Thatësira që zgjati me javë të tëra në Kosovë dhe rajon ka bërë që Liqeni i Vërmicës të thahet dhe në shtratin e tij të kullosin bagëtitë. Pos kësaj, tharja e këtij liqeni ka vënë në vështirësi edhe bizneset që u ndërtuan buzë liqenit artificial, të krijuar nga diga e Hidrocentralit të Fierzës.
Në vend të ujit, Liqeni i Vërmicës është shndërruar në një shesh të gjelbër, ku kullosin bagëtitë. Në gjithë shtratin e liqenit mund të dallosh lehtë Doganën e vjetër, rrugën e kamotshme të Vërmicës dhe pjesë të tjera të relikteve të regjimit asaj kohe.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Pas fundviteve të 70-ta, me përmbytjen e kësaj zone nga diga e Hidrocentralit të Fierzës, këtu u ngritën shumë biznese që u shërbyen turistëve në të gjitha stinët.
“Këtu vijmë kogja një kohë të gjatë, e vizitojmë këtë vend, na pëlqen, ka qenë më parë pak me ujë, edhe në atë kohë kemi qenë, kur mos gaboj edhe ai bazeni i vogël ka qenë nja 20-30 cm i mbushur, edhe atëherë kemi qenë, edhe atëherë ka qenë mirë,” tha për RTK-në Shemsi Suka, vizitor.
Sipas banorëve të zonës dhe pronarëve të bizneseve, mungesa e ujit ka zbehur paksa kreativitetin që jepte ky peizazh.
“Ka reflektime, përveç si ambjent edhe si klimë që jepte liqeni, si pasuri, si florë e faunë që ndërlidhet me ta, por edhe në biznes, pronarët e bizneseve ankohen, sepse u ka krijuar një lloj krize,” tha Bedri Hoxha, banor i zonës.
“Puna e liqenit, pamja e Pashtrikut, gjithçka ka ndikuar pastaj, bukuria vetë ka fol, por tash herë pas here thahet edhe s’kemi çka bëjmë, është punë e zotit, por pak edhe e hidrocentralit. Normalisht kur ka ujë kemi më shumë mysafirë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia,” tha Liridon Arifaj, afarist.
Në pjesën tjetër të kufirit, në verilindje të Shqipërisë, Liqeni i Fierzës, me kapacitet mbi 3 miliardë metër kub ujë, po shënon gjithashtu shifra alarmante të rënies së nivelit të ujit. Zyrtarët atje njoftojnë se nga kuota maksimale prej 296 metrash, sot niveli i ujit është vetëm 270 metra. Diferenca 26 metra nuk është thjesht statistikë; ajo nënkupton brigje të thata dhe fshatra që ndjejnë mungesën e ujit edhe për ujitje.
Ndërkohë, teksa Kosova dhe Shqipëria presin reshjet e vjeshtës që po vjen, relievi i ri i liqenit po zbulon kujtime të mbytura prej dekadash: gurë kufiri, rrugë të harruara, ndërtesa të vogla që koha kishte besuar se do të mbeteshin përgjithmonë nën ujë, por që mund të kthehen në atraksion turistik, për të kujtuar kohën e dhimbshme të ndarjes dhe takimet e fshehta që bënin fiset e lidhjeve të gjakut në dy anët e kufirit.
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren