9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Lajmi i mirë dhe i keq për Prizrenin

OpinionShkruan: Osman Shatri

Humbja e Eqrem Kryeziut: Lajmi i mirë është që ka humbur Eqrem Kryeziu ish-Kryetar i Kuvendit Komunal të Prizrenit, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Kryetar të Komunës së Prizrenit. Humbjes së Kryeziut duhet ti gëzohen të gjithë e sidomos qytetarët e fshatrave të Hasit, edhe pse e votuan me të madhe. Me humbjen e Kryeziut, Hasi humbi 4 vite përbuzje, nënçmim, jo respekt, investime të pakta dhe shumë të rralla dhe jo cilësore, humbi 4 vite me një ose asnjë hasjan në ekzekutivin e Prizrenit, humbi mos avancimin dhe mos inkuadrimin e kuadrava të Hasit në pozita drejtuese dhe profesionale.

Humbi shancën që në krye të Komunës së Prizrenit të keni kundërshtarin e Komunës/ve të Hasit, i cili hasjanët i do si vasal e jo si qytetar që meritojnë, dinë dhe më së shumti kanë të drejtë të kenë identitetin e ligjshëm pra të kenë Komunën e vetë. Hasi humbi mundësinë që Eqrem Kryeziu të ndajë dhe përçajë edhe ndonjë fshat tjetër hasjan, siç e bëri me fshatin Kushnin me ndërtimin e një objekti shkollor.

Hasi humbi mundësinë që Eqrem Kryeziun ta kenë kryetar të fundit të tyre si pjesë e Komunës së Prizrenit, pasi që nëse don Hashim Thaqi, Hasi do të bëhet Komunë më vete dhe e mosvarme nga Eqrem Kryezi apo Ramadan Muja. LDK kundërshtoj ashpër themelimin e Komunës së Hasit, e për të plasur kur Hashim Thaqi tha që jo 1 por 2 Komuna do t’i bëjë në Has.

Edhe pas kësaj, më 3 nëntor dhe me 1 dhjetor nuk i ndali as i ftohti, shiu dhe bora dhe Hasi i dha LDK-së dhe Eqrem Kryeziut atë që rrallë kush mund ta bënte, shumicën e votave. Pak më pak se herëve tjera, por shumicën po. Humbëm mundësinë ti gëzohemi investimeve 1 herë në 4 vite, jo rastësisht thonë “rrallë e përmallë”.

Eqrem Kryeziu sa herë që viziton Hasin (kuptohet 1 herë 4 vite për me lyp vota), si poezi me 1 strofë i numëron investimet që i ka bërë në Has gjatë 7 viteve sa ishte Kryetar i Kuvendit Komunal të Prizrenit. Nuk e ka të vështirë t’i mbaj në mend ngase taman sa një poezi me katër rreshta, janë investimet e bëra nga koha kur Eqrem Kryeziu ishte Kryetar i Komunës së Prizrenit. Ju kujtoj se gjatë 7 viteve të kryetarllëkut të tij, për të gjitha projektet, hasjanët kanë participuar me paratë e fituara me djersen e zanatit të çmueshëm dhe tradicional të bukëpjekësit. Dhe se të gjitha isha projekte të bashkë financuara nga donacionet ndërkombëtare ose nga Ministritë e Qeverisë së Kosovës. Nëse i analizojmë mirë, investimet e Komunës e Prizrenit në Has gjatë krytarllëkut të Eqrem Kryeziut janë barabartë me zero.

Për më shumë, edhe pse deri para 6 viteve, LDK-ja ishte partia më e votuara në Komunën e Prizrenit, Eqrem Kryeziu asnjëherë nuk është zgjedhur Kryetar i Komunës nga votat e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe ishin pikërisht votat e qytetarëve në fund të vitit 2007 të cilat e shpallen humbës të zgjedhjeve të para të drejtpërdrejta për Kryetar të Komunës.

Le të jetë hera e fundit ku hasjanët kanë votuar Eqrem Kryeziun, i cili kurrë nuk i dha Hasit dhe hasjanëve atë që merituan dhe që ishte e drejtë e tyre.
Fitorja e Ramadan Mujës: Lajmi i keq është që Ramadan Muja do të jetë prapë Kryetar i Komunë së Prizrenit.

Hasjanët kësaj radhe si kurrë më parë votuan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidatin e saj për Kryetar të Komunës së Prizrenit prof.dr.ac.mr.z.Ramadan Muja. Hasjanët e shpërblyen Ramadan Mujën për kontributin e dhënë para lufte, gjatë luftës çlirimtare, për proceset integruese të brendshme dhe të jashtme, e sidomos për kontributin e tij si Kryetar i Komunës së Prizrenit dhënë Hasit dhe Hasjanëve.

Pse e votuan Hasjanët Ramadan Mujën dhe PDK-në, çka do të fitoj Hasi me Kryetar të ri e të vjetër Ramadan Muja? Ramadan Muja do të mbahet mend si Kryetar që “investoj shumë” në Has, për kundër Eqrem Kryeziut që na doli të mos ketë investuar fare. Ramadan Muja, investimin e parë të bërë në Kushnin, ishte prishja e Ambulancës së fshatit, e cila gjatë viteve të 90’ta u ndërtua me kontributin e banorëve të fshatit. Për më shumë, Ambulanca e rrënuar nga Ramadan Muja ishte në gjendje të mirë por e nevojshme për pak renovim dhe ishte shumë më e madhe se ajo të cilën do ta ndërtonte Ramadan Muja. U bë si u bë, u ndërtua Ambulanca e re, por për kë u ndërtua? Që prej fillimi në ambulancë vjen një mjekë/mjeke dy herë në jave, më falni një herë në dy javë dhe atë pa ndonjë ditë të caktuar varësisht si është moti dhe disponimi i drejtorit dhe i doktorëve për të vizituar Kushninin piktoresk. Në ceremoninë e gurë themelit të Ambulancës, Ramadan Muja pati thënë që do t’ju rregulloj edhe rrugën e ambulancës deri në fund të lagjes poshtë ka kroni. Edhe pse me shumë vonesa, rruga u ndërtua aq e mirë dhe kualitet sa shumë shpejt mori sy dhe u prish.

Për inat të kritikëve, kompania i rinovoj pjesët e prishura, e të cilat pa kalua muaji u prishen prapë. Për ta ndrequr imazhin e vet dhe partisë në fshat, Ramadan Muja pas një maratone të tenderëve filloj projektin e kanalizimit, i cili projekt nuk e përfshin krejt fshatin dhe për me shumë edhe pse ishte i paraparë me dy gropa septike, ato nuk u ndërtuan kurrë. Për m’i rritë vota pak, tash për zgjedhje, Ramadan Muja i dërgoj dy bagera për t’i rrafshuar kodrat jo por dy rrugë të fshatit e që t’i bëj gati për të ardhmen m’i shtrua në kocka, pasi tani dimër e ftoftë dhe bora nuk po krijohen kushtet për punë. Tek e fundit Ramadan Muja nuk ka faj që zgjedhjet kanë qëllua në dimër.

Projekti u vonua ndoshta edhe pse hasjanët tani s’po qesin më para për projekte, si në kohen e Eqremit. Sa i pafat Ramadani! Viteve të ardhshme ka punë me i rinovua projektet e dëmtuara nga cilësia e dobët jo por nga mësyshi. Projektet e dobëta dhe jo cilësore nuk janë bë së koti. Ato kanë qëllime të mira dhe humanitare, ngase ato duhet rregulluar çdo vit dhe do të hapen tenderë dhe punësohen shumë njerëz. Me këtë gjest, Ramadan Muja po e zbutë sado pak papunësinë dhe gjendjen e rëndë ekonomike. Bagerat dhe Bonduzherat, nuk janë risi, kjo punë është specialitet i PDK-së, jo për me largu borën e madhe që bie ne Has, por për me mbledh ndonjë votë.

Atë që s’mundi ta bëjë Eqremi, provoj ta bejë Ramadani, ta ndaj fshatin Romajë. Jo me kufi por me investime. Sipas banorëve të Romajës, fshati është nda si Koi i Vitakut në Mitrovicën e Jugut. Edhe fshatrat tjera të njëjtin privilegj e kanë pas. Aq i dashur dhe i respektuar u bë Ramadan Muja në Has, sa kanë nisë ta quajnë “Laja Ramë”!

Për dallim nga LDK-ja dhe Eqrem Kryeziu, Ramadan Muja doli në përkrahje të shefit të shefave të Qeveris së Kosovës, për themelimin e Komunës së Hasit, përkatësisht të Gjonajve. Nuk e dimë a u kanë i sinqertë me këtë, por na e ka bo për hajer Komunën. Se kur do të bëhet realitet Komuna nuk është me rëndësi, vendimin e kemi.

 

Më Shumë

Beteja vendimtare mes Pejës dhe Yllit

Të shtunën zhvillohet ndeshja e pestë dhe vendimtare mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit. Skuadra që shënon fitore, do t’i bashkohet Trepçës në finale të...

Shkurte Fejza nderohet me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës

Këngëtarja shqiptare, Shkurte Fejza është nderuar me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës. Kështu bëri të ditur kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj përmes...

Lajmet e Fundit