Është mbyllur në Tiranë edicioni i 12 të i “Tirana International Film Festival” (TIFF), i cili u zhvillua në kryeqytetin shqiptar për disa ditë më radhë.
Crossing, është filmi “Fiction” që fitoi çmimin e publikut në edicionit e 12-të të këtij festivali. Me autor nga Singapori Amos Ezra Katz, filmi tregon historinë e një fotografi, i cili për të marr pjesë në dasmën e të vëllait duhet të kaloj në një zonë nga Singapor drejt Malajzisë.
Çmimi i Filmit më të mirë Ballkanik shkon për filmin nga Bosnje dhe Hercegovina, konkretisht për filmin “Holiday at the Seaside” nga Cristina Grosan në kategorinë “Fiction”. Filmi është prodhuar nga një grup xhirimi boshnjak dhe regjisore rumune. Sipas organizatorëve, çmimi është fituar për saktësinë e tij në përshkrimin e realitetit në lidhje me problematikat e adoleshencës, për skenarin, stilin e narracionit dhe ritmin duke marrë parasysh kushtet në të cilat produksionet multi-ballkanike realizohen.
Ndërsa për gjetjen e strukturës dhe stilit vizual krejtësisht origjinal dhe koherent në shprehjen e një revolte komplekse dhe abstrakte brenda individit, duke e bërë këtë të kuptueshme e të prekshme në të gjitha kohërat, çmim për filmin më të mirë shqiptar shkon për: “Pasiguria” nga Lediona Kasapi në kategorinë Experimental.
Çmimi i dokumentarit më i mirë shkon për Alexandre Liebert, me dokumentarin “Vërragët e Kamboxhias”, nga Franca. Sipas organizatorëve të festivalit, autori i këtij filmi dokumentar në një mënyrë të shkëlqyer ka arritur të na paraqesë një histori të thellë emotive nëpërmjet poezisë së imazheve, në heshtje, pa përdorur fjalë, por duke arritur efektin e klithjes. Filmi reflekton mrekullinë e aktit të faljes përmes personazhit, i cili pas gjithë atyre torturave të tmerrshme që ka përjetuar, në vend të hakmarrjes dhe urrejtjes ai zgjedh jetën dhe dashurinë.
Katër juri vlerësuan filmat e Festivalit. Këtë vit në edicionin e 12-të të Tirana International Film Festival (TIFF) aplikuan 5,464 filma nga 107 vende të botës, prej të cilëve nga Europa 3,417, Amerika e Jugut 748, Azia 436, Amerika e Veriut 335, Afrika 323 dhe nga Australia 178 filma. Përveç Shqipërisë në këtë festival pjesëmarrës janë edhe Kosova, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.
Ka një rritje të ndjeshme këtë vit në aplikimet e bëra në krahasim me vitin e kaluar kur ishin vetëm 1,200 filma nga 92 vende të botës.