Dega Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Zhur është e mllefosur në liderin e tyre, Isa Mustafa. Kryetari i Degës, Shukri Vezaj tha se Isa Mustafa ka emëruar Eqrem Kryeziun për kryetar të Prizrenit, po u konsultuar.
“Jemi shumë të shqetësuar me veprimet e fundit të Kryesisë së Lidhjes Demoratike të Kosovës, si dhe të kryetarit, Isa Mustafa. Mënyra dhe veprimi i nominimit të Eqrem Kryeziu për kryetar të komunës së Prizrenit, Mustafa e ka bër pa konsultime paraprake me Degën e Zhurit dhe me strukturat e Degës së Prizrenit”, tha Vezaj.
Sipas tij, Dega e LDK-së në Zhur, pas emërimit të Kryeziut për kryetar të Prizrenit, ka mbajtur një mbledhje në të cilën ka shqyrtuar situatën e krijuar në LDK. “Dega në Zhur në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur më datë 10.07.2013, shqyrtoi aktualitetin politik si dhe përgatitjet për zgjedhjet komunale të vjeshtës, të cilat pritet të mbahen më 3 nëntor 2013. Pyetja e vetme që ka mbetur pa përgjigje ka qenë se a thua më 03 nëntor 2013 a do të fitojë LDK-ja në Prizren me njerëz të ricikluar dhe të humbur në zgjedhjet e kaluara ?.”, tha Vezaj.
Sipas tij, LDK-ja në Zhur është e mllefosur për veprimet joparimore të Isa Mustafës. “Emërimi është bërë në kundërshtim me vendimet e KP të LDK-së, me normat e Statutit të LDK-së, dhe me vetë me deklaratat zyrtare të kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa”, tha Vezaj.
Ai tha se qytetarët e Prizrenit janë të zhgënjyer me qeverisjen e PDK-së, prandaj LDK-ja është dashur të gjen një mënyrë tjetër të largimit të kësaj qeverie. “Në vazhdën e këtij trendi, jemi të bindur së zgjedhjet e vjeshtës do të sjellin në skenë alternativën tonë qeverisëse, dhe, për t’u arritur kjo, Kryesia konstatoi se zhvillimet e fundit rreth nominimit të kandidaturave për kryetar komunash nuk janë aspak në përputhshmëri me normat statutore të LDK-së”, tha Vezaj.
Kryetari Vezaj ditë më parë ka thënë se LDK-ja në Zhur do të përkrah kandidaturën e Kryeziut, pavarësisht mënyrës së emërimit të tij. /PrizrenPress.com/