Më 23 dhe 24 qershor do të zhvillohet samiti BE – Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Bruksel.
Ndonëse ishte paralajmëruar që në këtë samit do të diskutohet edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, një gjë e tillë nuk është përfshirë në agjendën e publikuar nga Këshilli Evropian, shkruan teve1.info
Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të KE-së, bëhet e ditur se në këtë samit do të diskutohet për zgjerimin e Evropës, aplikimet për anëtarësim në BE nga Ukraina, Republika e Moldavisë dhe Gjeorgjisë, çështjet ekonomike, Konferenca për të Ardhmen e Evropës dhe marrëdhëniet e jashtme.
Në ftesën e dërguar anëtarëve të Këshillit Evropian, presidenti i KE-së Charles Michel ka thënë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në dhe BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Ai ka bërë të ditur se me liderët e Ballkanit Pernëdimor do të takohet më 23 qershor, duke filluar nga ora 09:30.
“Prandaj, ne duhet të ri-energjizojmë procesin e zgjerimit dhe ta çojmë përpara integrimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne do t’i takojmë ata përpara ceremonisë sonë së Këshillit Evropian…ne do të takohemi të enjten e 23 qershorit në orën 9:30 me liderët e Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë më pas me mbledhjen tonë të Këshillit Evropian, i cili do të fillojë në orën 15:00 me tonën shkëmbim tradicional i pikëpamjeve me presidentin e Parlamentit Evropian”, thuhet në letrën e dërguar nga Michel, drejtuar anëtarëve të KE-së.
Para pesë ditësh, Franca si njëri nga vendet skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka dhënë sinjale që kjo çështje do të jetë në agjendën e 23 qershorit në Samitin e Ballkanit Perëndimor.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.
Megjithatë, siç është përmendur edhe më parë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mund të futet në rend dite, ndonëse nuk është përfshirë në agjendë. /Teve1.info/