7.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Kuvendi i Prizrenit kërkon nga ekzekutivi përgatitjen e materialit për përkrahjen e të prekurve me COVID-19

Kërkesa e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, e shprehur në disa seanca, për t’i përkrahur financiarisht qytetarët që janë përballur me sëmundjen COVID-19 ende nuk ka marrë një epilog.

Megjithëkëtë, kuvendarët e Prizrenit janë pajtuar që përmes një rekomandimi të kërkojnë nga ekzekutivi komunal përgatitjen e propozim-vendimit në lidhje me këtë çështje, në mënyrë që pastaj të thirret një seancë e jashtëzakonshme e KK-së për shqyrtimin dhe miratimin e tij.

Kuvendari i AAK-së, Alush Shala në seancën e fundit të KK-së së Prizrenit gjatë diskutimit për rendin e ditës ka theksuar se ka pritur që në agjendën e kësaj mbledhjeje të jetë edhe çështja e ndihmës financiare për qytetarët që janë përballur me COVID-19, pasi që një gjë e tillë është diskutuar edhe në seancat e shkuara.

“Për këtë çështje kërkoj mbështetjen e të gjitha partive politike”, ka thënë Shala.

Përkrahje për këtë propozim ka ofruar edhe Petrit Hoxhaj i LDK-së, duke përkujtuar se nga shtatori i vitit të kaluar ka kërkuar subvencionimin e qytetarëve të prekur me COVID-19. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Getoar Besimi i PDK-së.

“Si ide është shprehur në vitin 2020, por shkaku i mundësive buxhetore Ekzekutivi pat kërkuar shtyrjen për vitin 2021. Tash nëse janë pjekur kushtet, edhe janë mundësitë, edhe ne e përkrahim, sepse është e domosdoshme”, ka deklaruar Besimi, shkruan KOHA.

Adem Shabanaj i VV-së ka thënë se edhe ky subjekt mbështet përkrahjen financiare, në mënyrë që me një pagesë simbolike t’ju lehtësohet barra qytetarëve që janë përballur me këtë sëmundje.

“Vetëm se duhet të kemi parasysh formën se si duhet të shkoj, a e kemi të qartë këtë gjë”, ka thënë ai.

Edhe kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj ka pohuar se “duhet gjetur formën si t’i qasen kësaj pike”.

Ndërsa drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti ka kërkuar që kjo çështje të shtyhet për seancën e radhës, kur pritet shqyrtimi edhe i pikës për bartjen e mjeteve.

“Duhet ta kemi një analizë të saktë financiare, sa mund të kushtojë mbulimi i të gjithë të infektuarve për shkak se supozoj se vlera do të jetë e vogël. E kishim lënë për seancën e radhës, që ta shohim sa është numri i saktë i të infektuarve dhe deri në çfarë vlere mund të bëjmë bartje ose rritje të subvencioneve në koordinim me Ministrinë e Financave”, është shprehur ajo.

Alush Shala i AAK-së ka pohuar se e kupton brengën e drejtoreshës së Financave, por ka insistuar që kjo pikë mos të shtyhet, marrë parasysh se kërkesa është shprehur vazhdimisht në mbledhjet e KK-së.

Por Shabanaj i VV-së ka theksuar se pajtohet me drejtoreshën, meqë duhet shikuar linjat buxhetore dhe mundësinë se si mund të subvencionohen të prekurit me COVID-19.

Kryesuesi Badallaj ka shprehur bindjen se para kuvendarëve duhet të jetë një propozim-vendim i qartë për këtë çështje.

Simir Krasniqi i PDK-së ka thënë se kuvendarët duhet të kenë informata për numrin e saktë të infektuarve me koronavirus, sikurse edhe vlerën e mbështetjes, duke marrë parasysh mundësitë buxhetore të Komunës.

“Në seancën tjetër ndoshta mund të jemi më preciz”, ka shtuar ai.

Haziz Hodaj i LDK-së ka pohuar se propozimi për me i dalë në ndihmë qytetarëve është me vend, por se kuvendarët para vetes duhet ta kenë një propozim-vendim konkret.

Fatmir Kastrati i AAK-së ka theksuar se Kosova ka një vit që po përballet me këtë sëmundje dhe se vendimi duhet të miratohet në këtë seancë. Edhe Shukri Quni i Nismës është pajtuar që mos të ketë vonesa në këtë drejtim.

Sencar Karamuço i KDTP-së ka kërkuar që KK-ja ta autorizojë DSh-në e DF-në që ta hartojnë një propozim-vendim, e pastaj i njëjti të shqyrtohet dhe të votohet në seancën e ardhshme të KK-së.

Ndërsa Simir Krasniqi i PDK-së ka theksuar se pas dakordimit për propozim-vendim në mes të shefave të grupeve të këshilltarëve dhe DSh-së e DF-së, mund të mbahet një seancë e jashtëzakonshme vetëm për këtë çështje.

Pas diskutimeve edhe të disa kuvendarëve, është arritur pajtimi që kjo çështje të futet në rend, me votim unanim. Ndërkaq gjatë shqyrtimit të mëtutjeshëm, Alush Shala i AAK-së ka theksuar se të gjithë janë dakord për gjetjen e një modeli për me i dalë në ndihmë të prekurve me COVID-19.

E, kryesuesi Badallaj ka theksuar se kjo çështje do të shkojë si rekomandim te Ekzekutivi për përgatitjen e një materiali më të hollësishëm lidhur me ndarjen e mjeteve financiare për qytetarët e Komunës së Prizrenit, të prekur me Covid-19, që do të shqyrtohet në seancë të jashtëzakonshme.

https://www.koha.net/kosove/260949/kuvendi-i-prizrenit-kerkon-nga-ekzekutivi-pergatitjen-e-materialit-per-perkrahjen-e-te-prekurve-me-covid-19/

Më Shumë

Moti sot me diell dhe shumë i ngrohtë

Të dielën, më 14 prill parashikohet të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë. Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 6-25...

Policia shqipton mbi një mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1351 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit