2.8 C
Prizren
E enjte, 21 Nëntor, 2024

“Letërsia shqipe” (1955): Teksti studimor i albanologut Stuart Edward Mann

Përgatiti: Andreas Dushi

 

Në këtë paraqitje, të së parës skicë të letërsisë shqipe në anglisht për publikun, më duhet të kërkoj falje për mangësitë. Faktet rreth jetëve dhe veprave të shkrimtarëve shqiptarë janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zbuluar dhe verifikuar, ndërsa disa shkrimtarë nuk janë vlerësuar siç duhet, për shkak të mungesës së informacionit për to. Pavarësisht, mendoj se vepra e tanishme jep një pamje të drejtpeshuar dhe të arsyeshme të letërsisë shqipe si e tërë dhe atyre që kanë ndihmuar në përpilimin e saj u detyrohem falenderimin tim të sinqertë.

Lexuesit që duan të njohin diçka më shumë rreth gjuhës shqipe t’i referohen times “Gramatikë të shkurtër shqipe”, Londër, 1932 që përmban një përmbledhje dhe një fjalor dhe timit “Fjalor historik të shqipes dhe anglishtes”, 1948, botuar nga The British Council.

Përkthimet e poezive janë thuajse tekstuale: rima dhe të tjerë efekte janë përftuar nga rivendojsa e fjalëve.

***

Me këtë parathënie çelet libri Albanian Literature i albanologut anglez Stuart Edward Mann. Ndër temat themelore të studimeve të tij janë indo-europeanistika si dhe gjuha dhe letërsia shqipe e çeke. Libri për të cilin po shkruajmë sot, paraqet një rëndësi të veçantë pasi, sikurse thuhet edhe në parathënie, është i pari i kësaj natyre në gjuhën angleze si dhe, mënyra e trajtimit të të dhënave është e veçantë. Për shembull, kur flet për gjuhën shqipe në Shënime hyrëse për gjuhën shqipe ndër të tjera thotë Shqipja është pasardhësja moderne e dy gjuhëve të lashta: ilirishtes (e quajtur tani Geg) dhe epiriotes (e quajtur tani Tosk). Asnjë monumet letrar i këtyre gjuhëve nuk ka mbijetuar.

Libri ndahet në XVI kapituj e në fund, indeksi i emrave, aktivistëve, shoqërive dhe periodikëve. Në kapitullin e parë flitet për traditën katolike në Shqipërinë e veriut duke u ndalur tek Matrënga e më tej, vijohet me Shekullin XVIII, Tradita biblike, Poetët e shkullit XIX në Itali dhe Siçili, Lidhja e Prizrenit dhe të mërguarit toskë, Shkrimtarët e rilindjes, Shqiptarët e Egjiptit, Shoqëria shqiptare e shtypshkrimit në Sofie, Shkrimarët e vonë të Shkollës së Bukureshtit, Shkolla e Shkodrës, Drama, Romani, Esseja dhe kritika letrare, Historianët, Gjuhëtarët bashkë me folkloristët dhe përkthyesit si dhe, Tendencat moderne.

Studimi i tij fillon qysh nga lashtësia, me dëshminë e parë të ekzistencës së shqipes, referuar fratit domenikan padër Brocardus i cili, në një pamflet të 1332 për të fituar mbështetje për kryqëzatat shkruan mes të tjerash “ndonëse shqiptarët kanë një gjuhë tjetër prej asaj latine, ato përdorin gërma latine në të gjithë librat e tyre” Sipas Mann-it, kjo është dëshmia e parë e ekzistencës së një letërsie shqipe.

Praktikisht, faktet e trajtuara prej tij janë të njohura. Ai përmend Pal Engjëllin (Paulus Angelus), fjalorin e von Harffit, Mesharin e Buzukut e mandej Budin, Mazrrekun, Bardhin, Bogdanin si dhe Matrëngën, edhe në një rafsh komperativ gjuhësor e leksikor.

Edhe për shkrimtarët arbëresh, Mann-i shkruan gjerë e gjatë. Jeronim de Radën e quan pionier të rilindjes së shekullit XIX; për Santorin shkruan i paedukuar, ai hyri në manastir 16 vjeç dhe kryesisht me përpjekje individuale e mësoi veten të shkruante dhe lexonte poezi në shqip; për Dhimitër Kamardën një poet i talentuar në shqip dhe greqisht, ai u përpoq të niste një gjuhë letrare shqipe… me përkthimin e veprës së një patriotjeje bashkëkohëse Helena Gjika (“Dora d’Istria”) në shqip, i dha formë këtij ideali; për Seremben se kishte diçka nga temperamnti i Lord Bajronit e të tjera, për të tjerët.

Lidhjen e Prizrenit, Mann-i e sheh si herën e parë kur veriorët dhe jugorët u zgjuan përballë arsyes së çështjes së bashkimit. Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj periudhe, përmend Jani Vetron, Pashko Vasën e të tjerë, ndërsa nga periodikët, Dritën apo Diturinë.

Edhe te shkrimtarët e rilindjes, studiuesi ndalet gjatë, veçanërisht në tiparet e letërsisë së tyre, si përshembull panteizmi i Naimit apo fakte nga pëqasjet patriotike që ato treguan, si rasti i dialogut mes Pashko Vasës dhe sulltanit të kohës:

nga TaboolaRekomanduarMund t’ju interesojnë
Nuk do ta besoni kush i shkakton rrudhat, flet dermatologia me shumë vite eksperiencë
Iuvenis
Do You Speak English? Earning Money Online Might Pay More Than You Think
Earn Money Online | Search
Iconic women and how they changed in movies
L&C Magazine
Kur Abdyl Hamidi i ofroi qeverisjen e Kosovës, një rajon që atëherë ishte pjesë e Shqipërisë dhe në revoltë të hapur kundër Portës së Madhe, Pashko Vasa thuhet t’i jetë përgjigjur: “Nëse Madhëria Juaj më detyron ta marr këtë post, do të më detyroni të kryej një trathti. Ose do të trathtoj Perandorinë Osmane, ose vendin tim. Sulltani e bëri atë Qeveritar të Libanit.

Thimi Mitkon, Spiro Dinen, Shtjefën Zuranin, J. P. Vruhon si dhe Çajupin i përfshin nën Shqiptarët e Egjiptit, jo për hir të elementëve letrarë përbashkeus, por atyre socio – historikë.

Personaliteti i Mid’hat Frashërit është ai për të cilin shkruhet më shumë nga Mann-i, duke e ndarë pjesën e kushtuar tij në dy, vepra dhe filozofia. Për veprën e tij është shkruar shumë, ndaj edhe Mann-i sjell fakte që janë të njohura. Ndërsa kur flet për filozofinë, tërheqin vëmendjen disa aspekte interesante:

Humanizmi i gjerë, toleranca, puna konstruktiva dhe edukimi janë temat mbizotëruese në shkrimet e Mid’hat Frashërit.

Shoqëria e shtypit e Sofies, krijuar nga Mid’hat Frashëri, botoi “Valët e detit” të Spiro Dines, ribotoi disa nga krijimet e Shkollës së Bukureshtit dhe paraqiti të vetmen autore grua të kohës. Ajo është Lulo Malësori, një toske, përmbledhja me poezi e së cilës [është] “Lotë dashurije”. Poezia e saj “Buka e e Mallkuar” është një version moralizues i origjinalit nga Mopassan…

Për Shkrimtarët e vonë të Shkollës së Bukureshtit, trajtohet me rëndësi të veçantë Aleksandër S. Drenova, Gjergj Bubani, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Pra përfshihen të gjithë ata shkrimtarë që studiuan në Rumani dhe në krijimtarinë e të cilëve shihen ndikime të shkrimtarve bashkëkohorë rumunë.

Rëndësia më e madhe i kushtohet Shkollës së Shkodrës. Ky kapitull fillon me një përshkrim të kontekstit hitoriko – kulturor:

Regjimi turk ishte tolerant përballë shkollave dhe seminareve të Shkodrës katolike deri në një shkallë befasuese. Duke vazhduar punën misionare të Propaganda Fides që daton qysh në Mesjetë, françeskanët dhe jezuitët e Shkodrës mësuan fenë e tyre në gjuhën e Shqipërisë veriore, një dialekt që dallon në shumë mënyrë nga ai i jugut. Mënyrat e tyre ishin të paqta dhe jopolitike. Të atilla shkrime që e gjetën rrugën e tyre drejt shtypit u bënë në Itali ose në shtypin lokal dhe ishin kryesisht të bazuar në origjinalin italisht dhe latinisht. Disa nga autorët ishin vetë misionarë italianë që kishin mësuar shqip.

Mes tyre, përmend Vicenzo Basile, autor i librit “Rruga e Parrizit” botuar në Romë më 1845 ku ritregohet historia e fluturimit të mrekullueshëm të Zojës së Shkodrës drejt Genazzanos në 1566, Giuseppe Gualgita, autor i versionit shqip të Doktrinës së Krishterë, botuar po atë vit e në po atë vend, Dari Buciarelli i cili shkroi Udha e Shejtës Kryq, botuar në Romë më 1862.

Më gjatë ndalet te Leonardo de Martino, duke treguar jetën dhe veprën e tij deri në detaje biografike e bibliografike. Pastaj vijon me Zef Jubanin, Ndue Bytyqin, Filip Shirokën nga i cili përkthen në anglisht dhe poezinë “Nji lules së vyshkun”. Mandej trajton Anton M. Xanonin, si një njohës të kulturës greke e latine si dhe të letërsisë së vjetër shqipe, veçanërisht veprave të Budit e Bogdanit. Përkthen edhe nga ai, një nga poezitë që përbëjnë librin Lexime për Klasat Fillore, Filxhani i Kafesë. Pasi shkruan për Mjedën, zëri për të cilin më shumë shkruan është Gjergj Fishta. Ai përkthen edhe një pjesë të Lahutës, nga kënga Lidhja e Prizrendit

THE PRIZREND LEAGUE

This, our Motherland Albania
Came to us from God himself,
Not as a gift from the Italian,
Nor as booty from the Frenchman,
Nor the Briton, nor the Teuton,
Let alone the Slavic neighbour,
Who but yesterday broke in.
Who knows where he’ll break his neck?
Like the dashing grasshopper –
Here to-day and gone to-morrow.
As for the Sultan of Stambul
Who to Montenegro’s king
Offers Plava and Gusinja,
Scutari, the Northern Highlands;
Go and tell him that Albania
Is not a basketful of figs
Just to be handed to one’s friends,
But is the homeland of our fathers,
Motherland of Skanderbey,
Motherland of Mois Golemi,
And of Leka Dukagjini…

Ai thotë për Fishtën se si poet lirik, ishte i ndikuar nga poetët sllav Ondrej Kacic dhe A. G. Martinic. Ndërsa, kur shkruan për Anzat e Parrnasit ndalet në disa poezi, titujt e të cilave edhe i përkthen: Of St. Nicholas and the Devil in St. John apo Tale of the Wolf, një baladë sipas stilit të poetit gjerman Wilhelm Busch.

I përmend thuajse të gjitha veprat e tij, si dhe pikëpamjet kulturore, politike e letrare që përfaqësohen nga personaliteti i Fishtës, edhe në revistën Hylli i Dritës, trajtimi i së cilës është tejet serioz.

Të tjerë shkrimtarë të Shkollës së Shkodrës që përmenden janë Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vinçens Prennushi si dhe Ernest Koliqi. Për secilin syresh tregon edhe përqasjet politike, përtej rrymave letrare që ndoqën në krijimtarinë e tyre.

Te kapitulli që i kushtohet dramës, Mann-i trajton Floqin me detaje dhe përmend Kol Thaçin, Mehdi Frashërin e Et’hem Haxhiademin. Ndërsa, te drama shqipe me motive patriotike, përmend vetëm si fakt ekzistencën e Tito Toskës, Namik Selim Delvinës, Stefan Shundit, Nezi Beratit, Haki Stërmillit, Milo Duçit dhe të Don Ndre Zadejës.

Si lëvrues të romanit, pak e përhapur deri atëherë, Mann-i flet për Mihan Gramenon, Zef Harapin, A. Gurrën, Foqion Postolin, Mehdi Frashërin, Anton Frashërin, Llambi Dardhën, Migjenin dhe Musine Kokalarin. Ndërsa te tregimet e shkurtra, Teto Petron, Athanas Frashërin, Justin Rrotën, Kolë Mirditën, Vedat Kokonën e Andre Skanjetin. Sigurisht, edhe Koliqin që trajtohet në kapitullin e Shkollës së Shkodrës.

Esseja dhe Kritika letrare, pasi trajtohen problematikat dhe arsyet pse nuk u lëvruan në plotninë e tyre, shihen të përfaqësuara nga Nesti Kulluri, padër Shtjefën Gjeçovi, Faik Konitsa, Terenc Toçi, Lazër Shantoja, Milto Gurra, Llambi Efthimiadhi, Josif Haxhimima dhe “Chri – Chri”. Për kritikën, Mann-i paraqet kontributin e dhënë nga Petrotta, Rrota, Koliqi, Çabej, Kuteli, Resuli, Muzaka, F. Fishta, Zef Schiroi i ri, Pashko Gjeçi dhe Zaveri.

Historia, vëren Mann-i, është trajtuar nga Ndoc Nikaj, Gjeçovi, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani, Ilo Qafëzezi dhe Mati Logoreci. Si gjuhëtarë, Kristoforidhin, Bernard Bilotën, Aleksandër Xhuvanin dhe Ndue Palucën. Si folkloristë, rëndësinë më të madhe e ka Don Aleksandër Sirdanin. Ndërsa si përkthyes, janë disa nga personalitetet e përmendur edhe si shkrimtarë, Fan Noli, Koliqi, Shiroka, Floqi, si dhe përkthyesit e njohur Karl Gurakuqi, Skënder Luarasi, Dhori Koti, Tajar Zavalani e të tjerë.

Me interes është edhe kapitulli, i shkurtër, për tendencat moderne:

Lëvizja partizane që origjinën e ka në Shqipërinë e jugut në ‘43 – ‘44 dhe ngritja e komunizmit që e ndoqi, frymëzuan një tendencë të re në letërsinë shqipe, që e propagandon veten si derviat i sovietikes. Një shkrimtar drejtues i stilit të ri është Shefqet Musaraj. Të tjerë që permend janë Aleks Çaçi, Mark Ndoja, Kristo Papajani, Dhimitër Shuteriqi, Veli Islami e ndonjë tjetër … /Gazeta “ExLibris”/

Më Shumë

Lajmet e Fundit