15 C
Prizren
E diel, 4 Maj, 2025

Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.

Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.

Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, pas dështimit të dhjetë për konstituimin e Kuvendit, akuzoi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, për bllokim të procesit.

Sipas Gërvallës, partia fituese, së bashku me partnerët e saj – ku bën pjesë edhe partia e saj, Guxo – ka ofruar alternativa për zhbllokimin e procesit, por nuk është e gatshme që të bëjë pazare.

“Kemi ofruar alternativa në vazhdimësi, ajo çfarë nuk kemi ofruar kanë qenë pazaret. Nëse përvoja e së kaluarës është që pazaret çojnë në zhbllokim, atëherë duhet të llogarisim që nuk jemi zhbllokim sepse ky koalicion nuk është i gatshëm të bëjë pazare në kurriz të funksionimit të institucioneve”, tha ajo.

Gërvalla tha se votimi i fshehtë është mënyrë e mirë për tejkalimin e procesit, por argumentoi se me mosvotimin e komisionit për këtë mënyrë votimi, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po blejnë kohë për një koalicion të mundshëm.

“A është diçka kjo për të krijuar një qeveri mes partive opozitare me Listën Serbe, apo që pazaret ende nuk kanë sjell rezultat, apo që duan ta çojnë vendin në zgjedhje të reja”, tha ajo, duke shtuar se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, por nuk i synojnë, tha Gërvalla.

Sipas Gërvallës, beteja politike është formimin e Qeverisë së re, e jo në konsitutimin e Kosovës, duke theksuar se “ose pushteti e bën Qeverinë, ose opozita me Listën Serbe2.

Ndërkaq, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë. Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”, duke e akuzuar sërish se ka një mentalitet “të diktatit”.

“[Kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng shtetin, po e mban peng Kuvendin”, tha ai, duke përsëritur thirrjen që LVV-ja të ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare pasi tha se Albulena Haxhiu as në herën “e 100-të nuk do të kalojë”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancën paraprake se ndryshimi i mënyrës së votimit, kur veçse Kuvendi ka qenë në proces të votimit për kryeparlamentarin është jokushtetuese.

“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. Kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata nuk reflektojnë”, tha ai.

Edhe Time Kadrijaj tha se ndryshimi i mënyrës së votimit është joligjor, teksa tha se kjo është një taktikë e LVV-së “që Haxhiu të mos dështojë sërish që të zgjidhet kryeparlamentare”.

Ajo sërish kërkoi që partia fituese e zgjedhjeve të ndryshojë propozimin për kryeparlamentar.

Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.

Po atë ditë, deputetët u mblodhën, por kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja kërkoi që të krijohet një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Por, PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin ndonjë deputet për këtë komision dhe seanca u ndërpre./evropaelire.org

Më Shumë

Beteja e katërt

Gjysmëfinalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me super ndeshje këtë mesjavë. Garat shtesë kanë dhuruar emocione dhe adrenalinë, që po vazhdon të rritet, raporton...

Shënohet 27 Prilli, Dita e të Pagjeturve

Sot shënohet 27 Prilli - Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. Kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende...

Lajmet e Fundit