(E plotësuare) Kryeministri Albin Kurti nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.
Kryeministri Kurti tha se ky mëngjes nuk ka pasur si të nis më mbarë, se sa me zgjerimin dhe të drejtën e mundësive për qytetarët tanë.
“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti
Ky është grupi i parë i qytetarëve që udhëtojnë pa viza për fituesit e kuizit të Bashkimit Evropian, që është organizuar në kuadër fushatës informuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave.
—
Kosova i bashkohet të gjitha vendeve që udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian. Nga sot qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza, duke shmangur kështu pritjet e gjata para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.
Në ditën e parë pa viza, Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti do të qëndrojnë në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, për t’i përshëndetur qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza. Së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kurti do të do të mbajnë konferencë për media.