Mosplotësimi i kritereve të vëna për liberalizmin e vizave, fundi i mandatit të Parlamentit Europian aktual si dhe numri i madh i azilkërkuesve në Europë , sipas analistëve dhe përfaqësuesve politik, po shkaktojnë pengesa që Kosova të marrë ndonjë rezultat pozitiv sivjet në procesin e liberalizimit të vizave, shkruan sot gazeta Kosova Sot.
Megjithatë, Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje maksimale për plotësimin e të gjitha kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke bërë, maksimumin, për t`i përmbushur rekomandimet dhe obligimet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave për Kosovën”.
Në anën tjetër anëtarja e Komisionit për Integrimeve Europiane, Vjosa Osmani, thotë se procesi i liberalizimit të vizave do të jetë shumë më i gjatë, pasi sipas saj, Qeveria aktuale fletë diçka tjetër në raport me atë që vepron.
“Problemi nuk qëndron tek përbërja e Parlamentit Europian, por tek përbërja e tanishme e Qeverisë së Kosovës, e cila, siç u konfirmua disa herë nuk po i plotëson kriteret për liberalizim. Besoj që kurdo të plotësohen këto kritere, do të ketë qëndrim pozitiv rreth çështjes së vizave për Kosovën.
Ndërsa analisti Fisnik Korenica, nga Instituti për Studime Juridike, nuk pret një votim të hershëm Parlamentit Europian pasi sipas tij, mandati i tij përfundon brenda tre muajve .
“Procesi për vlerësimin e performancës së Kosovës në zbatimin e udhërrëfyesit për vizat do të zgjasë përtej mandatit aktual të Parlamentit Europian, gjë që e bënë praktikisht të padukshme mundësi të hershme të një votimi pro të Parlamentit Europian në këtë përbërje aktuale, meqë ky mandati i parlamentit përfundon brena tre muajsh”.
Analsiti tjetër politik, Blerim Burjani si pengesë të madhe në procesin e liberalizimit të vizave e sheh numrin e madh të azilkërkuesve kosovarë.
“Numri i madh i azilantëve nga Kosova, që po qarkullon drejtë vendeve të BE`së, do të bëjë që shumë nga ato vende të mbajnë qëndrim të ngurtë karshi liberalizimit të vizave për Kosovarët, sado që një fenomen i tillë është I pranishëm në BE edhe disa nga shtetet tjera të Ballkanit”.