8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Më shumë se 5 muaj nga ngritja e aktakuzës për mos deklarim të pasurisë, ende nuk dihet se kur do të mbahet shqyrtimi fillestar

Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 prill 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës C.Z asambliste në Asamblenë Komunale në Prizren, për veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, raporton Drejtësia Sot.

Aktakuza përshkruan se C.Z akuzohet se nga data 1 mars 2020 deri më 19 qershor 2020, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në cilësinë e zyrtares së lartë publike Prizren, ka vepruar në kundërshtim me nenin 1 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 pika 8 të Ligjit 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.

Tutje, aktakuza sqaron se si zyrtare publike e pandehura është e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrime financiare për periudhën e lartëcekur brenda afatit të përcaktuar ligjor, mirëpo edhe për kundër faktit se e pandehura ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë e njëjta nuk e ka bërë një deklarim të tillë.

Drejtësia Sot, duke analizuar me kujdes këtë çështje ka vërejtur se ndonëse kanë kaluar më shumë se 5 muaj që nga ngritja e aktakuzës të kësaj çështje penale, Gjykata Themelore në Prizren ende nuk ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në këtë rast.

Drejtësia Sot, njofton se për lëndën në fjalë ende nuk është caktuar një datë për fillimin e gjykimit nga gjyqtari i çështjes ku me këtë rast nuk janë respektuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK) për afatin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar.

Ligjvënësi decidivisht ka përcaktuar që pas ngritjes së aktakuzës, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues cakton menjëherë shqyrtimin fillestar i cili duhet të mbahet brenda 30 ditëve. Rrjedhimisht, Prokuroria Themelore në Prizren pati njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj Këshilltarit të Asamblesë me datë 28 prill 2021, ndërsa lënda në fjalë ende nuk është caktuar deri më sot duke u tejkaluar afati ligjor për më shumë se 5 muaj.

Nga ky fakt Drejtësia Sot shpreh shqetësimin e saj për shkelje procedurale nga gjyqtari i lëndës, konkretisht të dispozitave ligjore të nenit 242 par.4 të KPPRK-së për mbajtjen e shqyrtimit fillestar dhe nenit 314 par.1 nënpar 1.1 për përfundimin e shqyrtimit gjyqësor në afat kohor prej 90 ditësh. Pra, në këtë rast përveç se është paraqitur shkelje e qartë ligjore e afatit për caktimin e shqyrtimit fillestar, gjykata ka dështuar që të përfundojë gjykimin brenda periudhës 90 ditore.

Në sistemin tonë gjyqësor është bërë paraktikë mosrespektimi i afateve ligjore për mbajtjen e seancave gjyqësore dhe përfundimin e gjykimit në kohën e paraparë, ani pse ligjvënësi ka paraparë që seanca fillestare të mbahet brenda 30 ditëve pas ngritjes së aktakuzës dhe gjykimi të përfundojë brenda 90 ditëve nga gjyqtari i vetëm gjykues. Një gjë e tillë nuk po ndodhë për faktin se është krijuar bindje nga ana e gjykatave që veprimet e tilla nuk përbën shkelje esenciale të dispozitave ligjore, andaj edhe nuk po i kushtohet rëndësi respektimit të këtyre normave ligjore.

Për më tepër Drejtësia Sot thekson se, nuk ka asnjë arsye që deri më tani nuk është mbajtur seanca në fjalë, kur dihet  fakti që në këtë rast nuk ekziston numër i madh i palëve në procedurë, e që do të mund të paraqiste ndonjë pengesë objektive për mbajtjen e kësaj seance për shkak të gjendjes me pandeminë Covid-19.

Drejtësia Sot, rikujton që është obligim i gjykatës që të evitojë çdo mundësi të zvarritjes së procedurës penale, me qëllim të përfundimit të gjykimit në kohë të arsyeshme duke u mbështetur në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenin 31 par.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 5 të KPPRK-së.

Prandaj duke u bazuar në argumentimin e mësipërmDrejtësia Sot rekomandon gjykatën të ndërmarr veprime të menjëhershme për caktimin e seancës fillestare dhe eliminimin e zvarritjes së rastit në fjalë ashtu që të respektohen të drejtat e të pandehurit në procedurë, respektivisht parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Më Shumë

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Si u vra para syve të gruas e vajzës? – Zbulohen detaje tronditëse të vrasjes së Beqir Morinës në Prizren

Beqir Morina u vra në mënyrë mizore me dhjetë plumba në kokë para syve të bashkëshortes dhe vajzës së tij 8-vjeçare. Aktakuza e Prokurorisë Themelore...

Lajmet e Fundit