-7.2 C
Prizren
E enjte, 9 Shkurt, 2023

Lojë luftash dhe “heronjsh” me Perëndimin në Kosovë

Mero Baze

SHBA dhe Bashkimi Evropian harxhuan energjitë e tyre javën e fundit për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi situata në Veri të Kosovës doli jashtë kontrollit për shkak të “vendosmërisë” së qeverisë së Kosovës për të zhvilluar zgjedhje në një territor që nuk duan të shkojnë në zgjedhje.

Përpjekja për të qenë formalist me një popullsi e cila nuk dëgjon Prishtinën por Beogradin, dhe akoma më shumë përpjekja për t’i çuar në zgjedhje kur ata nuk dëshirojnë të votojnë, por të dëgjojnë kë kanë udhëheqës, nga ata që ua cakton Beogradi, është një kovë me benzinë mbi një zjarr të ndezur nga të tjerët.

Këmbëngulja e qeverisë së Kosovës që përpiqet të duket sikur është sovrane në Veri të Kosovës, është thjeshtë një mekanizëm për të ndezur tensionet në Veri, pa qenë e zonja ta përballojë vet kur e ndez zjarrin.

Po kaq qesharak është kërcënimi i Serbisë. Pas tensioneve që u shoqëruan dhe me arrestimin e një polici serb që fajësohet për sulmet mbi KQZ, Serbia kërkoi të përdorë një klauzolë parazite të rezolutës 1244, që parasheh se Serbia mund të dërgojë forca ushtarake të kufizuara në Kosovë, nëse rrezikohet pakica serbe, por për këtë duhet të marrë autorizimin e NATO dhe pas një mirëkuptimi më të gjerë tek aktorët ndërkombëtarë.

Pra kërcënimi i Serbisë, madje dhe e drejta formale për t’u rikthyer në Kosovë, janë kërcënime të vdekura, të parealizueshme në kushtet kur Kosova është bërë shtet i pavarur dhe siguria e saj garantohet nga NATO.

Pra të dyja palët në fakt nisën dy beteja që e dinin që i kishin të humbura. Qeveria e Kosovës nisi betejën për zgjedhje në Veri, ku ata nuk duan të votojnë dhe ti nuk mund t’i detyrosh të votojnë me forcë, nëse nuk respektohen kushtet minimale për zgjedhje, ndërsa Serbia kërcënon me një kartë të vdekur presioni, që nuk ja përfill askush.

Është shumë e rëndë që serbëve në Veri të Kosovës ua cakton udhëheqësit Beogradi, por as nuk është aq normale t’ua caktojë qeveria e Kosovës. Serbët në Kosovë do të duhet të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre, por kjo nuk mund të arrihet pa një klimë besimi me pushtetin shqiptar të Kosovës. Dhe kjo klimë besimi nuk mund të arrihet duke u futur në garë me Beogradin se kush t’ua caktojë përfaqësuesit serbëve në Kosovë, Vuçiqi apo Kurti. Të dy tregojnë muskujt mbi një pakicë e cila është bërë mish për top për interesa politike të Beogradit dhe për kauza politike false të Prishtinës.

Është kjo arsye që zyrtarët më të lartë të SHBA i dhanë garanci të forta Kosovës, se ushtria serbe nuk do hyjë në Kosovë, por nga ana tjetër u kërkuan zyrtarëve të Kosovës të zbatojnë angazhimet e marra për nënshkrimin e assosacionit të komunave serbe, një çështje po kaq e helmatisur me propagandë nga të dy palët.

Beogradi e mbivlerëson atë për qëllime politike, si një marrëveshje që i jep të drejtë të fusë këmbët në Kosovë, çka nuk është e vërtetë, kurse qeveria e Kosovës përpiqet të gjejë rreziqe më të mëdha se sa ka realisht, për t’u dukur patriote, që nuk pranon ta nënshkruajë.

Mbrojta e Kosovës dhe garancitë ndërkombëtare të saj, janë të lidhura dhe me të drejtat e pakicave. Madje pakicat edhe në Kosovë, si në gjithë botën, marrin më shumë të drejta se sa u takojnë, për të mos qenë mollë sherri. Ndaj Kosova duhet të shikojë pyllin dhe jo degët.

E ardhmja dhe siguria e Kosovës garantohet nga NATO, SHBA dhe Bashkimi Evropian, por vetëm si vend demokratik dhe jo si vend liderësh “të fortë”, që nuk pyesin për NATO, SHBA e BE. I tillë ishte dikur njëri në Serbi, i cili me ato që bëri thjesht mundësoi çlirimin e Kosovës. Prandaj dhe kjo lojë luftash duhet të marrë fund.

Nga ana tjetër, pajtueshmëria me Perëndimin nuk është shfaqje teatrale si ajo e sotmja, kur tre krerët e shtetit të Kosovës, imitojnë Zelenskin në mes të luftës dhe nënshkruajnë kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian është një proces që ka rregulla, ka etapa, kushtëzime dhe mbi të gjitha standarde që duhen plotësuar. Krahasimi me Shqipërinë që aplikoi më 2009 tek Presidenca çeke qëndron pjesërisht, vetëm për anën negative. Qëndron vetëm në faktin që Komisioni Evropian nuk ishte dakord që Shqipëria të aplikonte, se nuk ishte gati.

Sali Berisha në atë kohë bëri tre manovra të mëdha për të siguruar mbështetjen e pjesshme të Greqisë, Italisë dhe Francës. Nënshkroi shpejt e shpejt marrëveshjen e detit me Greqinë që të merrte mbështetjen e Greqisë, duke ja lënë këtë hall pa zgjidhur ende Shqipërisë. Aktualisht është në Gjykatën Ndërkombëtare.

I premtoi presidentit Sarkozi se do t’i blinte katër helikopterë për 70 milionë euro, dhe një prej tyre nuk arriti as të vinte në Shqipëri, se u rrëzua rrugës. Kështu siguroi dhe votën e Francës.

Berluskonin e ftoi në Shqipëri me një ushtri investitorësh dhe u shpërndau licenca për parqe eulike dhe termocentrale buzë detit, pa konkretizuar asnjë. Por kjo vlente thjesht që të mos dukej se po aplikonte për vend “kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian” kundër vullnetit të gjithë Evropës.

Çekia e mori kërkesën dhe e la në sirtar, pasi ndodhën histori të rënda si ajo e 21 janarit dhe deformimi i zgjedhjeve të 2009. Në vitin 2014, Shqipërisë ju pranua aplikimi i dorëzuar nga Berisha më 2009, pasi kishte ndryshuar pushteti, dhe më 2022 filloi zyrtarisht procesi i çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dhe të mendosh që Shqipëria nuk ishte në pozitën e Kosovës, që është ende me pesë vende të BE që nuk e njohin.

E përbashkëta e Kosovës me Shqipërinë në këtë aplikim është se të dy palët e bënë aplikimin për t’u dukur pro evropianë pa qenë të tillë. Berishës se i duhej para zgjedhjeve të 2009 dhe Kurtit se i duhet të balancojë kritikat e Perëndimit ndaj tij për krijimin e tensioneve në Veri të Kosovës dhe mosdëgjueshmërinë e SHBA dhe BE kur i nis këto konflikte.

Politika pro-perëndimore në Kosovë nuk mund të jetë false. Standardet perëndimore në Kosovë nuk mund të jenë të gënjeshtra. Kosova ose jeton si shtet demokratik, ose hyn në garë me Serbinë si shtet autoritar, por atë garë e humbet, pasi do braktiset nga Perëndimi.

Për të qenë me Perëndimin ajo duhet të jetë realisht demokratike dhe pro-perëndimore. Pro Perëndimit nuk bëhesh duke aplikuar për në BE, por duke dëgjuar Perëndimin se çfarë duhet bërë në Kosovë.

Nëse çdo natë refuzojmë këshillat e Perëndimit dhe në mëngjes dërgojmë zarfe me kërkesa për t’u pranuar nga Perëndimi, thjesht jemi duke bezdisur Perëndimin. Dhe krijimi i një bezdie për Kosovën në Perëndim është e vetmja ëndërr e madhe e Serbisë.

Më Shumë

Dashuria, puna dhe paratë, njihuni me parashikimin e Horoskopit për sot

Dashi: Ndërsa Hëna është në Gaforre, mund të ndjeni siklet. Një mik mund t’ju ofrojë dorën e ndihmës për të zgjidhur problemet tuaja. Dëgjoni...

Pas sherrit të bujshëm, Cllevio dhe Noizy fotografohen së bashku

Pak kohë më parë u rrethuam nga lajmet pët përplasjet mes reperit Noizyt dhe mbretit të Tik Tok Cllevios, ku veç dhunës nga njëri...

Lajmet e Fundit