-0.2 C
Prizren
E premte, 27 Janar, 2023

Lepuri me doreza

Hajdar Mallaku

(Tregim për fëmijë)

Ishte një dimër me shumë borë. Dhjetor ishte dhe bënte acar i madh sa nuk mbahej mend. Po ta prekje rezen e derës, të ngjitej sa s’mund ta shkoqje. Akulli varej nga çatia e deri në tokë. Degët e lisit krisnin, çaheshin me një oshetimë thyerjeje dhe plasnin në tokë. Madje thuhej se edhe vekshi në zjarr gjysma vlonte e gjysma tjetër ngrinte akull. Gjithçka ishte bërë e kristaltë. Vetëm brenda kasolleve të fshatit Nërmal besohej se frymonte jeta. Prej andej rridhte ndonjë zë bagëtie, kënga e humbur e gjelit dhe ndonjë çapitje sopateje.

E kur vinte mbrëmja, dukej vetëm tym tymtari, ose ndonjë shigjetë drite që përbironte nga dritaret e vogla të kasolleve.

Natyra me të gjallët e saj jetonin në paqe. Gjyshi e ushqente mirë langoin (qenin e gjahut), por nuk harronte që rreth vathit të linte me qëllim fije bari të gjelbërta, kokrra drithi e mbeturina ushqimi. E dinte se natën zbrisnin nga mali tufa kaprojsh e lepujsh e kafshë të tjera për t’u ushqyer me to. Kështu ndodhi dhe sot. Trimosh lepurushi erdhi sa filloi të errët. Ishte mërdhirë i gjori sa nga kërcëllima e dhëmbëve i ishin thyer të gjithë, përpos dy të parëve.

– He, miqtë e mi, – u tha të tjerëvë, ky dimër i ashpër m’i zgjati veshët tej mase. S’ka të mbaruar dhe mërdhiva. Dhe i ndërronte pa një pa dy këmbët. Ndoshta kështu e zbuste sadopak të ftohtit dhe fitonte vetëbesim se do ta tejkalonte këtë tmerr.
Më pas ia behu langoi. Ishte më krenari, i shëndetshëm dhe i pispillosur, thuajse shkonte në ndonjë dasmë. Ajo që të binte në sy menjëherë ishin dorezat me push që i mbante në duar. Këto i kishin dhënë siguri sa ai s’do t’ia dinte për acar.
Në këtë log ndeje dhe bisede, ku çdokush merrte nga diçka të hajë, erdhën pastaj një tufë kaprojsh. Vinin me radhë si një skuadër ushtarësh të ushtruar mirë. Më i vjetri përshëndeti:

– Dimër të rehatshëm!
– Dimër të rehatshëm e sëmurjet larg!-ia kthyen miqtë.
– Po mirë, – tha lepurushi, të gjithë ne urojmë dimër të rehatshëm e këndej nuk bëjmë aspak dimër të tillë. Më shikoni ju mua. Unë mërdhij nga të ftohtit. Sikur të mos ishin këto fije bari, ndonjë lëvozhgë molle, apo dhe ndonjë karrotë e harruar në kopsht që e ha, unë moti do t’ia mbathja për në atë botë. Mëshira do ta mbulonte botën sikur langoi të m’i huazonte dorezat për pak kohë. Nuk do të zgjat dhumë dhe acari do të thyhet e unë pastaj do t’ia kthej.

Kaprojtë i rrudhën krahët në shenjë keqardhjeje, po pa mundur t’i ndihmojnë, sepse e drejta për të vendosur për këtë ishte në dorë të langoit.
Ai i rrahu duartë me njëra tjetrën, si shenjë force e gjallërie, si ia bëjnë boksierët para meçit, e luajti kokën herë andej e herë këndej, mendoi sa mendoi dhe tha:

– Po, mik i dashur, po t’i jap dorezat e ti zgjate dorën para këtyre trimave dhe trimëreshave, ma jep besën se sa të thyhet acari dhe koha të nxehet, do të m’i kthesh… Dhe ashtu si thanë, bënë. U përshëndetën si dy miq të vjetër dhe secili shkoi në drejtim të vetin.

Jeta pastaj rrodhi normalisht, secili me hallet e veta.
Kaluan ditë e ditë dhe u afrua marsi. Bora u shkri e ra në lumë, acari humbi dikund në veri dhe gjithçka po ngjallej ngadalë. Pranvera po afrohej dhe çdo gjë po shkarkohej nga mundimet e dimrit.

Lepurushi nuk u duk askund. Nuk e mbajti besën. Dorezat nuk ia ktheu kurrë langoit. Kjo gjë e trazoi jetën në fshatin Nërmal.

Nuk vonoi dhe filluan akuzat për lepurin dhe ato ishin të shumëta. Një kopshtar ishte ankuar se në kopshtin e tij ishin dëmtuar shumë fidane mollash të mbjellura rishtaz. Atyre lepurushi ua kish ngrënë lëvozhgën dhe pritej të thaheshin. Tjetra ankesë qe për lakrat e dëmtuara. E treta për karrotat e shkulura me profesionalizëm e nuk mungoi as ankesa se lepuri po e provokonte langoin nga larg duke iu lëvduar me fjalët “Bici- bici! – dorezat e tua. Po e ngucte një dregëz të vjetër dhe s’po e linte të shërohej. Kishte dhe ankesa të tjera sa më në fund u desh të ngrihej një gjyq kundër tij.

Gjyqi u përgatit për një kohë të gjatë. U siguruan dëshmitarët, u organizua trupa gjyqësore me luanin në krye, u sigurua vendi dhe data e mbajtjes, u përgatit padia.
Mbrojtjen e tij në gjyq e mori gjyshi dhe gjyshja, ndërsa gjyqëtare paditëse ishte dhelpëra. Ajo nuk la vend pa përbiruar për të gjetur sa më shumë dëshmitarë që ankoheshin në të. Dhe quditërisht askush te kjo botë e pyellit nuk e çonte mendjen te fajet e veta, por mundoheshin ta fajsonin sa më shumë atë.

Më në fund u bë dhe arrestimi i lepurit dhe atë në mënyrë shumë dinake. E ftuan në darkë si miku mukun, darkë ku do të shërbehej mish pule, kallota të freskëta dhe gjellëra të tjera me plot shije sa do t’i haje dhe gishtat. E prenë në besë.
Pritej gjyqi.

Nën rrapin e fshatit Nërmal po mbahej një gjykim. Çdo gjë ishte e zymtë. Pamje e rëndë që ta trishtonte shpirtin. Secili e kishte zënë vendin e tij. Dhe ja… e sollën lepurin e arrestuar. Dukej si mos më keq. Me veshë të varur poshtë, me shikim të turbullt e me duar të lidhura. Prangat aq fort ia shtrëngonin duartë sa dorezat i ishin ngjitur për mishi dhe, po të doje t’ia heqësh ato, do të duhej t’ia heqësh dhe lëkurën. Përkrah i rrinin tigri dhe dhelpra, dy arrestuesit e tij.

Sa keq! Si u prish kjo rehati e pyellit! Si u trazuan shpirtërat e rehatshëm!
Gjykimi u hap dhe u zhvillua me seriozitetin më të madh. Dolën dëshmitarë pas dëshmitari. Bënë padi ndër më të rëndat. Madje dhe shpifje. Shihej në fytyrat e tyre mllefi i botës. A thua rruzullin e kish përmbysur lepurushi ynë? Sa fatal kërkohej dënimi!… “Të ZHDUKEJ NGA FAQJA E DHEUT !”.

Kur ja si dëshmitare mbrojtëse doli gjyshja. Ofshani si ofshajnë malet për mot të lig, i shikoi rreth e rrotull të pranishmit, thuajse me shikimin e saj deshi t’i qortojë për qëndrimin mbytës e johuman; e drejtoi shtatin e kërrusur, i mblodhi flokët e thinjur anash dhe tha:
– O ju të uruar! Mos po mendoni se Perëndia bëri keq kur e krijoi lepurin?! Po si na krijoi ne të gjithëve e krijoi dhe atë. Thoni se ne të tjerët nuk kemi mëkate? Ja ç’ju thotë gjyshja ju. “Gjyqtarët është mirë ta gjykojnë vetveten përpara se t’i gjykojnë të tjerët”. Unë, kur u bëra nuse, e solla me vete pajën. Në to kisha dhe një parë doreza me push. Ëndërroja që të kem fëmijë, të parin djalë se vetëm ashtu nuset vënë themel në shtëpinë e burrit. Ato doreza do t’ia ngrohnin doçkat e bebës së vogël. I mbaja në arkë si gjënë më të shtrenjtë dhe sa herë e hapja kapakun e saj, i merrja në dorë, i prqafoja si ta kisha në dorë beben me doreza.

Por fati ynë qe i keq. Perëndia nuk na gëzoi me fëmijë. Kaluan vite e vite, ato u renditën si rruazat në pe dhe ne me plakun i mbushëm dhe i kaluam të shtatëdhjetat. Një ditë i mora, i lava nga pluhuri i kohës dhe i vura të thaheshin në tel. Kur më në fund më ra në sy se dorezat nuk janë. Nuk u brengosa shumë. Thashë me vete më mirë t’i bartë dikush se sa të shqyhen duke ndenjur mbyllur. Në fillim mendova se i ka marrë ndonjë nënë më fëmijë. Por, kur mendova më thellë, u binda se nënat nuk e bëjnë këtë punë, nuk ua vënë në trup fëmijëve gjënë e vjedhur. Ato mund ta lypin si burrëresha, por kurrsesi ta vjedhin.

Më në fund e mora vesh se i kish marrë langoi. E tradhëtoi vetvetja dhe kish thënë se ia kishte dhënë hua lepurushit dhe ai s’ia kishte kthyer e nuk e përmendi se vetë i kish marrë nga teli. More, ju pastë gjyshja, u bë keq që u thye besa, këtë s’e bëjnë burrat dhe burrëreshat, por ajo që u bë, u bë. Edhe në të keqe ka diçka të mirë. Gjëja e vjedhur, më thoshte gjyshja ime, është e bekuar për ta vjedhuar për së dyti. Lepuri le ta marrë dënimin për besën thyer, por jo të shfaroset nga faqja e dheut. Hallall i qofshin dorezat e mia!

I fundit në foltore doli gjyshi. Foli me autoritetin e moshës dhe të urtësisë dhe tha:
– Keni vëmendje dhe më dëgjoni. Unë gjyshi dhe kjo fisnike pranë meje (e kishte fjalën për gjyshen) i mbushëm të shtatëdhjetat. Rreth nesh mblidhen fëmijët e lagjes që i kemi si nipërit dhe mbesat tona. Presin t’u tregojmë përrallëza. Mendoni çfarë do të ishte përrallëza pa lepur! Fare e varfër…

Gjyqi përfundoi, lepuri shpëtoi nga shfarosja, por u dënua për besën e thyer. Langoi e ndjek amshueshëm për t’ia marrë dorezat dhe për ta vënë besën në vend. Edhe kur e zë ndonjëherë nuk i bën përshtypje mishi i tij i shijshëm që e ka lakmi edhe mbreti, por dorezat që u shkrinë në duartë e tij. Sytë i mbesin në ato dhe pika që s’i bije.

Më Shumë

Lajmet e Fundit