I akuzuari për mashtrim, Përparim Hyseni, e ka pranuar fajësinë, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Enis Gashi, i akuzuari Hyseni ka thënë se e ndien veten fajtor, duke kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, pasi që është hera e parë që ka kryer vepër penale, dhe gjendet me asistencë sociale.
Hyseni deklaroi se veturën ia ka kthyer të dëmtuarit dhe tani nuk ka asnjë mosmarrëveshje me të.
Prokurori Gashi, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Hyseni, pasi sipas tij, një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës, dhe është bërë në mënyrë vullnetare.
Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa atë e ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 30 maj 2019, në ora 11:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka përpiluar aktakuzë më 3 korrik 2014, ndaj Përparim Hysenit, me pretendimin se ka kryer veprën penale “mashtrim”, nga neni 335, paragraf 1, të KPRK–së.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore më 31 tetor 2013, paraqitet rrejshëm dhe fshehë faktet në dëm të tjetrit, dhe në tregun e automjeteve në Malishevë sjellë në lajthim duke e mashtruar të dëmtuarin Lulzim Sutaj, në cilësinë e shitësit.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari fillimisht i kërkon të dëmtuarit të lidhin kontratë verbale për blerjen e automjetit “VW Lupo” nga ai, me çmimin e shitblerjes prej 1.580 euro, dhe në bazë të kësaj kontrate i akuzuari Hyseni e merr automjetin me premtimin se pagesën do ia bëjë me të arritur në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me të arritur afër spitalit në Prishtinë, e parakalon të dëmtuarin, i cili ishte para të akuzuarit me një automjet tjetër, dhe i akuzuari largohet në drejtim të panjohur, dhe më 5 nëntor 2013, nga familjarët e të dëmtuarit, i akuzuari zihet në fshatin Magure të Sllatinës, duke e pastruar automjetin, ku më pas i sekuestrohet nga policia dhe i kthehet të dëmtuarit. /Betimipërdrejtësi