22.5 C
Prizren
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Lirohet me kusht Lavdërim Tufa, u dënua për “Masakrën e Kartodromit”

Gjykata e Tiranës ka liruar me kusht Lavdërim Tufën, i dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës apo i njohur ndryshe si ‘Miri i Xhikes’. I arrestuar në vitin 2004, Tufa përfundimisht u dënua me 20 vite burg për vrasjen te Kartodromi. Pas disa procesesh gjyqësore, në shkurt të vitit 2013 Tufa u dënua me 20 vjet burg, pasi më parë ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Pasi ka shlyer pjesën më të madhe të dënimit, i akuzuari për tri vrasje dhe një plagosje i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për lirim para kohe me kusht.

Kjo çështje u gjykua nga gjyqtarja Enkeleda Hajro, e cila pasi mori miratimin e prokurorit, përfaqësuesve të burgut ku vuan dënimin Tufa dhe raportit për dinamikën e vuajtjes së dënimit, pranoi kërkesën e tij për ta liruar para kohe me kusht. Në fund të muajit mars, Hajro vendosi të pranojë kërkesën e Tufës duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm.

“Gjykata vendosi pranimin e kërkesës, lirimin me kusht të të dënuarit Lavdërim Tufa, 39 vjeç, dënuar me vendimin nr. 540, datë 13 shkurt 2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë. Urdhëroj pezullimin e pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit prej 1 vit, 8 muaj e 10 ditë burgim, për një kohë provë prej 4 vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe i dënuari të mos kryejë vepër tjetër penale”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas vendimit, i dënuari Lavdërim Tufa detyrohet që gjatë kohës së provës të ushtrojë veprimtarinë profesionale, si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës. “Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dënuarit Lavdërim Tufa nga IEVP Fier, në qoftë se nuk mbahet i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të gjykatës, Tufa akuzohej për vrasje në rrethana të tjera cilësuese në dëm të shtetasve Fatmir Rama, Julian Durishti, Kristaq Cani dhe ka plagosur shtetasin Fatmir Rrapaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2004 në periferi të Tiranës. Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2006 e deklaroi Lavdërim Tufën fajtor për akuzën e vrasjes së trefishtë dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Apeli i Krimeve të Rënda në vitin 2007 vendosi ta lërë në fuqi këtë vendim.

Gjykata e Lartë në shkurt të vitit 2009 prishi vendimin dhe e delegoi çështjen sërish në Apelin e Krimeve të Rënda. Apeli i Krimeve të Rënda në muajin maj 2009 vendosi të prishë vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm dhe dërgoi çështjen në Gjykatën e Rrethit Tiranë, si gjykatë kompetente për shqyrtimin e kësaj akuze.

Prokuroria i bëri rekurs këtij vendimi, por Gjykata e Lartë në shtator 2009 vendosi të mos e pranojë kërkesën. Më pas, çështja kaloi në Gjykatën e Tiranës, e cila kreu një hetim të ri gjyqësor dhe në përfundim e dënoi të pandehurin Lavdërim Tufa me 20 vjet burg.

Më Shumë

Kastrati: Hartimi i përbashkët i buxhetit është llogaridhënie dhe transparencë

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka vlerësuar se përfshirja e qytetarëve në hartimin e buxhetit është thelbësore për forcimin e qeverisjes lokale,...

Punimet rrugore në Rahovec zhvendosen gjatë natës për shkak të temperaturave të larta

Për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë gjatë ditës, Komuna e Rahovecit ka marrë vendim që punimet infrastrukturore në rrugë të zhvillohen...

Lajmet e Fundit