327 të rinj nga e gjithë Kosova dyshohet se kanë rënë viktimë e mashtrimit me viza pune në Gjermani të dy personave nga qyteti i Prizrenit. Menaxheri i një institucioni të aftësimit profesional, të quajtur DBBS, ra në prangat e Policisë së Kosovës në gusht, dhe tashmë është në paraburgim si i dyshuar për mashtrim. Partneri i tij në biznes, menaxher i agjencisë për ndërmjetësim të punësimit MNP Personal Leasing SH.P.K. po kërkohet nga policia e Kosovës si bashkëpunëtor, por ai është arrestuar në Shqipëri po ashtu për mashtrim me viza pune atje. Prokuroria Themelore ka konfirmuar se ata dyshohen se kanë zhvatur nga këta të rinj plot 889.500 euro para të gatshme. Gazeta Express sjell rastet e tre të rinjve, viktima të këtij mashtrimi, të cilët paguar deri në 3 mijë euro për një vizë punë.
Një objekt modern në qendër të Prizrenit para të cilët ndodhen flamuj të Kosovës, Shqipërisë e Gjermanisë, tash e dy muaj po qëndron i mbyllur. Aty qindra të rinjtë lanë në mirëbesim afro 900 mijë euro, në këmbim të vizave gjermane të punës, të cilat nuk i morën kurrë.
Institucioni i Arsimit dhe aftësimit profesional DBBS me pronar një gjerman, por i menaxhuar nga prizrenasi Flamur Hoxha ofronte shërbime për aftësim profesional të të rinjve, me kontratë një vjeçare.
Në fund të trajnimit kandidatët siguroheshin se do punësoheshin në Gjermani nëpërmjet një agjencie tjetër ndërmjetësuese MNP Personal Leasing.
Këtë të fundit e menaxhonte partneri në biznes i Flamur Hoxhës, Besim Rexhaj.
Kompania MNP Personal Leasing, e cila ndodhet në po të njëjtin objekt me shkollën DBBS, ka afruar shërbime të ndërmjetësimit edhe për persona të tjerë që nuk kanë marrë pjesë në trajnime profesionale, duke lidhur kontrata me ta, ku thuhej se për gjashtë muaj do t’u rregullonin dokumentacionin e nevojshëm për vizë pune në Gjermani brenda afatit prej 7 muajve.
Por tani Hoxha dhe Rexha, ndodhen në burg për mashtrim.
Policia e Krimeve Ekonomike kishte arrestuar drejtorin Ekzekutiv të kësaj kompanie Flamur Hoxhën më 28 gusht, dhe që nga ajo kohë ai ndodhet në paraburgim.
Me rastin po merret Prokuroria Themelore e Prizrenit. Deri më tani aty kanë denoncuar mashtrimin 327 viktima. Ndërsa vlera e dëmit arrin shumën prej 889,500.00 euro.
“Ju informoj se F.H dhe B.R., dyshohen për veprat penale të Mashtrimit, nga neni 335, paragrafi 5, lidhur me nenin 31, të KPRK-së dhe veprën penale, rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, nga neni 399, paragrafi 1, pika 1.3, lidhur me nenin 31, të KPRK-së”, thuhet në përgjigjet e prokurorisë për Express.
Rastin e ka lajmëruar në polici edhe një vajzë e re nga Prizreni(A.B.), e cila në kushte anonimiteti ka treguar për Gazetën Express, se një vit më parë, kur edhe ishte hapur shkolla DBBS, kishte regjistruar aty kursin për aftësim profesional, dhe kursin e gjuhës gjermane. Pas një viti të aftësimit, ajo donte të largohej në Gjermani. Për këto shërbime ajo kishte paguar gjithsej 2 mijë euro.
Ajo thotë se në gjeneratën e saj kanë qenë plotë 150 të rinj të cilët janë aftësuar për një vit në profesione të ndryshme, duke besuar se pas një viti do të pajiseshin me viza pune të shtetit gjerman.
Këtu edhe lidhej veprimtaria kriminale e Hoxhës dhe Rexhajt. Këtë e zbulon një nen i kontratës së aplikantes nga Prizreni që kishte nënshkruar me DBBS’në, në të cilin thuhet se pas përfundimit të trajnimit, asaj do t’i ndërmjetësohej punësimi në Gjermani me vizë pune, përmes partnerit të DBBS’së, MNP Personal Leasing, që kishte për pronar Besim Rexhajn.
Gazeta Express ka provuar të kontaktoj zyrtarë të këtij institucioni mashtrues, por numrat kontaktues të DBBS nuk kanë qenë të qasshëm për thirrje, ndonëse ata figurojnë në web faqe.
“Shkollohu në Kosovë, punësohu sigurt në Gjermani” është slogani i kësaj shkolle në web faqen e saj në internet, ndonëse është mbyllur nga policia.
“Ju ftojmë të bëheni pjesë e “DBBS”, dhe pas një viti shkollim do filloni punë në shtetin Gjerman. Institucioni ofron arsim dhe aftësim profesional në shumë fusha për të gjithë të interesuarit. Mjafton dëshira për të punuar” thuhet në përshkrimin e DBBS’së.
Por vajza nga Prizreni e cila e besoi këtë slogan një vit më parë, thotë se është duke kërkuar t’i kthehen mjetet, ose të shkoj në Gjermani, pasi për këtë kishe paguar para të majme.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur – AAAPARr për t’i pyetur si është akredituar ky institucion dhe çfarë ka ndërmarrë ata pasi që shkolla është mbyllur, por ende nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion. DBBS së fundi është pajisur me licencë nga Ministria e Arsimit edhe për tri vite të tjera.
Në anën tjetër partneri i Hoxhës, Besim Rexhaj, tashmë është i arrestuar nga autoritet e Republikës së Shqipërisë, lidhur me ekzekutimin e dënimit të shqiptuar nga Gjykata e Rrethit në Tiranë për veprën penale të mashtrimit.
Ai përmes agjencisë për ndërmjetësim të punësimit MNP Personal Leasing dhe Staff Recruitment Balkan, kishte mashtruar edhe shumë të rijnë të tjerë nga e qytete të tjera të Kosovës, të cilët nuk ishin pjesë e trajnimeve të DBBS’së, por vetëm dëshironin të shkonin me vizë pune në Gjermani.
Kështu në muajin mars të këtij viti dy të rinj, njëri nga Gjakova e tjetri nga Klina, kishin lidhur kontratë me kompaninë e Besim Rexhajt, duke besuar se brenda 7 muajve do të shkonin në Gjermani me viza pune. Ata kishin paguar nga 2500 euro secili pasi që e kishin nënshkruar kontratën me kompaninë e Rexhajt.
E gjithë procedura do të zgjaste shtatë muaj. Brenda kësaj kohe agjencia do t’u siguronin kontratat e punës që do të vinin nga Gjermania, lejet e punës në këtë shtet dhe kërkesat për termin në Ambasadën Gjermane.
Për këto shërbime aplikantët duhet t’i paguanin Agjencisë plotë tre mijë euro, të cilin në kontratë i quanin “kompensim të përshtatshëm”. Aplikantët duhej të paguanin nga 500 euro, paraprakisht, qoftë përmes transferit bankar apo kesh. Shuma tjetër e mbetur do të paguhej pas marrjes së kontratës së punës nga punëdhënësi gjerman. Por, e gjithë kjo ka përfunduar me një skemë masive mashtrimi, me plaçkitjen e mbi 300 të rinjëve, ëndërra gjermane e të cilëve ka marrë fund në gushtin e verës që shkoi kur Flamur Hoxha dhe Besim Rexha u prangosën nga Policia./ Gazeta Express
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/mashtrimi-900-mije-eurosh-me-viza-si-u-plackiten-327-te-rinj-kosovare-nga-dy-burra-ne-prizren-453273/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright