhë – shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrundullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe,
…..vetëtim;

të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltërsi,
ty, afshi i zemrës – dashuri –
gjithmon e ëmbël –
…..mjaltë zgjoi.

Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi:
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim.

Të falem ty, o fis i vendit tim:
Ilir i lashtë, arbër i ri –
dhe sot shqiptar në shumë Shqipëri…
ty, i paepur popull luftëtar,
qendresë e fortë në luftë e zjarr;

ty, o gjahtar i moçëm me hobe,
dhe ty, bari, me hark e me kope
ty, bujk, me shpatë e me qe
ty, nënë e dhembshur e grua – gur,
ju, që më shtatet ngritët mur:
ju rroni dhe rilindni përsëri,
siç lind nga trungu bisku i ri,
kur mplaken edhe vdesin perëndi…
ju mbrujtët e mbrojtët gjer në varr:
gjuhën e shqipes sime
…..thesar

Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës, të Vermoshit dhe mbi manastirin e Shën Naumit. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë «Diplomam Magnam cum Laudæ».

Punoi si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore «Naim Frashëri». Vdiq në Tiranë, më 4 maj të vitit 1967.

Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Mbrojti të drejtat e Rumanisë në kundërshtim me interesat e “aleatit gjerman dhe për pasojë e mobilizuan në ushtri dhe e dërguan ne frontin e Lindjes. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij.

Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largua nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.

Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.

Në maj 1947 Kuteli arrestohet; dënohet si “Armik i Popullit” me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. Lirohet “me falje” në prill 1949. Dosja e akuzës kundër tij është zhdukur. Pas këtij viti, Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri” dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit.

Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.

Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna me normë në përkthim. U nda nga jeta nga një infarkt, më 4 maj 1967.

Vepra:

“Rrjedhin lumenjtë”

“Vjeshta e Xheladin Beut”

“Lasgush Poradeci” (1937)

“Net shqiptare” (1938)

“Pylli i gështenjave” (1958)

“Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)

“Sulm e lotë” (1943)

“Shënime letrare” (1944)

“Havadan më havadan” (1944)

“Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)

“Dashuria e berberit Artan” (1946)

“Xinxifilua” (1962)

“Tregime të moçme shqiptare” (1965)

“Tregime të zgjedhura” (1972)

“Baltë nga kjo tokë” (1973)

“Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983)

“Këngë e britma nga qyteti i djegur”

“E madhe është gjëma e mëkatit”

Më Shumë

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Lajmet e Fundit