16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

LDK-AAK-NISMA e shtyjnë për nesër marrëveshjen me Vetëvendosjen

blloku opozitar

Liderët e koalicionit opozitar, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, kanë lënë të kuptohet se sot ose nesër mund të arrihet pajtimi që këtij blloku t’i bashkohet edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë ditës, liderët e subjekteve politike pritet të takohen, ku edhe do të vendoset nëse do të pajtohen për ta nënshkruar ose jo draft-marrëveshjen e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton KTV.

Pas takimit me Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, Isa Mustafa ka thënë se e vlerëson si pozitiv hapin e parë për arritjen e një marrëveshjeje që është bërë në takimin e grupeve punuese, por ka thënë se dyshon që ajo të finalizohet brenda ditës.

Ndërsa Ramush Haradinaj ka theksuar se draft marrëveshja që ka dalë pas takimit të grupeve punuese është hapi i parë drejt një marrëveshjeje, ndërsa ka shtuar se gjithçka do të qartësohet pas takimit të liderëve.
“Caktimi i kësaj dite na ka ndihmuar. Ne besoj se kemi arritur një sukses të ndërsjellë, mund ta përmbyllim sot ose nesër. Por ju jeni në dijeni se është arritur te një materie e parë, nuk e di a do të mund të formësohet sot ose nesër”, ka theksuar Haradinaj, transmeton koha.net.
Vetëvendosje kërkon që të nënshkruhet draft-marrëveshja, e cila thekson se duhet të ketë: dialog parimor, kualitativ dhe të përgatitur mirë, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e kualitativi si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Haradinaj nuk e di nëse marrëveshja nënshkruhet sot

Megjithëse kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka dhënë si afat të fundit të dielën për arritjen e marrëveshje mes tyre dhe grupit LDK-AAK-NISMA, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është skeptik se mund të arrihet sot një gjë e tillë.
Megjithatë, sipas tij, caktimi i këtij afati kohor ka bërë që të arrihet deri tek një materie e parë.

E kreu i LDK-së, Isa Mustafa shpreh besimin se afrimi i këtyre subjekteve do të shkojë ende para, në aspektin pozitiv.

Por, Haradinaj nuk din nëse sot do arrijnë të nënshkruajnë ndonjë marrëveshja, katër palët.

“Caktimi i kësaj dite na ka ndihmuar. Ne besoj se kemi arritur një sukses të ndërsjellët, mund ta përmbyllim sot mund ta përmbyllim në ditën në vijim, mirëpo ju jeni në dijeni që është arritur deri te një materie e parë. Nuk di a do të arrijmë ta përmbyllim me formësuar sot, ose nesër por t`ju them të drejtën dhe në respekt të këtij afati kohorë është arritur deri te një materie e parë”, ka thënë ai.

Edhe Mustafa, thotë se po punojnë vazhdimisht dhe se janë në pritje të mundësive për bashkëpunim të mëtutjeshme.

Ai shprehet se ekziston një mundësi që ky bashkëpunim të shkojë përpara.

“Unë e vlerësojë si një hap të rëndësishëm të ofrimit të pikëpamjeve tona. Ne po punojmë vazhdimisht, do të shohim cilat janë mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshme, natyrisht që ato nuk i paragjykojmë se duhet të ulemi në tryezë dhe të shohim gjitha subjektet dhe interesat e vendit dhe organizmin tonë lidhur me realizimin e këtyre interesave që i ka Kosova në qeverisjen e ardhshme kohore. Unë mendojë se gjithë ne kemi bërë hapa të rëndësishme dhe mendoj se ekziston një mundësi që të shkojë edhe më tutje përpara’, ka thënë ai.

Ndërsa, në takimin që këta dy lider patën me ndihmëssekretarën amerikane, Viktoria Nuland, të pranishëm nuk ishin dy liderët tjerë të partive opozitare, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj, të cilët janë duke bashkëpunuar për një alternativë të re qeverisëse.

Takimet me këta dy të fundit nuk kanë qenë të parapara në agjendën e Nuland

 

Sot, afati i fundit për marrëveshje me VV-në

 

Sot është dita e fundit kur Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, duhet të vendosin për ta nënshkruar ose jo draft-marrëveshjen e Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë që kjo e fundit të jetë pjesë e Qeverisë së re.
Vetëvendosje kërkon që kjo draft-marrëveshje të nënshkruhet. Për këtë arsye, palët do të diskutojnë edhe sot deri në mbrëmje.

Kërkesat që VV kërkon të jenë në letër janë këto:

I.Dialog parimor, kualitativ dhe të përgatitur mirë i cili nënkupton:

1)Vlerësimin e dialogut të deritashëm më Serbinë të zhvilluar gjatë viteve 2011-2014 përmes një komisioni hetimor parlamentar

2)Dërgimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venedikut për vlerësimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut:

3)Fillimin e dialogut me Departamentin për Zgjerim të Bashkimit Evropian për obligimet e Kosovës në procesin përmbajtjesor integrues drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke përfshirë këtu edhe dialogun më BE-në për dialogun me Serbinë

4)Lëvizja Vetëvendosje merr përsipër të udhëheq procesin e dialogut

5)Vendimet për çështjen e dialogut merren përmes mekanizimit të konsensusit të të katër subjekteve politike nënshkruese të kësaj marrëveshje.

II. Zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e kualitativ e i cili nënkupton:

1)Vlerësimin e tërë procesit të privatizimit përmes krijimit të një komisioni hetimor parlamentar

2)Investimin në rritjen e vlerës së Trepçës (së cilës i dedikohet një ligj i posaçëm) si dhe të KEK-ut e PTK-së

3) Vendimet për këta gjigandë ekonomikë të Kosovës dhe për privatizimet e mundshme në të ardhmen merren përmes mekanizimit të konsensusit të të katër subjekteve politike nënshkruese të kësaj marrëveshje

III. Luftimi i Korrupsionit dhe krimit të organizuar e i cili nënkupton:

1) Sundimi i ligjit nuk negociohet. Ligjet do të zbatohen me përpikëri dhe përkushtim nga të gjithë zyrtarët e secilit institucion shtetëror

2) Korrupsioni do të luftohet çdo kund e tërë kohën, duke filluar aty ku është më i larti dhe më i rëndi. Do të aprovojmë ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ligjin antimafia dhe ligjin antikorrupsion

3) Agjencionet e pavarura shtetërore dhe ndërmarrjet publike do të çlirohen nga militantët dhe agjent partiakë.

Pas dy viteve të kësaj Qeverie të re, subjektet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje do të ulen për të vlerësuar nëse janë arritur objektivat dhe janë plotësuar kushtet që vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike. /Telegrafi/

Më Shumë

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Lajmet e Fundit