3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Lamtumirë Vaçe Zela!

VaceZela-lamtumira

( E plotësuar) Për dy orë me radhë janë zhvilluar homazhe në skenen e Teatrit të Operas dhe Baletit në nder të perëndeshës së këngës, të madhes Vaçe Zela. Flamuri është ulur në gjysmë shtizë në nder të këngëtares
Një ceremoni e veçantë u organizua që në hyrje, ku qytetarë të shumtë ishin mbledhur si kurrë më parë rreth Teatrit të Operas, duke ndjekur nga afër ceremonialin përmes Ledëolleve. Në sfond dëgjohej zëri i këngëtares mitike, e cila do të jetojë gjatë në zemrën dhe mendjen e njerëzve.
Politikanë, artistë, këngëtarë, miq dhe personalitete të fushave të ndryshme u përkulen me nderim mbi trupin e ikonës së muzikës së lehtë shqiptare. Dhe më pas ata lanë shënime mbi bllokun e përshtypjeve për këngëtaren e pa përseritshme.
Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë. E kjo u vu re edhe gjatë momentit të daljes së trupit të pajetë nga salla e TOB, ku qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria e përcollën me duartrokitje dhe lule këngëtaren, qëiu dhuroi emocione të pa përseritshme Vaçe Zelën. Flamuri që mbuloi arkivolin është dhuratë e fëmijëve të Lushnjës dërguar Vaçe Zelës në Zvicër me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Trupi i këngëtares do të prehet siç edhe vetë artistja e madhe dëshironte në vendin e saj në varrezat e Sharrës.

Rama: Vaçja la pas trashëgiminë e saj të përjetshme
Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar për Vaçe Zelën, theksoi se ajo la pas trashëgiminë e saj të përjetshme.
“Nuk ka vdekur Vaçe Zela. Është shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg. Kjo është vdekja që e bën lajmin për ikjen e Vaçes nga kjo botë posaçërisht të veçantë për secilin prej nesh. Një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbje të përbashkët edhe deri tek të rinjtë që deri dje nuk kishin dëgjuar asgjë për të dhe për 48 orësh lënë shënimet e tyre në rrjetet sociale. Kur këndonte Vaçe Zela bota ishte bardhë e zi. Dhe ekrani ishte bardhë e zi. Vaçe Zela iku nga mesi ynë kur ra perandoria bardhë e zi. Dhe e la kyçur zërin e saj këtu në rrethin e kujtesës sonë bardhezi pa u kthyer kurrë më me hapat e saj në skenën e erës sonë për të na kërkuar shpërblim, ndere apo vëmendje për minutat e paçmueshme që na bëri të jetojmë dhe ja tani pas shumë vitesh na dërgoi befas thjesht lajmin e vdekjes” tha Rama.

Berisha: Përcjellin për në banesën e fundit zërin e shekullit të kombit tonë
Në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën e Vaçe Zelës duke e cilësuar si disidenca e këngës shqiptare.
“Sot përcjellin për në banesën e fundit zërin e shekullit të kombit tonë. Këngëtarja e pavdekshme e dashurisë për fëmijën, për nënën, për të dashurin dhe mikun, për Shqipërinë dhe hallet e saj. Vaçe Zela iu dhuroi shqiptarëve me talentin e saj më shumë se kushdo tjetër në kohën e vet gëzime, kënaqësi dhe krenari. Vaçe Zela ishte njëkohëshisht disidenca e këngës shqiptare në atë regjim barbar të antivlerave. edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe qytetarëve të Lushnjes që i bënë shqiptarëve një dhuratë të tillë, të gjithë atyre që kanë pasur tek Vaçe Zela këngëtaren e tyre të dashur” tha Berisha.

Kumbaro për Vaçe Zelën: Do të vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar të gjithëve
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka mbajtur edhe një fjalim homazh për nder të ikonës së këngë shqiptare Vaçe Zela.
“Unë të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete por se pata kurrë fatin të të afrohem sepse kam qënë dhe jam shumë e vogël përpara teje. Sot je këtu afër dhe unë ndihej mall siç edhe ti vetë ke thënë ” sa mall kemi sa deti valë”. Ne Vaçe të duam shumë, por ti vetë prapë e ke thënë “Dashuria është si kënga dhe duaje sot gjithë botën ta pushtoj”. Prandaj po të lë Vaçe që të na pushtosh siç na ke bërë gjithmonë, që atje lart tek yjet se pjesë e tyre ke qënë dhe je. Prej ku do të na vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar të gjithëve” tha ministrja.

Meta: Duartrokitje për Vaçen
Sot ne të gjithë jemi më të varfër nga një ikje!
Ka pak njerëz në botë për të cilët flitet njëlloj, edhe kur janë në jetë, edhe kur vendosin të ikin prej saj.

Ka edhe më pak njerëz në botë për të cilët, edhe kur janë në jetë, edhe kur vendosin të ikin prej saj, përmendet kënga e përcillen me këngë.
Janë të rrallë njerëzit që merituan me jetën e tyre vetëm duartrokitje, duartrokitje në jetë dhe në ikje!
Ka pak njerëz në botë që shumë përpara se të vendosin të ikin, shndërrohen në mit. Për ta flitet edhe kur nuk janë, ata dëgjohen edhe kur heshtin, ata meritojnë pafund heshtje nderimi kur na thonë lamtumirë dhe kur me dhembje u detyrohemi një lamtumirë zemre!
Vaçe Zela, kapriçioja e mrekullueshme e muzikës shqiptare është një nga këta njerëz të rrallë.
Ikona e papërsëritshme e këngës, shënoi një epokë në epokën e saj, i dha zë asaj dhe do t’i japë zemër dhe së nesërmes. Për gati katër dekada, në atë kohë të ashpër e të varfër, Vaçja ishte pjesë e ushqimit të zgjedhur shpirtëror, ishte një shkëndijë gëzimi e pamunguar, ishte një rrjedhë në këngë dhe ligjërime, ishte valsi ynë i lumturisë së trishtuar.

Vaçe Zela u linte takim shqiptarëve të cilët prisnin të merrnin prej saj pak drithërimë shpirti më shumë, pak më shumë dritë në terr; i këndoi dhe dhembjes për të sjellë në takim me shqiptarët pak më shumë gëzim.
Vaçe Zela e ndërtoi vetë piedestalin e saj, në të cilin qëndroi dhe do të qëndrojë si Mbretëresha moderne me kurorë kënge.
Fëmija i shkëlqyer i muzikës, e fortë dhe e brishtë, e brishtë sepse ishte e fortë, kjo fytyrë e shkëlqyer e të shkuarës sonë të ngrysur, la trashëgim për ne interpretimin e shumë këngëve të muzikës popullore e të lehtë, balada e romanca e madje, edhe shumë këngë nga më të mirat e thesarit botëror.
Sakrifica e fisnikëron njeriun dhe Vaçja ishte e fisnike e papërsëritshme.
Sot nuk është më. Ka pothuaj dy dekada që Vaçe Zela u tërhoq në heshtjen e saj e rrethuar nga dashuria e Pjetrit dhe Irmës, bashkëshort e bijë, në një trekëndësh familjar të nderuar të shtrirë në dy kohë shqiptare, në atë anë dhe këtë anë të lirisë. Por Vaçja bën pjesë në atë pakicë fatlume njerëzish të lirë për të cilët flitet edhe kur nuk janë, flitet shumë edhe kur vendosin të ikin.

Vaçja është nder i kombit tonë, ndaj nderimi, mirënjohja dhe falenderimi për të është respekt edhe për të shkuarën dhe të nesërmen tonë, është respekt për kujtesën!
Ikja e Vaçe Zelës na bën të gjithëve më të varfër sepse ajo na kishte pasuruar të gjithëve në shpirt.
Lamtumirë, Vaçe Zela, lamtumirë me duartrokitje!
Njëlloj si atëherë kur ishe në skenë me zërin tënd të papërsëritshëm, njëlloj edhe tani! Duartokitje për heshtjen tënde nga piedestali yt i fundit për të vazhduar të na drithërosh sërish me këngët e tua!

Basha: Vaçe Zela, përjetë mes nesh
Kryetari i PD dhe Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij bënë homazhe në nderim të ikonës së muzikës shqiptare Vaçe Zela

“Zëri i Vaçe Zelës ishte balsam dhe ndër të paktët ngushëllime për shpirtrat e sfilitur të shqiptarëve përgjatë dekadave dhe viteve të veprës së saj. Është dhe mbetet zëri dhe kujtesa e saj përjetë mes nesh, në zemrën e një kombi të tërë, mirënjohës dhe krenarë për të dhe për veprën e saj, ç’ka shihet qartë edhe nga bashkimi i qindra, mijëra shqiptarëve në homazhe dhe nderimin për të paharruarën Vaçe Zela.” /abcnews/

Sot lamtumira e fundit këngëtares së madhe Vaçe Zela

Kolegë, miq, qytetarë dhe të afërm po i japin sot lamtumirën e fundit artistes së madhe të skenës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë në shtëpinë e saj në Bazel të Zvicrës, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Homazhet në nderim të këngëtares filluan në orën 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit, transmeton abcnews.

Trupi i pajetë i këngëtares mbërriti dje në Tiranë, për të çuar deri në fund amanetin e saj për t’u prehur në Atdhe. Më herët kortezhi mbërriti në aeroportin e Prishtinës, ku u prit nga autoritete të Ministrisë së Kulturës.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Kulturës thuhet se: “Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, Edi Rama. Përcjellja për në banesën e fundit dhe ceremonia mortore, ditën e shtunë, date, 08.02.2014, ora 13.00 duke u nisur nga TKOB per t’u prehur ne varrezat e Sharrës”.

Më Shumë

22 mijë e 418 foshnja erdhën në jetë në Kosovë nga janari deri në tetor

Nga janari e deri në tetor të këtij viti, në Kosovë kanë lindur 22 mijë e 418 fëmijë. Kështu thonë të dhënat e publikuara të...

Ancelotti shpallet trajneri i vitit

Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti, është shpallur trajneri më i mirë i vitit. Ky çmim u nda nga FIFA, në ceremoninë që u mbajt...

Lajmet e Fundit