3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

“Loja Shembja. E qiellit ” dhe Absurdi Postdiktaturë

Bashkim-shehu-320x212Ka histori që të gumëzhijnë në kokë për muaj e muaj të tërë dhe sado të mundohesh t’i shpjegosh, kuptimi i tyre do të jetë gjysmak. E tillë ishte për mua vetëdjegia e paralajmëruar e Lirak Bejkos thuajse një vit më parë në shenjë proteste, si një njeri i zemëruar dhe i fyer e që nuk e mori shpagimin për vitet e burgut. Derisa lexon një roman si ai i Bashkim Shehut për t’u dhënë gjërave një domethënie!

Prezantimi i romanit “Loja Shembja e Qiellit” në Berat pak ditë më parë ku isha e pranishme, më shtyu të rilexoja veprën e Bashkim Shehut i cili rikthehej pas shumë kohësh në qytetin në rrethinat e të cilit kish qenë i internuar para viteve 90-të. ku Kur e rilexova romanin ndjeva keqardhje! Atë keqardhje që ndjej sa herë përballem me histori të së kaluarës së afërt komuniste. Por edhe një sëmbim në zemër, për dhjetra, qindra, mijëra Aleks Krasta, (personazhi kryesor i këtij libri,) të cilët kërkuan shpagim dhe për dreq nuk e morrën, edhe sot e kësaj dite nuk e kanë marrë, ashtu si Lirak Bejko. Në fakt termi i duhur për mua do të ishte hakmarrje, një fjalë që vetë autori në asnjë rresht nuk ka kandisur ta shkruajë.

Shpagimi apo hakmarrja, dhe këtu sidoqoftë e kam të vështirë të vë një vizë ndarëse, është thirrja më normale për dikë si Aleks Krasta që padrejtësisht ka kaluar kalvarin e internimit dhe burgosjes. Pesëmbëdhjetë vite prapa hekurave për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes. Por akoma më e padrejtë burgosja e mikut të tij, priftit françeskan Shtjefën Lazri i dënuar dy herë ngase ka një dhe vetëm një faj. Është njeri i Zotit.

Ky roman nuk ka ngjyra, përshkohet fund e krye nga një konstante e grisë së errët që hera-herës merr nuanca të zeza përmes jetës së tri personazheve që puqen mes tyre në kohë dhe rrethana të ndryshme, gjatë dhe pas diktaturës. Ama ka një humanizëm të thellë, që shpërfaqet në çdo faqe të romanit. Them humanizëm sepse Aleksi nuk kërkon shpagim per veten, por për mikun e tij të burgut, Fra Shtjefnin.

Në më shumë se një rast Bashkim Shehu e ka përmendur faktin se romani
nuk është autobiografik, edhe pse në faqet e tij jeta e personazheve kryesorë ka elementë të ngjashëm me jetën e vet dhe të çdo ish të burgosuri politik. Spunton e ka marrë duke lexuar kujtimet e At Zef Pllumit “Rrno për me tregue” dhe personazhi i Patër Shtejfnit në roman detyrimisht të shpie tek ai.

I pëlqen ta quajë një vepër fiksion, ndonëse ngjarjet që tregohen nuk janë fantazi, as trillime, as shpifje, por veçse përshkrime që sot ngjanë sidoqoftë e çuditërisht të zbehta përballë asaj që ka ndodhur realisht në gati 50 vite ferri komunist dhe sidomos përndjekjet që i janë bërë klerit katolik. Bash ai ferr që e shtyu Patër Zef Pllumin të thoshte dikur se Ferri, ai i Dante Aligierit, ish shkruar enkas për ne shqiptarët.

Vdekja i barazon të gjitha thoshin latinët. “Varrezat janë burgu i të vdekurve, ashtu sikurse burgu është varreza e të gjallëve” shkruan në memuaristikën e tij të burgut Visar Zhiti një tjetër bashkëvuajtës. Ndërsa për Bashkim Shehun duket se Aleksi është një i pakallur në varrezën e të gjallëve. Ndoshta është kjo arsyeja që e detyron atë, që disa vite pasi është çliruar nga hekurat dhe pasi regjimi komunist është shembur, të trokasë në derën e shtëpisë së Luigj C., një ish hetues i përbindshëm në grahmat e fundit të jetës që kërkon të rrefehet. Po po, të rrefehet, pikërisht tek njeriu që e ka dënuar jo një, por dy herë, tek i njohuri i tij i hershëm Patër Shtjefni.

I ligur, i rrëgjuar nga mosha e nga sëmundja, me një çehre të zbehtë e me flokë të thinjur, Luigj C. nuk arrin të kuptoje se prifti që ka ardhur nuk është ai i njëmendti, porse një nga viktimat e tij të shumta i veshur me rrobën priftërore, zhgun dhe litar. Luigj C., në çastin e tij të mbramë kërkon të rrefehet, jo se e vret ndërgjegjja, por sepse druhet mos shkon në ferr. Në atë Ferr ku ai vetë, me duart e tij ka kallur me qindra viktima. I trembur nga vdekja dhe Ferri, i kapluar nga një sëmundje që i ka marrë shikimin dhe mjegulluar mendjen, Luigj C. nuk kupton se ka para syve jo Fra Shtjefnin, por një klon të viktimave e tij të shumta që edhe pse i shpëtoi makthit të burgut, nuk i ka shpëtuar pasojave të tij.

Diktatura prishi ekuilibrat, përçudnoi shtetin, shoqërinë, familjen, moralin, vete individin. Kjo diktaturë, jo vetëm pati përmasa të hatashme në Shqipërinë e vogël, por edhe një saktësi të pamëshirshme në përzgjedhjen e viktimave të saj. Të tillë janë njerëzit si Fra Shtjefni, apo qindra Aleksë anekënd vendit. E megjithatë këto viktima nuk kanë kryengritje hakmarrese, nuk duan revansh. Ata kërkojnë vetëm shpagim.

“Të bëhet drejtësi, e le të shembet qielli” shkruan Bashkim Shehu në roman.
Paçka se thellë-thelleë edhe vetë autori është i bindur se në këtë vend nuk ka drejtesi, ka vetëm një revoltë të heshtur, një Nuremberg personal, një lojë shpaguese që realizohet permes nje truku nga ato që vetem fiksioni letrar mund të t’i lejojë. Ky rrëfim që Aleksi kërkon t’i zhvasë Luigj C. është loja, është shpagimi, që ai mendon të kryejë, është drejtësia që kërkon të vërë në vend ndonëse miku i tij prift nuk do ta miratonte.

Në një nga esetë e tij “Në kështjellën e mjekërkaltrit”, kritiku letrar, romancieri dhe filozofi i njohur amerikan George Stainer, i cili gjithashtu është sjellë në shqip nga Bashkim Shehu shkruan se “Shpirtmadhësia e mefshtë e familjarizimit tonë me tmerrin përbën një humbje të skajshme për njerëzimin”. Ky postulat vlen, por jo për çdo vend e jo e për të gjitha kohërat.

Shpjegimin për familjarizimin shqiptar me tmerrin komunist unë nuk e gjej dot tek shpirtmadhësia e mefshtë e popullit tonë. Përgjigjen më të mirë e jep At Zef Pllumi përmes kujtimeve të tij, ato kujtime që kanë frymëzuar Shehun, kur pyet vedin zemërplasun: “si asht e mundun të çmendet krejt nji popull e të mos dalë kush me i thanë ndal”. Dhe përgjigjja i vjen natyrshëm. “Ky nuk ishte popull, por nji tufë e pashpjegueshme qeniesh të gjalla të pamend e të pavullnet. Ky ishte nji turp i madh.” E pra nëntë radhë ferri për shqiptarët, por edhe nëntë radhë turpi për të gjitha këto, edhe për atë persekutim të egër të klerit katolik, që gjen pasqyrim në romanin e Bashkim Shehut.

Dhe në fakt, ato që vërtet kanë ngjarë në një mijevjeçar tjetër, por vetëm 23 vjet më parë në Shqipëri, duket sikur nuk na përkasin më. I kemi rrafshuar pak nga pak si simbole të memories historike dhe ca nga ca po i fshijmë edhe nga kujtesa jonë. Dyert e hekurta, dhomat e hetuesive, torturave çelësat e rënde, zinxhiret, llozet, qelitë, kaushët, të gjitha këto janë shkatërruar ashtu si ekzistencat e njerëzve brenda tyre, të shkrumbuar në vite e vite jete të pakthyeshme.

Ky është një libër që të bën të reflektosh ndaj do duhej ta lexonte shumëkush. “Loja Shembja e Qiellit” bart në mënyrë të pashmangshme një dozë jo të vogël fataliteti, që ngërthen Alkeks Krasta si një i burgosur i diktaturës, por edhe për absurdin që përjeton në postdiktaturë. Ashtu si qindra ish të burgosur në ditet e para të lirisë ai nuk e gjen veten, përpiqet të gjejë arsyet e ekzistencës së re dhe të krijojë hapësirën e lirisë që do ta shpëtojë nga frika dhe deformimi i viteve të izolimit. Loja shpaguese, eshtë i vetmi kuptim që Aleks Krasta mund t’i japë jetës së vet të hallakatur ku nuk ka zot. Ka vetëm një prirje të brendshme, të vetvetishme për të besuar se beson, një nevojë shpirtërore për të shpëtuar nga ndenja e fajësisë.

Romanet e Bashkim Shehut që flasin për kohën e diktaturës janë në vazhdën e një sërë veprash kushtuar asaj periudhe. Ka ardhur koha, madje jemi të vonuar në këtë aspekt, të bëjmë hesapet me veten dhe të kaluarën tone. E për sa kohë historia është e pazonja për ta bërë këtë, apo më keq akoma, e ndikuar politikisht le të mjaftohemi me letërsinë. Autorë si Bashkim Shehu, At Zef Pllumi, Fatos Lubonja, Visar Zhiti, Amik Kasoruho, Spartak Ngjela, Daut Gumeni e shumë bashkëvuajtës të tjerë, të gjithë këta njerëz që e kanë provuar mbi supe tiraninë e diktaturës dhe ferrin e burgjeve komuniste, kanë lënë kujtimet e tyre për të mos harruar, ne dhe brezat që do të vijnë.

“Shkruaj për të shkuarën që ajo të mos harrohet” thotë Bashkim Shehu. Jo vetëm për këtë arsye, por para së gjithash për këtë arsye, libra të tillë duhen lexuar. Në fakt është një kujtesë për të cilën ka nevojë ndërgjegjja jonë por sidomos ndergjegjja individuale e ish të dënuarve politike. Një kompromis i heshtur dhe i çuditshem nuk vuri drejtësi ndaj ish xhelateve të tyre. Ky ishte poshtërimi i parë që i bënë ish të burgosurve në vazhdën e shumë të tjerave që kulmuan me vetëdjegien e Lirak Bejkos. Harresa do të ishte një ridënim, e më keq akoma, një vrasje për bashkëvuajtësit e tij!/Shqip/

Më Shumë

Kryetari i Dragashit: S’mund t’i themi zyrtarit shko në shtëpi se ke bërë vepra penale para disa vitesh

Kryetari Bexhet Xheladini, thotë se nuk ka qenë i informuar për të kaluarën dhe aktakuzat aktive të zyrtarit civil. “Në momentin kur u hap konkursi...

82 vjet nga vdekja e intelektualit të shquar shqiptar, Faik Konica

Sot përkujtohet 82 vjetori i vdekjes së Faik Konicës, shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë,...

Lajmet e Fundit