Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, i ka dënuar me 110 ditë burgim, Elvis Krasniqi, Sajmond Krasniqi, Albion Krasniqi, Elon Krasniqi, Mujë Bashota dhe Kurbin Bashota, për veprën penale lëndim i lehtë trupor. Mirëpo, dënimi me pëlqimin e tyre është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2.200 euro.
Gjyqtari i rastit, Njazi Morina tha se të njëjtëve në dënim iu është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 8 janar 2021 deri më datën 17 mars 2021, ashtu që të akuzuarit janë të obliguar ta paguajnë shumën e mbetur prej 820 euro.
Sipas gjyqtarit Morina, nëse dënimi me gjobë nuk paguhet, atëherë do të zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë e burgimit do të llogaritet në shumën prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu të akuzuarit janë të obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 30 euro dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.
Ndërsa, në mënyrë solidare të akuzuarit janë të obliguar ta paguajë ekspertizën mjeko-ligjore në shumën prej 50 euro.
Të akuzuarit, Elvis Krasniqi, Sajmond Krasniqi, Albion Krasniqi, Elon Krasniqi, Mujë Bashota dhe Kurbin Bashota, në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur më 17 mars 2021, kanë deklaruar se e ndiejnë vetën fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen, duke kërkuar falje publikisht palëve të dëmtuara, dhe duke premtuar që në të ardhmen nuk do të kryejnë më vepër penale.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 2 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Elvis, Sajmond, Albion, dhe Elon Krasniqi, me arsyetimin se të njëjtit, më 8 janar 2021, rreth orës 14:14 minuta, në fshatin Kijevë, të Komunës së Malishevës, saktësisht në restorantin “Tirona”, në bashkëkryerje, duke përdorur mjete të rrezikshme i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarve-akuzuarve Mujë dhe Kurbin Bashota.
Sipas aktit akuzues, të akuzuarit Elvis, Sajmond, Albion, dhe Elon Krasniqi, për shkak të disa mosmarrëveshje të më hershme me të dëmtuarit Mujë dhe Kubin Bashota, dhe në ditën kritike të akuzuarit Krasniqi shkojnë në restorant, dhe aty vërejnë se janë të dëmtuarit Bashota ku fillimisht provokojnë njëri-tjetrin, e më pas fillojnë të përleshën fizikisht, ku të dëmtuarit Mujë dhe Kurbin Bashota marrin lëndime të lehta trupore në pjesë të ndryshme të trupit, lëndime këto të përcaktuara nga ekspertiza mjeko ligjore.
Me këto veprime, të akuzuarit Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të akuzuarit Mujë dhe Kurbin Bashota, për shkak të disa mosmarrëveshje të më hershme me të dëmtuarit Albion, Sajmond dhe Elvis Krasniqi, dhe në ditën kritike të akuzuarit Bashota shkojnë në restorant, dhe aty vërejnë se janë të dëmtuarit Krasniqi ku fillimisht provokojnë njëri-tjetrin, e më pas fillojnë të përleshën fizikisht, ku të dëmtuarit Albion, Sajmond dhe Elvis Krasniqi marrin lëndime të lehta trupore në pjesë të ndryshme të trupit, lëndime këto të përcaktuara nga ekspertiza mjeko ligjore.
Me këto veprime, të akuzuarit Bashota, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi