18.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Malisheva shënon manifestimin “Epopeja e UÇK-së”

Begaj ne PrekazNë kuadër të shënimit të manifestimit të “Epopeja e UÇK-së”, Komuna e Malishevës përmes aktiviteteve të ndryshme, ka nderuar veprën e dëshmorëve të kombit, të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrificën e familjes Jashari. KK i Malishevës, me këtë rast ka mbajtur një mbledhje solemne dhe ka bërë homazhe në Prekaz dhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë.

Në mbledhjen solemne, të mbajtur nga Kuvendi i Komunës së Malishevës, në fjalën e tij, Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, tha “ne sot po shënojmë njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, po shënojmë “Epopenë e Lavdishme të UÇK-së”, po kujtojmë rënien heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së gjerë Jashari në marsin e vitit 1998”.

Begaj, duke folur për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se “nuk ka vepër më madhështore se ajo e çlirimit të vendit”. Më pas Begaj foli edhe për kontributin e Malishevës, në luftën çlirimtare.

Ndërsa kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, duke marrë fjalën, fjalimin e tij e nisi me citatin, “Nëse duhet të vdes dikush, më mirë të vdesim ne, se sa Atdheu” e kjo ishte thënia-vendimi i shenjtë i Komandantit Legjendar Adem Jashari, e bërë realitet se për të jetuar Atdheu, ne duhet të luftojmë”.

Sipas kryesuesit Thaçi, “rënia e familjes Jashari, u bënë shembulli më kuptimplotë i sakrificës dhe flijimit për lirinë e vendit”.

Pas mbledhjes solemne, një delegacion i gjerë nga Komuna e Malishevës, ku përfshiheshin, anëtarët e KK të Malishevës, familje të dëshmorëve, veteran të luftës, përfaqësues të klerit, me në krye Kryetarin e Komunës, Ragip Begaj, fillimisht bënë nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në sheshin e dëshmorëve në Malishevë, pastaj në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, në kompleksin memorial në Prekaz dhe në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.

Në vazhdim, fjalimi i kryetari Begaj mbajtur në seancën solemne të KK të Malishevës:

Të nderuara familje të dëshmorëve

Invalidë dhe veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Komunale të Malishevës

Ish-kryetarë të Komunës së Malishevës, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfaqësues të Bashkësisë Islame dhe ju të nderuar pjesëmarrës

Sot, ne po shënojmë njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, po shënojmë “Epopenë e Lavdishme të UÇK-së”, po kujtojmë rënien heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së gjerë Jashari në marsin e vitit 1998.

Okupimi serb në Kosovë, kishte arritur kulmin dhe populli shqiptar, filloi që të ndryshoj rezistencën e tij, pasi organizimi ushtarak kishte mbetur mënyra e vetme që ne ta fitojmë lirinë. Si rezultat i të gjitha ngjarjeve të deri- atëhershme, u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me në krye Komandantin Adem Jashari.

Nuk ka vepër më madhështore se sa ajo e çlirimit të vendit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte kryevepër e përpunimit të idesë së lirisë, mjet dhe projekt strategjik i realizimit të kësaj ideje ishte populli i Kosovës

Duke parë këtë, shteti serb ndërmori disa herë fushata ushtarake dhe policore, në tentim për ta shuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht eliminimin e komandantit të saj, Adem Jasharit. Kështu, më 30 dhjetor 1991, organizuan aksionin e parë kundër familjes Jashari në Prekaz, por ky tentim dështoi, pasi nuk arritën t’i thyejnë Jasharajt. Më pas, më 26 nëntor 1997, në Llaushë të Re, ishte tentimi i dytë për kapjen e Adem Jasharit, për të vazhduar me tentimin e tretë më 22 janar 1998, që të gjitha këto tentime nuk patën sukses.

Shteti policor dhe ushtarak, ende besonte se me kapjen, vrasjen apo eliminimin e Adem Jasharit, do t’i shuante përpjekjet për liri. Kështu, më 5 mars filloi aksioni i madh për kapjen e Adem Jasharit, por hasi në rezistencë të fortë të Jasharajve të Prekazit, të cilët bënë rezistencë të paparë në historinë e njerëzimit, pasi luftuan për tri ditë të tëra, derisa u vranë shumica prej tyre. Pra, kjo ofensivë u bë më 5,6 dhe 7 mars 1998.

Me flijimin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, botës iu bë e qartë se populli shqiptar është i gatshëm të vdesë për lirinë e vendit të vet. Kjo është epopeja e madhe, të cilën e bëri Adem Jashari me familje. Ai flijim ndezi zemrat e shqiptarëve dhe detyroi botën ta shihte të vërtetën.

Ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan më së miri se me çfarë sakrifice u përballën shqiptarët në betejën për ta fituar lirinë. Burrat legjendarë të familjes Jashari, gratë dhe fëmijët e një lagje të tërë u flijuan duke treguar heroizëm të rrallë.

Në këtë kontekst komandanti Adem Jashari është dhe do të mbetet tërësisht i gjallë, ideali i tij nuk do të vdesë kurrë, atdhedashuria e tij deri në sakrificën sublime që do të kultivohet brez pas brezi, guximi i tij i trashëguar nga lavdia nëpër shekuj e kombit tonë do të përcillet edhe në shekujt e ardhshëm, si një porosi e shenjtë dhe detyrim atdhetar për çdo brez shqiptarësh.

Epopeja e UÇK-së dhe rënia heroike e legjendarit Adem Jashari dhe familjes Jashari, i shembi dy iluzione të mëdha: e para se liria e Kosovës mund të arrihej vetëm me rezistencë paqësore dhe me mjete e aksione politike, pa luftë dhe pa sakrifica të mëdha, e po ashtu shembi edhe iluzionin e bashkësisë ndërkombëtare se çështja e Kosovës ende mund të trajtohej dhe zgjidhej brenda kornizës së asaj karikature që kishte mbetur nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Epopeja e shembi përfundimisht iluzionin se Kosova dhe Serbia do të mund të jetonin nën një kulm.

Lufta dhe rënia heroike në Prekaz, u bë kushtrim për shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare në tërë Kosovën pasi tashmë shihej qartë se ishte moment final i realizimit të aspiratave të shqiptarëve, realizim i sakrificave të panumërta në krejt historinë tonë të dhembshme.

Kushtrimi i rënies së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij me shpejtësi të rrufeshme u përhap edhe në Malishevë.

Qytetar të nderuar të Malishevës, unë dhe ju të gjithë jemi krenar për kontributin e malishevasve, të të gjithë brezave, që dhanë për lirinë e vendit.

Mijëra djem e vajza u rreshtuan menjëherë në radhët e Njësiteve “Lumi” dhe “Çeliku” të UÇK-së për të dhënë kontributin e tyre në lirinë e Kosovës, kurse secila shtëpi u bë çerdhe për ushtarët e lirisë.

Në histori do të mbeten qindra beteja të zhvilluara në Malishevë, në Dragobil, Lladroc, Bellanicë, Carrallukë, Drenoc, Kijevë, Bubavec, Mirushë, Balincë, Bllacë dhe në të gjitha vendbanimet tjera, të cilat u bënë shembuj të luftës dhe qëndresës për liri. Në këto beteja, Malisheva i dha kësaj toke mbi 70 dëshmorë të kombit …….

LAVDI Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

/PrizrenPress.com/

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

Feronikeli ’74 merr tre pikë të arta në luftën për mbijetesë përballë Malishevës

Feronikeli ’74 ka marrë fitore të madhe ndaj Malishevës me rezultat 2-1. Ka qenë një pjesë e parë me shumë raste shënimi si për vendasit...

Lajmet e Fundit