19.4 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025

Marrëzira akademike

IMER MUSHKOLAJ

Në vend se të angazhohen për t’i dhënë fund diskriminimit të një dialekti-standardi të tërë, një grup gjuhëtarësh duan ta bunkerizojnë shqipen. Duan ta mbrojnë me ligj jo për ta zhvilluar e dinamizuar, por për ta ngulfatur e bllokuar. Duan që politika të mbrojë një standard të vendosur me urdhër politik

Kur tash një vit në Universitetin Shtetëror të Tetovës ishte publikuar një thirrje për studentët, e shkruar me plot gabime gjuhësore, profesorë të këtij institucioni ishin shfaqur të alarmuar. Ata kërkuan miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, respektivisht ndëshkimin e të gjithë atyre që nuk e përdorin shqipen si duhet. Thanë se mungesa e ligjit dhe mospërkufizimi i saktë i statusit të saj po shkaktonte probleme në zbatimin e normës. Reagimet po vinin nga akademikët, nga ata që do të duhej të ishin përgjegjës për ato gabime.

Po vitin e kaluar, në Shqipëri një grup prej njëzet vetash i kishin kërkuar kryeministrit Edi Rama që qeveria të ndërhynte në mbrojtjen e gjuhës shqipe. E në Kosovë në krye të nismës janë vënë punonjës të Institutit Albanologjik, që po kërkojnë nga Kuvendi miratimin e një ligji të veçantë për këtë punë.

Por, a mund të ruhet gjuha me ligj? Si mund të mbrohet ajo nga ndikimet e jashtme në kohën e globalizmit? Dhe, për më tepër, a nuk do të ishte më mirë që në vend se të merren nisma të tilla, të plotësohet e ndryshohet standardi ekzistues i shqipes që është diskriminues e përjashtues ndaj një dialekti, ndaj një standardi tjetër të tërë, ndaj një gjuhe të tërë?

Ligje për mbrojtjen e gjuhës kanë disa shtete, por nuk është se janë treguar aq efikasë. Gjuhët evulojnë, zhvillohen, janë dinamike. Andaj mbrojtja e shqipes me ligj nuk është se do të ndikojë që ajo të përmirësohet në përdorim. Bile mbrojtja me ligj e standardit të vitit 1972, siç thonë studiues të shqipes, është edhe në kundërshtim me standardet europiane. Kjo i bie që politika të mbrojë një standard të vendosur me urdhër politik. Një akt politik të imponuar me diktat. Nga Enver Hoxha.

* * *

Duke e shpërfillur më shumë se gjysmën e leksikut të shqipes, kongresi i 72’shit ka kryer krim ndaj gegnishtes. Duke e përjashtuar nga standardi, janë lënë jashtë më shumë se 40 mijë fjalë, një pasuri kjo e jashtëzakonshme dhe shqipja është kthyer zyrtarisht në një gjuhë skajshmërisht të varfër.

Në vend që të kërkojnë që standardi t’i nënshtrohet rivlerësimit shkencor, tash dalin gjuhëtarë që kërkojnë mbrojtjen me ligj të tij. Por, në vend se të mbronte gjuhën, një akt i tillë do të pengonte edhe më shumë komunikimin ndërshqiptar, sepse standardi aktual as që i përmbush nevojat për një komunikim normal ndërmjet shqiptarëve. Madje as nevojat për komunikim të vetë këtyre ”gardianëve” të gjuhës standarde, që po kërkojnë mbrotje politike të një standardi politik.

Ata na shfaqen si ruajtës të shqipes, thua se gjuha iu takon vetëm atyre. E gjuha nuk mbrohet në këtë mënyrë, por duke u mbledhur e diskutuar se çfarë duhet plotësuar, çfarë duhet ndryshuar.

Ardian Klosi fliste për një kuvend të ri që do të mblidhte jo veç gjuhëtarë, por edhe krijues të gjuhës, përkthyes, gazetarë, mësues. “Gjuhëtarët janë vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë. Absolutisht jo më ta vendosin gjuhëtarët, siç e kanë vendosur së bashku me politikanët në vitin 1972”, thoshte ai.

Dhe, nuk kris kiameti nëse “çelet” standardi. Gjermanët, një popullsi dhjetëramilionëshe, para pak vjetësh vendosën rregulla të reja drejtshkrimi. Pse u dashka që ne standardin e 72’shit ta konsiderojmë të shenjtë, të paprekshëm, madje edhe ta mbrojmë me ligj? Apo gjuhëtarët tanë janë më të mençurit, më të diturit.

* * *

Europa sot kërkon mbrojtjen e dialekteve të gjuhëve, që i sheh si një pasuri të rëndësishme. Me miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, do të sanksionoheshin, ndëshkoheshin dialektet, gjë që do të ishte në kundërshtim me standardet dhe praktikat europiane.

Por, këto as që iu interesojnë “gardianëve” të shqipes standarde që duan ligj. Për ta është e rëndësishme që të vazhdojnë së funksionuari brenda bunkerëve të tyre gjuhësorë e mendorë, brenda mentalitetit përjashtues e diskriminues.

Gjuha shqipe ka nevojë për sa më shumë studiues të mirëfilltë, të cilët atë e shohin si diçka dinamike dhe në zhvillim, e jo si specie në zhdukje e në rrezik, që po u dashka mbrojtur ligjërisht.

Nëse ka nevojë për mbrojtje, atëherë shqipja duhet të mbrohet pikërisht nga të tillët që shiten si “gardianë” të saj, por që nuk janë gjë tjetër veç interesxhinj e shkencëtarë mediokër.

Gjuha shqipe duhet zgjeruar e çuar përpara, e jo sakatuar, kufizuar dhe bllokuar. Të kërkosh që ta mbrosh atë nga shqiptarët nuk është gjë tjetër veç marrëzi. E kur kërkesat e tilla vijnë nga akademikët, gjithçka shndërrohet në marrëzi akademike./Gazeta Express/

Më Shumë

Hapet edicioni i 24-të i festivalit folklorik “Anadrinia Jehon”

Gjatë mbrëmjes së djeshme është hapur edicioni i 24-të i festivali folklorik “Anadrinia jehon”, festival ky i cili tashmë ka fituar një profil të...

Ndahet nga jeta avokati Ruzhdi Berisha

Ka ndërruar jetë avokati nga Prizreni, Ruzhdi Berisha. Familjarët kanë bërë të ditur se ai ka ndërruar jetë, duke lënë pas një boshllëk të madh...

Magjia e dritës

Lajmet e Fundit