18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kuvendi ta shkarkojë Thaçin

Analistët politikë konsiderojnë se tani, duke pasur parasysh shumë nga veprimet e njëanshme të presidentit të vendit, që shkojnë përtej autorizimeve dhe obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, është koha më e duhur dhe më e përshtatshme që Kuvendi i Kosovës, deputetët, në mënyrë të organizuar ta iniciojnë me vetiniciativë shkarkimin e detyrueshëm të Hashim Thaçit nga pozita e presidentit, i cili po tejkalon hapur mandatin e tij kushtetues e ligjor, por që këtë po e bën fshehurazi e në prapaskenë, duke gjuajtur gurin e fshehur dorën, që paraqet shkelje të pashembullt ligjore e kushtetuese.

Analistët konsiderojnë se nuk duhet lejuar tutje presidentit aktual të Kosovës që të dëmtojë edhe më shumë shtetin, ngase atij deri më tash i ka pëlqyer gjithnjë të jetë i gjithëpushtetshëm dhe sundimtar. Analistët theksojnë se nuk duhet lejuar që Hashim Thaçi të vazhdoj të ushtroj detyrën e presidentit, duke rrezikuar shtetin e Kosovës, duke filluar nga lidhjet e tij kriminale me klanin ‘Pronto’ dhe mafio-oligarkët ‘Devolli’ dhe jo vetëm, duke vazhduar me shkelje dhe inkriminim të thellë me nëntokën e gjerë kriminale, për të gatuar bashkë me agjentët e UDB-së, miq të tij të ngushtë, drejtor dhe agjentë të mafio-oligarkëve të inkriminuar, që organizoi natën rrëzimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare ,duke vazhduar që pa kurrfarë mandati, pa kurrfarë autorizimi, të ketë takime sekrete me homologun dhe mikun e tij serb Vuçiq, rezultati i të cilave takime mund të jetë i leverdishëm vetëm për Thaçin si individ, por jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën si shtet demokratik e ligjor, pra duke negociuar për ndarjen e tkurrjen dhe shitjen e tokës së Kosovës, duke inskenuar me prapaskena arrestimin e Gjuriqit, e gjithë kjo në marrëveshje me Aleksandër Vuçiqin, si dhe duke shkelur rëndë kushtetutën e vendit duke autorizuar deportimin e shtetasve të huaj me dokumente legale qëndrimi, për fatin e të cilëve tashme nuk dihet asgjë.

Skenarët e rrezikshëm

Analisti Ragip Guraziu kërkon që deputetët e Kuvendit të këndellen dhe të veprojnë në interes të shtetit, e të mos flasin kot, ngase ata shpesh e kanë gojën plot akuza kundër presidentit për shkelje ligjore e kushtetuese, por akoma nuk po marrin kurajë për inicimin e shkarkimit të tij.”Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të iniciojnë sa më parë shkarkimin e detyrueshëm të Hashim Thaçit nga pozita e presidentit, i cili po tejkalon hapur mandatin e tij kushtetues e ligjor, por që këtë po e bën fshehurazi e në prapaskenë, duke gjuajtur gurin e fshehur dorën, që paraqet shkelje të pashembullt ligjore e kushtetuese.

Ndryshe, presidentit aktual të Kosovës nuk duhet lejuar që edhe më tutje të dëmtojë edhe më shumë shtetin, imazhin dhe shtetësinë e tij”, u shpreh ai.”Hashim Thaçit i ka pëlqyer gjithnjë të jetë i gjithë- pushtetshëm dhe sundimtar dhe kurrë nuk është mjaftuar asnjëherë vetëm me kompetencat që ia jep pozita e caktuar sipas ligjit, andaj ai gjithnjë ka funksionuar përtej ligjit e kushtetutës, që i bie mbi ligjin. Këtyre viteve, ai ka qenë kryetar partie, kryeministër, krye diplomat, por njëkohshëm me këto pozita, edhe krye rektor i UP-ve, kryeredaktor i shumë medieve mercenare, krye-biznesmen i bizneseve mafio-oligarkike e kriminale, kryeprokuror e shef i KPK-së dhe kryegjyqtar e shef i KGJK-së, kryeakademik i Akademisë Kosovare të Shkencave dhe së fundmi edhe kryetar shteti e me gjasë edhe kryebanditi i politikës kosovare. Tani nuk duhet lejuar që Hashim Thaçi të vazhdojë të ushtrojë detyrën e presidentit, duke rrezikuar shtetin e Kosovës, duke filluar nga lidhjet e tij kriminale me klanin ‘Pronto’ dhe mafio-oligarkët ‘Devolli’ dhe jo vetëm, duke vazhduar me shkelje dhe inkriminim të thellë me nëntokën e gjerë kriminale”, tha Guraziu për ‘Kosova Sot’. Për më tepër ai ia ngarkon presidentit si kundër-kushtetuese edhe disa veprimet e fundit që ndodhën në Kosovë e rreth saj, e të cilat sipas tij janë të parapërgatitura nga presidenti dhe ortakët e tij.”Organizoi natën rrëzimin e Gjykatës Speciale ndërkombëtare, duke vazhduar që pa kurrfarë mandati, pa kurrfarë autorizimi, të ketë takime sekrete me homologun dhe mikun e tij serb, Vuçiq, rezultati i të cilave takime mund të jetë i leverdishëm vetëm për Thaçin si individ, por jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe i dëmshëm për Kosovën si shtet demokratik e ligjor, pra duke negociuar për ndarjen e tkurrjen dhe shitjen e tokës së Kosovës, duke inskenuar me prapaskena arrestimin e Gjuriqit, e gjithë kjo në marrëveshje me Aleksandër Vuçiqin, si dhe duke shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke autorizuar kidnapimin dhe deportimin e shtetasve të huaj me dokumente legale qëndrimi, për fatin e të cilëve tashme nuk dihet asgjë”, potencoi Guraziu.

Puç shtetëror

Opinion të ngjashëm ndan edhe analisti Ali Hertica.”Në këtë mjegull, presidenti i shtetit po e shfrytëzon momentin dhe i ka okupuar të gjitha pozitat qeverisëse të vendit dhe e po luan lojën fshehtas, duke gjuajtur gurin dhe fshehur dorën me dinakërinë tipike të një tinëzari e jo më sjelle transparente të një lideri kredibil. E para, duhet nisur procedurën e shkarkimit të presidentit në momentin e konfirmimit të përfshirjes së tij në rastin e djeshëm”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Analisti Florim Zeqa vlerëson se mbase do të ishte krejtësisht e logjikshme iniciativa e deputetëve në Kuvendin e Kosovës që të iniciojnë shkarkimin e menjëhershëm të presidentit edhe ashtu të kontrabanduar, Hashim Thaçi. Mirëpo, ai thotë se janë deputetët e LDK-së që mbetën peng të votës së tyre dhe nuk shpreson të dalin tani mbi atë votë, ndonëse do të duhej ta bënin këtë veprim për shtetin.”E quajta të tillë, sepse është produkt i kontrabandimit të marrëveshjes së fshehtë dhe krejtë- sisht private mes Isa Mustafës e Hashim Thaçit në mbrëmjen e 19 nëntorit 2014, me ç’rast dy kokat e sipërpërmendura u akorduan kësisoj: “Unë kryeministër, ti nesër president”! Për fatin e keq të Kosovës, kjo marrëveshje fillimisht u mbështet nga KP i LDK-së, e cila më pas u bë realitet me votën e deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës,…deputetët e së cilës parti janë edhe sot shndërruar në pengje të asaj marrëveshje fatkeqe për vendin”, u shpreh ai. Sipas tij, për aq kohë sa t’i lejohet Thaçit të jetë president, ai do të bëjë aventura të rrezikshme për vendin, skandale e spektakle të dëmshme përtej ligjit dhe Kushtetutës. “Aksioni i koordinuar spektakolar (me Vuçiqin) në veri të vendit, epilogun e të cilit e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës (përshpejtimi i themelimit të “Zajednicës”), vendimi për deportimin e shtetasve turq, përveçse i kundërligjshëm, paraqet trajtën e puçit politik mbi institucionet e pavarura të shtetit. Vetëm dy veprimet e sipërpermendura e vërtetojnë mjaftueshëm kapjen e shtetit, shkeljen, nënshtrimin dhe poshtërimin e të gjitha institucioneve të shtetit, filluar nga qeveria, policia AKI-ja e kështu me radhë deri në hallkën e fundit të sistemit të drejtësisë”, theksoi ai.

ZEKA: PO TË KISHTE PASUR PROKUROR TË SHTETIT DO TË DUHEJ INICIUAR HETIME EDHE NDAJ PRESIDENTIT, MINISTRIT TË DREJTËSISË, MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, SHEFIT TË AKI-SË, BEHGJET PACOLLIT…

Deputeti MIlaim Zeka, nga Nisma për Kosovën thotë se po të kishte prokurorë të pavarur të shtetit, do të duhej iniciuar me urgjencë procedurën hetimore për të gjitha zhvillimet e fundit. “Absolut po të kishte pasur prokuror të shtetit do të duhej iniciuar hetime edhe ndaj të gjithë njerëzve që janë të involvuar prej presidentit, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Punëve të Brendshme, shefit të AKI-së, Behgjet Pacollit, ku të gjithë do të duhet të merreshin nën hetim dhe do të duhej ngritur padi për vepër penale ndaj tyre”, tha deputeti Zafir Berisha

BADALLAJ: KOSOVA KA KUVEND KUKULL ME PLOT BANDITË DHE MATRAPAZË, QË JANË NË THUNDRËN E BISHTDREDHURIT, TIRANIT DHE SULLTANIT, HASHIMIT TË BROJËS

Pro inicimit urgjent të shkarkimit të presidentit Thaçi është edhe analisti Reshat Badallaj. “Kosova ka kuvend kukull dhe se është i mbushur me plot bandit dhe matrapaz që janë në thundrën e bishtdredhurit, tiranit dhe sulltanit, Hashimit të Brojës. Në të kundërtën ky Kuvend kukull dhe matrapazësh do i ndalte hovin që e bën në dëm të Kosovës e për interesa të veta personale”, u shpreh ai. “Më besoni se ky njeri është i shitur dhe bile e ka edhe shpirtin e shitur te qarqet e huaja në dëm të vendit”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

KELMENDI: HASHIM THAÇI, BASHKË ME KLANIN E TIJ “PRONTO”, ARRITËN TA KAPIN DHE TA KONTROLLOJNË NË TËRËSI SHTETIN

Edhe analisti politik Naim Kelmendi thotë se Hashim Thaçi kaherë e ka mbushur kupën me shkelje ligjore e kushtetuese, prandaj është koha për adresimin e përgjegjësisë së tij, që duhet të shkojë deri në mocionin për shkarkim.”Ky njeri, pra Hashim Thaçi, bashkë me klanin e tij “Pronto”, që nga paslufta, me çlirimin e Kosovës e deri më sot krijuan strukturën jo vetëm të pushtetshme, duke qenë gjithnjë në pushtet tash e 18 vjet rresht, por arritën ta kapin dhe ta kontrollojnë në tërësi shtetin në gjithë segmentet e tij, duke bërë kështu të gjithë pushtetshmit në këtë vend dhe njëherësh duke i bërë shërbimin më të keq vendit dhe shtetit të ri të Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik, të rendit dhe ligjit e të krimit të organizuar e korrupsionit, prandaj kjo strukturë e klanit “Pronto” në krye me Hashim Thaçin duhet të ndalet medoemos në iniciativat e tyre antishtetërore e në dëm të perspektivës së shtetit dhe ligjit e rendit në Kosovë”, u shpreh ai. “Edhe rasti më i ri, pas atij të Marko Gjuriqit, me deportimin e 6 shtetasve turq, që po kërkonte regjimi i Rexhep Taip Erdoganit, në prapavijë u iniciua nga Hashim Thaçi, duke urdhëruar policinë dhe AKI-në dhe njëkohësisht duke i shkelur dhe nënshtruar kështu të gjitha institucionet legale të shtetit”, theksoi Naim Kelmendi për Kosova Sot. Sipas tij, shkeljet kushtetuese të Thaçit kanë arrit kulmin, prandaj dhe mundësia e shkarkimit të tij nga pozita është më e lehtë se kurrë.

Deputetët kërkojnë adresimin e përgjegjësisë

Gazeta ka kontaktuar edhe me disa deputetë të partive politike, në mënyrë individuale, për të marrë mendimin e tyre rreth mundësisë së inicimit të nismës për shkarkimin e presidentit Thaçi për shkeljet e tij të deritanishme kushtetuese me veprimet e tij, duke përfshirë edhe involvimin në këtë të fundit. Deputeti Driton Selmanaj, që vjen nga LDK-ja, thotë se shumë shpejt qëndrimet e LDK-së për të gjitha format e keq qeverisjes, në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe rolin e presidentit, do të analizohen, bëhen publike dhe rreth tyre do të merret qëndrim. “Unë besoj që sot ose nesër do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe do të marrë qëndrim të qartë rreth të gjitha situatave të krijuara në Kosovë.

Nuk janë situata të lehta, nuk janë rutinë, janë gjendje të reja të krijuara fillimisht me rastin e situatës në veri, por edhe me arrestimin e djeshëm, kështu që shumë shpejt besoj që kryesia e LDK-së do të dalë me qëndrim të qartë rreth asaj se si e sheh tejkalimin e kësaj situate, përndryshe po e përsëris që kjo nuk është situatë rutinë, është situatë me gjendje të re dhe duket sikur që nuk do të ndalet me kaq”, tha Selmanaj për “Kosova Sot”. Deputeti Ali Lajqi nga VV-ja i tha gazetës se për të ngritur mocion ndaj presidentit duhet analizuar të gjitha dyshimet për involvimin e tij në veprime kundërkushtetuese dhe proceduar më tutje sipas ligjit dhe Kushtetutës. “Mandati i presidentit të Kosovës fillon dhe mbaron mbi bazën e parimeve dhe autorizimeve të përcaktuara me kushtetutë. Dhe tani nëse konstatohet dhe del që ka bërë shkelje kushtetuese, faktikisht duhet të merret nisma dhe duhet shkarkuar. Kjo ndodh në dy mënyra: pasi të konstatohet shkelja kushtetuese ai ose tërhiqet vetë ose atë e shkarkon Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e deputetëve, por paraprakisht duhet të analizohet dhe të verifikohet shkelja kushtetuese nëpërmes Gjykatës Kushtetuese”, tha Lajqi për “Kosova Sot”.

Qytetarët të zhgënjyer me Kuvendin

Pavarësisht se presidenti mund të ketë bërë shkelje kushtetuese, që duhet të verifikohen e konstatohen nga institucionet relevante, Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, qytetarët janë skeptikë që ligjvënësit do të marrin guximin dhe iniciojnë shkarkimin e tij. Agron Rrustemi thotë se presidenti Thaçi ka arritur në një mënyrë ta privatizojë edhe Kuvendin e Kosovës, e ka nënshtruar atë.

“Presidenti Thaçi e konsideron tash Parlamentin e Kosovës si pronë të veten, si kompani të veten, e vendos deputet kë të ka qejf, e ka bërë biznes dhe prandaj edhe disa deputetë apo disa ministra nuk i këqyrin si punë për t’u marrë me shtetin konform Kushtetutës, por i këqyrin sikur me qenë një kompani publike dhe vetëm sa me dalin mua dhe sa të dalin ty. Kjo është korrupsion i pastër dhe kjo ka të bëjë veç me dallavere të Hashim Thaçit, edhe sa lekë i dalin Hashim Thaçit dhe sa lekë nuk i dalin, këta ma zi nuk kanë se ku shkojnë”, tha Agron Rrustemi për “Kosova Sot”. Anton Ndou po ashtu thotë se nuk kemi Kuvend dhe deputetë aq të guximshëm që do të ballafaqoheshin me shkeljet e presidentit autoritar. “Këta nuk janë të përgatitur nga asnjë parti politike për të shkuar në zgjedhje dhe për atë punë edhe hezitojnë për ta marrë atë veprim. Ata nuk do ta bëjnë këtë derisa të bëhen gati për të pasur mundësi që njëra parti politike për t’i fituar zgjedhjet për të ecur…’, tha Ndou për “Kosova Sot”. Murat Gërbeshi thotë se nuk beson që do të iniciohet diçka e tillë, pasi kemi njerëz servilë të politikës në të gjitha institucionet, edhe në Kuvend, dhe as nuk i merr politika për t’i zgjedhur ata meritorët. “Është edhe faji ynë, i neve qytetarëve, që po i votojmë që sa vjet të njëjtit njerëz. Edhe mua sot me ma dhënë zoti fuqinë e më thënë qite një njeri aty unë nuk di se kë me e qit”, tha Gërbeshi për “Kosova Sot”

Si mund të shkarkohet Presidenti i Republikës së Kosovës!

Profesori Muhamet Kelmendi, lidhur me procedurat e shkarkimit të presidentit, thotë se në Kushtetutën e Kosovës, në nenin 91, paragrafi 1, 2 dhe 3, janë të përcaktuara mënyrat se si mund të shkarkohet Presidenti, para skadimit të afatit. Përveç rasteve, kur Presidenti shkarkohet se është dënuar për kryerjen e ndonjë krimi të rëndë ose nuk është i aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjeve të rënda, të konstatuara nga mjekët dhe të vërtetuara nga Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 2, qëndron: “Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili i shpjegon arsyet për shkarkim (…). Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës; peticioni duhet t’i dorë- zohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos për këtë çështje brenda 7 ditëve nga marrja e peticionit”. Dhe me teje: (…) nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund te shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”. Kjo baze e ligjit tregon se në Kuvendin e Kosovës domosdo kërkohet të hartohet peticioni dhe të nënshkruhet nga një të tretat (1/3) e deputetëve dhe t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese me provat mbi shkeljet e rënda që z. Thaçi në rastin e deportimit të gulenistëve të konstatojë shkeljet e rënda të Kushtetutës, si dhe mbi këtë bazë të votohet në Kuvend për shkarkimin e z. Thaçi nga Presidenti

Më Shumë

Përleshen fizikisht anëtarët e dy familjeve në Prizren, policia arreston shtatë persona

Dy familje janë përleshur fizikisht mes vete në Prizren, pas një mosmarrëveshje. Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar shtatë persona. Të njëjtit janë ndaluar për...

Haradinaj: Rahoveci e dëshmoi kontributin ndaj Atdheut përmes shumë luftëtarëve të zotë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit. Haradinaj ka...

Lajmet e Fundit