14.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Mbrojtja kërkon nga Apeli ricilësim të veprës penale për ish-policin nga Suhareka që u dënua me burgim të përjetshëm

Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020 e kishte dënuar me burgim të përjetshëm ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova.

Mirëpo me këtë vendim të gjykatës së shkallës së parë nuk po pajtohet mbrojtja e të dënuarit Spahiu, ku me anë të ankesës në Gjykatën e Apelit ka propozuar që ky vendim të anulohet dhe të bëhet ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje gjatë tronditjes së rëndë mendore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Spahiu, avokati Emrush Kastrati para kolegjit të Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk e kishte aprovuar asnjë propozim të provave nga ana e mbrojtjes.

“I kemi propozu shkallës së parë në rrethanat që ka ndodhur rasti të bëhet ekzaminimi psikiatrik i të akuzuarit mirëpo gjykata e ka refuzuar edhe pse i kemi dëshmu me prova dy raste që ka qenë në ekzaminim psikiatrik, po ashtu edhe elementi i dashjes është enigmë”, ka deklaruar avokati Kastrati.

Ai më tutje ka thënë se është shkelur e drejta e barazisë së palëve në procedurë sepse nuk mjafton vetëm të dëgjohen palët dhe të vendoset në bazë të provave të vetëm njërës palë.

Sipas mbrojtjes, dënimi me burgim të përjetshëm nuk ka qenë në proporcion me veprën e kryer dhe gjykata nuk e ka marr parasysh asnjë rrethanë lehtësuese, ndërsa sa i përket qëllimit të dënimit ai ka thënë se dënimi me burgim të përjetshëm nuk paraqet rehabilitim për personin që ai më pas të kthehet në shoqëri dhe kështu nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit.

Lidhur me ankesën e mbrojtjes, prokurori i Apelit Haxhi Dërguti ka kërkuar që të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet ndërsa ka deklaruar se kjo prokurori me kohë i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës.

Këtë qëndrim të Prokurorisë së Apelit e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Arben Ramadani duke shtuar se aktgjykimi i shkallës së parë ka qenë i drejtë.

Ndryshe, më 31 maj 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Shefki Spahiu, me arsyetimin se i njëjti, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake, privon nga jeta punëtorin e kazinos, Jetmir Aliaj.

Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, Spahiu akuzohet se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinos dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat, me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit, duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinos, ku pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha, në dalje të fshatit Neprebisht të Komunës së Suharekës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulim me prova”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Për herë të parë në Spitalin e Prizrenit: Pacientit i vendoset pacemaker dhe stentimi

Spitali i Përgjithshëm "Prim. Dr. Daut Mustafa" në Prizren realizoi sot për herë të parë një procedurë komplekse: vendosjen e pacemakerit dhe stentimin në...

Finalja e Superkupës për femra: Bashkimi përballet me Pejën 03

Sonte zhvillohet finalja e Superkupës së basketbollit për femra 2024, përcjell PrizrenPress. Ndeshja do të luhet në palestrën sportive “Karagaçi” në Pejë, me fillim në...

Lajmet e Fundit