Me aktivitete të shumta, Malisheva ka shënuar 16 Qershorin, Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve. Kjo datë lidhet ngushtë me rënien e dëshmorit të parë, të fundit, dhe çlirimin e Komunës së Malishevës.
Kryetari Ekrem Kastrati priti mysafirët në një ceremoni zyrtare, pas së cilës u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë.
Po ashtu, u përurua pllaka me “Betimin e ushtarit të UÇK-së”, pranë muzeut dhe shtëpisë së OVL të UÇK-së në Malishevë, si dhe u hap zyrtarisht objekti i ri i dedikuar veteranëve të luftës, përkatësisht OVL të UÇK-së në Malishevë.
Manifestimi qendror u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, ku përveç fjalimeve solemne, u ndanë edhe çmimet tradicionale për trimëri, heroizëm, kontribut në arsimin shqip dhe shëndetësi.
Me këtë rast, drejtuesit e komunës dhe të organizatave të dala nga lufta uruan të gjithë qytetarët për Ditën e Çlirimit, duke përkujtuar me nderim 85 dëshmorët e Malishevës, të rënë në luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Kjo është dita e krenarisë sonë. Shënojmë 26-vjetorin e çlirimit të Malishevës, kujtojmë dëshmorët dhe sakrificën e secilit luftëtar, që bashkë me përkrahjen e popullit dhe të botës demokratike, sollën lirinë. Malisheva ishte zemra e luftës: selia e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, vendi i zërit të lirisë dhe i diplomacisë ndërkombëtare”, ka theksuar Kastrati.
Sipas njoftimit, ai ka thënë se liria nuk është e plotë pa lirimin e krerëve të luftës që po mbahen padrejtësisht në Hagë, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Isni Kilaj, Haxhi Shala dhe të tjerë.
Kastrati foli edhe për zhvillimin e përgjithshëm të komunës pas luftës, duke theksuar investimet dhe lirimin e hapësirave publike në mandatin e tij.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Malishevës, Argjend Thaçi, theksoi se “Malisheva ishte zemra e rezistencës dhe luftës çlirimtare”, duke përmendur kronologjinë e përpjekjeve për liri dhe rolin e veçantë të dëshmorëve, të cilët, siç tha ai, “nuk e panë lirinë, por janë drita e saj”.
Edhe Thaçi, shprehu shqetësimin e përgjithshëm për mbajtjen të padrejtë të krerëve të luftës, në nga ana e gjykatës në Hagë.
Kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, bëri thirrje për bashkim të spektrit politik në shërbim të interesave të vendit.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e të gjithëve, për mbajtjen e padrejtë të krerëve të UÇK-së në gjykata ndërkombëtare, duke uruar qytetarët për këtë ditë të rëndësishme.
Në fund të manifestimit, u ndanë çmimet tradicionale:
Për trimëri dhe heroizëm – Çmimi “Imer Krasniqi”:
Naser Shala (pas vdekjes), Tahir Ulluri, Feim Thaçi (pas vdekjes), Hajdin Berisha (pas vdekjes) dhe Hajrullah Mazreku (pas vdekjes).
Për kontribut në mjekësi – Çmimi “Dr. Shpëtim Robaj”:
Dr. Haki Balaj (pas vdekjes), Fatime Gashi-Mazreku dhe Shehide Hoti-Gashi.
Për kontribut në arsimin shqip – Çmimi “Hamdi Berisha”:
Sylejman Telaku dhe Haxhi Kastrati.
Në fund, është dhënë edhe një program kulturor dhe artistik.
Marketing