Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i dënon përpjekjet e qeverisë në largim, që nëpërmes sondazheve të porositura dhe anonime, po përpiqet të krijojë amulli tek qytetarët e Kosovës, të cilët janë përcaktuar për ndryshime në Kosovë dhe për ta dënuar me votë ata që me korrupsion, nepotizëm dhe pa transparencë kanë qeverisur deri më tani.
Sondazhi i paguar, i porositur dhe i publikuar të martën nga disa portale, sipas LDK-së, tregon për gjendjen e rëndë në të cilën është katandisur partia në pushtet dhe grupi i saj profiter, në prag të humbjes plebishitare që do ta përjetojnë më 8 qershor.
“I ftojmë të gjithë elektoratin e LDK-së si dhe gjithë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve që po bëhen në prag të zgjedhjeve nacionale, sepse kjo qeveri është duke numëruar mbrapshtë edhe 18 ditët e fundit që i kanë mbetur në pushtet”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK, duke u bazuar në sondazhet e vazhdueshme që nuk janë të porositura, duke u bazuar nga të dhënat që vijnë nga terreni, mbështetja e gjerë qytetare, mobilizimi i strukturave të saj dhe lidershipin e saj pakonkurrencë, e pret me qetësi ditën e zgjedhjeve dhe i bën thirrje oponentit të saj politik, PDK-së, që t’i ndërpresë përpjekjet për cenimin e procesit zgjedhor, duke e parë humbjen që po i afrohet.
“LDK i bën thirrje gjithë anëtarësisë së vet dhe qytetarëve që të sillen konform rregullave zgjedhore dhe i garanton ata se nuk do të tolerojë cenimin e asnjë vote të vetme. LDK iu bën thirrje vëzhguesve vendorë dhe të huaj, si dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë, që të përcjellin nga afër gjithë procesin zgjedhor dhe i garanton ata se LDK, si pjesë e Partive Popullore Evropiane, duke qeverisur në ardhmen, do të instalojë praktikat më të mira demokratike për zgjedhje të lira, të cilat reflektojnë vullnetin e sovranit”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, LDK thotë se vullneti i sovranit më 8 qershor është i ditur, “në mbështetje të listës së kandidatëve të LDK-së për deputetë dhe kryeministrit të ardhshëm, Isa Mustafa”.