12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

La Stampa: Zhiti në betejë me fantazmën e Enver Hoxhës

Visar ZhitiaaLuigi La Spina

Kjo histori ka ngecur mbi një kryq të pabesë, mes politikës, fesë dhe poezisë, sepse protagonist është një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë. Visar Zhiti është i biri i një poeti, Hekuranit, gjithashtu një aktor dhe dramaturg, i padëshiruar nga regjimi i pamëshirshëm komunist i Enver Hoxhës deri në pikën që e mbyllën në burg, ku dhe vdiq.

Visari ndoqi gjurmët e babait të tij, të cilat i sollën të njëjtin fat në vitin 1979, një qeli tre me dy metra dhe më pas në kampin e punës, punë e detyruar në miniera. Dënimi me dhjetë vjet erdhi pas një gjykimi gjatë të cilit ai u akuzua se shkruante vargje shumë hermetike, të trishtuara dhe në kundërshtim me kanonet e realizmit socialist. Por Visari ishte më me shumë fat se babai i tij. Rënia e regjimit të Hoxhës ndodhi pas shtatë vitesh dhe bashkë me dyert e burgut u hapën dhe portat e Perëndimit, parajsa e lirisë dhe e begatisë. Lirinë e shijoi menjëherë, pasi poezitë e tij u botuan e përkthyen, përveçse në Shqipëri, edhe në shumë vende europiane dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa për sa i përket begatisë pati shumë më pak, sepse transferohet në Itali dhe jeton me ndihmën e disa miqve të tij letrarë, që menjëherë e vlerësojnë poezinë e tij, si dhe me të ardhurat nga disa përkthime. Por menjëherë qeveria e re demokratike ia njeh meritat dhe e emëron në vitin 1995 këshilltar kulturor dhe zv.ambasador të Shqipërisë në Romë.

Në Romë

Pesë vitet e kaluar në kryeqytetin tonë (Romë) janë dehëse për Visarin, sepse frekuenton botën letrare të Romës, zgjeron jashtëzakonisht referencat kulturore ndaj poezisë së tij. Kështu, Zhiti publikon në 1997-ën përmbledhjen e tij të parë me poezi “Kryqi prej mishi”, dhe menjëherë më pas përmbledhjen e dytë, “Rrëfim pa altarë”, të cilët patën sukses të shpejtë. Kthimi në Tiranë ishte po aq i lumtur, jo vetëm sepse u emërua ministër i Kulturës, por për shkak se njihet me gruan e jetës së tij, Eda, me të cilën martohet dhe i jep një djalë, Atjonin. Jeta e Visarit, i cili publikon edhe një roman të përkthyer në italisht nga shtëpia botuese “Rubbettino”, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, pasqyrë autobiografike e tradhtive që Europa bën ndaj Shqipërisë së çliruar tashmë nga diktatura, duket sikur udhëton në një qetësi të papritur familjare dhe në një rikthim të merituar në letërsi. Por poezia, kur përplaset me fenë dhe politikën detyrohet të bëjë një ndalesë të papritur.

Refuzimi i peshkopit

Çdo gjë ndodh në dy javë. Kryeministri shqiptar Edi Rama i ofron Zhitit emërimin si ambasador në Selinë e Shenjtë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, fillon procedurat e gjata me Vatikanin, kur vjen një deklaratë e habitshme. Ndihmës Peshkopi për Tiranën dhe Durrësin, imzot George Frendo, në një intervistë për Gazetën Shqiptare del në kundërshtim me emërimin, me pretekstin se Visari është mysliman, nuk është katolik, duke injoruar një fakt, atë se Zhiti gjatë viteve të tij në burg ishte konvertuar fshehurazi në katolik. Por ndërkaq ai injoron ose harron edhe mesazhin e Papa Françeskut në shtator 2014, në sheshin “Nënë Tereza”, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Papa e kishte motivuar udhëtimin e tij në Shqipëri me dy arsye: homazh për “shembullin e jashtëzakonshëm të bashkëjetesës fetare” që ofron ai vend dhe për “rezistencën heroike të komunitetit katolik” gjatë një diktature të egër komuniste, e cila edhe në Kushtetutë impononte ateizmin, që do të thoshte se vetëm deklarimi si besimtar konsiderohej si një shkelje e ligjit.

Presidenti armiqësor

Intervista e Peshkopit Frendo mund të konsiderohet një gafë, sepse ajo u pasua nga sqarimi i tij, që ishte shumë i ngjashëm me një tërheqje nga ato që kishte thënë. Për të ardhur keq sepse deklarata e tij u përdor nga armiqtë e fshehur ose të hapur të Visarit, si një pretekst për të bllokuar emërimin e tij në Selinë e Shenjtë. Ndërkohë, Parlamenti Shqiptar, me një rezolutë unanime, të nënshkruar nga të dy krahët e politikës, nga opozita dhe mazhoranca qeverisëse, manifestoi pëlqimin për poetin me arsyetimin se prania e tij si ambasador në Vatikan do të ishte e dobishme për të “mbrojtur vlerat e shtetit laik”.

Nunci Apostolik gjithashtu premton simpati të sigurt për emërimin, por është Presidenti shqiptar, Bujar Nishani, që kryeson grupin e atyre që duan të pengojnë kthimin e tij në Romë.

Versionet e kësaj armiqësie, natyrisht janë të ndryshme. Versioni më pak i rëndi është zhgënjimi i Nishanit se është mënjanuar nga Kryeministri në procedurat e emërimit të Visarit, ndërsa versioni më i bazuar zbulon një prapaskenë që nuk e justifikon kundërshtimin presidencial vetëm për një lëndim të krenarisë hierarkike, por tregon për një paragjykim të vjetër negativ përballë një poeti rebel ose ish-rebel.

Nishani, në fakt, në kohën e regjimit të Hoxhës ishte një oficer i ushtrisë dhe, ndoshta, është e kaluara e tij që frenon entuziazmin për një emërim që do të shpërblente një intelektual,i cili nuk ndjek në mënyrë të verbër dëshirat e pushtetit, cilido qoftë ai.

Kështu, duket se hija e regjimit të vjetër po e ndjek pa shpëtim Visar Zhitin, ashtu siç e ndoqi fati i keq edhe në lumturinë e tij familjare. Dy muaj më parë, djali i dashur Atjon, student në Universitetin Katolik të Milanos, kthehet në një festë të shkurtër në Tiranë. Por sapo mbërrin në Shqipëri, buzëqeshja e tij shuhet përgjithmonë mbi një motor, pas një përplasjeje të tmerrshme.

Më Shumë

I caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve personit që plagosi ish-vjehrrin në Dragash

  Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se të dyshuari me inicialet O.M i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, pasi...

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Lajmet e Fundit