19.7 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Mbi 250 mijë tiketa të shqiptuara

Policia-StopGjatë nëntë muajve të këtij viti nga Policia e Kosovës (PK) janë shqiptuar 250 735 tiketa që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky numër ka shënuar rritje për 21 512 tiketa të shqiptuara më shumë.

“Numri i tiketave të shqiptuara nga Policia e Kosovës për periudhën janar-shtator të këtij vitit është 250 735 tiketa. Ndërkaq, për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ky numër ishte 229 222 tiketa”, është bërë me dije për gazetën “Epoka e re” nga zyrtarë të Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.

Sipas zyrtarëve të kësaj zyre, numri i tiketave të shqiptuara, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për 9.38 për qind, ndërkaq numri i aksidenteve gjatë së njëjtës periudhë ka shënuar rënie për 2 926 raste, apo shprehur në përqindje 19.22 për qind. “Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë shënuar 12 300 aksidente, ndërkaq gjatë vitit të kaluar për të njëjtën periudhë ishin 15 226 aksidente”, është saktësuar nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Sa i përket çështjes së pagesës së tiketave dhe mjeteve të grumbulluara nga gjobat e shqiptuara, Zyra për Komunikim me Publikun në PK ka treguar se ato janë të rregulluara në bazë të Ligjit mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor nr. 02/L-070. Sipas kësaj zyre, këto të hyra sipas ligjit në fjalë grumbullohen në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, gjegjësisht komunës përkatëse në të cilën është shkaktuar kundërvajtja. “Policia e Kosovës nuk përfiton nga këto mjete, pasi nuk derdhen në buxhetin e PK-së”, është thënë nga Zyra për Informim e PK-së.

Inxhinieri i Komunikacionit, Gazmend Hoti, ka thënë se rritja e numrit të gjobave në trafik mund të jetë rrjedhojë e rritjes së importit të automjeteve. Sipas tij, indikator i rritjes së numrit të gjobave është dhe fushata për siguri e lansuar nga PK-ja. “Aktualisht gjatë një viti në Kosovë importohen rreth 23 mijë automjete apo rreth 6.1 për qind, kemi rritje të importit të automjeteve me vitet paraprake. Krahasuar me këtë, në rritjen e numrit të gjobave kanë ndikuar edhe javët e sigurisë të shpallura nga Policia e Kosovës, të cilat besoj se kanë qenë shumë të suksesshme në vetëdijesimin e ngasësve. Po gjatë këtij viti në rritjen e numrit të gjobave ka ndikuar edhe mobilizimi i Inspektoratit Rrugor, sidomos të automjeteve transportuese për moslejimin e tejkalimit të ngarkesave në automjete, si dhe shqiptimi i gjobave nga ana e Policisë për shkak të gjendjes teknike jo të mirë të automjeteve në rrugë”, është shprehur Hoti, duke shtuar se në rënien e numrit të aksidenteve kanë ndikuar disa faktorë, por padyshim vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve mbetet faktori kyç. “Faktorë të tjerë në rënien e aksidenteve janë edhe kushtet klimatike, pasi dihet se dimri i kaluar ka qenë pa të reshura të dendura të borës, andaj moti i mirë ka bërë të kemi aksidente më pak”, ka deklaruar ai.

Hoti ka shtuar se në rënien e aksidenteve të komunikacionit ka ndikuar edhe infrastruktura e mirë rrugore, mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor, ngritja e kritereve të kontrolleve teknike dhe vetëdijesimi në mirëmbajtjen e gjendjes teknike të automjeteve.

Më Shumë

Sfida 2: Trepça synon barazimin, Bashkimi epërsinë 2:0 drejt titullit

Super finalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me super sfida interesante. Beteja zhvendoset në Mitrovicë, ku të mërkurën nga ora 19:00 zhvillohet ndeshja...

Përleshje mes babait dhe djalit në Prizren

Një mosmarrëveshje familjare mes një babai dhe djalit të tij ka eskaluar në dhunë fizike brenda shtëpisë familjare në Prizren. Kliko videon:https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/1639600633358898 Sipas burimeve të Sinjalit...

Lajmet e Fundit