25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Loja e turpshme me kufomat

Më shumë se një dekadë e gjysmë Serbia po vazhdon obstruksionet me kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë luftës në Kosovë, të cilat i barti dhe i groposi edhe në territorin e saj për t’i fshehur gjurmët e krimit.

Nuk ka ndonjë të dhënë bindëse se dikush nga zyrtarët e Beogradit dhe policët që zhvendosën me qindra trupa shqiptarësh të vrarë nga Kosova në Serbi dhe i fshehën ata në varre masive, të janë ndjekur penalisht në vendin e tyre.

Në anën tjetër, dihet se Serbia tregoi vendndodhjen e varrezave masive të shqiptarëve vetëm kur u gjet para ndonjë presioni më serioz të faktorit ndërkombëtar, ose kur iu nevojit përfitimi i ndonjë favori nga bashkësia ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, është njëri nga zyrtarët e Kosovës që tash e sa vite ballafaqohet me problemin e kosovarëve të zhdukur gjatë luftës që konsiderohet një nga plagët më të rënda të shumë familjeve kosovare, që ende nuk dinë se ku gjenden eshtrat e familjarëve të tyre.

Ai njëkohësish ballafaqohet edhe me obstruksionin e vazhdueshëm të autoriteteve të Serbisë që po vazhdojnë të luajnë lojën e turpshme me kufomat.

Përgjegjësinë për gërmime dhe planifikimin e tyre e ka EULEX-i

Në një intervistë për KosovaLive, Gjetaj ka theksuar se viti 2015 nuk ka qenë shumë vit i suksesshëm sa i përket punimeve dhe gërmimeve vlerësuese, as në lokacionet e dyshuara në Kosovë dhe as në ato në Serbi, për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

Gjatë intervistës Gjetaj ka nënvizuar se përgjegjësinë për gërmime dhe planifikimin e tyre e ka EULEX-i për të cilin thotë se nuk ka qenë shumë aktiv ta shfrytëzojë periudhën e përshtatshme për punën e gërmimeve. Ndërkaq, Serbia ka dëshmuar sa e sa herë se jep leje për fillim të gërmimeve në sezonin kur pritet përkeqësim i kushteve atmosferike.

Rivarrimi i te pagjeturve

“Ky vit s’mund të themi sa ka qenë shumë vit i frytshëm sa i përket gërmimeve vlerësuese duke filluar nga pesëmujorëshi i parë i vitit ku nuk ka pasur shumë aktivitete. Përgjegjësinë për gërmime dhe planifikimin e tyre e mban EULEX-i, i cili nuk ka qenë shumë aktiv ta shfrytëzojë këtë periudhë që ka qenë e përshtatshme për punë”, thotë Gjetaj.

Ai përmend edhe disa pengesa procedurale rreth përzgjedhjes së kompanisë dhe shton se u humbën plot dy muaj dhe aktivitetet kanë nisur diku në muajin korrik për t’u ndërprerë pas pak kohe.

“Këtë vit janë dorëzuar 64 mbetje mortore, 58 kanë qenë raste të reja, kurse 6 prej tyre ribashkime, pjesë kockore që janë përputhë në bazë të analizës së ADN-së me ato të mëparshmet.

Deri më tani në Kosovë janë zhvilluar gërmime në 16 lokacione por jo në të gjitha ka pas gjetje. Ka ndodhur të gërmohet në 6 lokacione dhe është gjetur vetëm nga një trup. Ndërkohë në Serbi ka pasur gërmime në dy lokacione, në Kozarevë në muajin prill dhe në muajin gusht.

Puna në këtë lokacion nuk ka mbaruar për ne, sepse në mënyrë të njëanshme janë ndërprerë gërmimet me arsyetimet se nuk ka një urdhëresë gjyqësore nga Serbia për më tutje si dhe mungesa e mjeteve financiare për t’u bërë një kanal 10 metra në një thellësi deri të vërtetohet se nuk ka shtresime të hedhura”, thekson Gjetaj.

Ende mbahen të evidencuar rreth 1.670 persona të zhdukur

Gjetaj është i vetëdijshëm se kanë kaluar gati 17 vite dhe ankthi e shpresa vazhdon të jetë pjesë e pandarë e shumë familjeve kosovare që ende nuk dinë për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur gjatë luftës.

Ai gjithashtu është i vetëdijshëm se me kalimin e kohës është edhe më e vështirë zbardhja e fatit të tyre, sepse informacionet për vendndodhjen e personave të zhdukur nuk jepen të të plota, gjurmët humbin, kujtesa zbehet e kjo i shqetëson shumë familjarët e të pagjeturve.

“Deri më tani kanë qenë të evidencuar rreth 1.650 persona të zhdukur, mirëpo me paraqitjen e rasteve të reja ky numër ka arritur në 1.670 e që është shifër shqetësuese që na detyron të punojmë shumë më tepër në drejtim të zbardhjes së fatit të tyre dhe realizimin e një të drejte themelore të familjarëve për të ditur për të fatin e të afërmve të tyre”, thekson ai.

Gjetaj thotë se asnjë aktivitet i planifikuar për gërmime vlerësuese nuk është ndërprerë për mjete financiare, pasi sipas tij, Komisioni e ka buxhetin i cili është i dedikuar për të mbështetur aktivitetet e caktuara. Ai përmend neglizhencën që është e pranishme te ata që planifikojnë gërmimet vlerësuese, që është kompetencë e EULEX-it.

“Ka lokacione në pjesën veriore të Kosovës, Mitrovicë e Zubin Potok, që me vite të tëra janë të dyshuara, por EULEX-i thotë se nuk ka siguri, ndërsa në anën tjetër KFOR-i na ka thënë se vetëm na tregoni neve ku planifikoni të keni gërmime dhe do të ju mbështesim për çështjen e sigurisë”, shton Gjetaj.

Ai thotë se adresa kryesore për vendndodhjen e trupave të shqiptarëve të varrë është shteti serb, i cili për disa vite me radhë po e neglizhon këtë proces me arsyetime të ndryshme.

Në mungesë të transparencës flitet edhe për djegje të kufomave në furrnaltat e Obiliqit, Trepçës, Ferronikelit, madje edhe në disa sosh në Serbi, siç është shkritorja e Borit.

Politika po e mban peng çështjen e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur

Gjetaj thekson se Komisioni Qeveritar disa herë ka kërkuar që çështja e të pagjeturve të hapet si temë edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, por siç thotë ai, ka qenë politika ajo që e ka neglizhuar kërkesën dhe është politika ajo që po e mban peng çështjen e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të hapen arkivat dhe të ketë një presion ndaj atyre që kanë pasur përgjegjësinë komanduese në hierarkinë ushtarake dhe policore por edhe administrative, sepse janë mbajtur evidenca, të dhëna, shënime për lëvizjet madje kanë mbajtur evidenca dhe për kafshët e ngordhura e lëre më njerëzit e vrarë”, thotë Gjetaj.

Në fund Gjetaj thotë se Komisioni qeveritar si udhëheqës i procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me partnerët tjerë që janë të involvuar në këtë proces do të përpiqet që në vitin 2016 t’i dinamizojë dhe intensifikojë aktivitetet që së paku lokacionet që dyshohen për varreza masive ose individuale të hulumtohen. /KosovaLive

Më Shumë

Propozimi i PDK-së për zgjedhje: 30 qershori ose 7 korriku

Mbrëmë janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera u diskutua...

Ballkani shkruan historinë, e fiton tri herë rresht titullin

Ballkani është shpallur kampion për herë të tretë rresht në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi i Ilir Dajës e ka mposhtur Llapin në “Zahir...

Lajmet e Fundit