18.3 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Mes burrave dhe librave

Jacqueline Jill “Jackie” Collins mbretëresha e bestseller është ndarë nga jeta më 19 tetor 2015 në moshën 77-vjeçare.

Një grua e bukur, Collins e përdori letërsinë për të ndërtuar botën që donte.

E lindur në Britaninë e Madhe, ajo udhëtoi drejt Los Angeles në vitin 1960, ku do të qëndronte gjatë gjithë jetës së saj. Shkroi 32 romane, të cilat për vite me radhë kryesuan listën e librave më të shitur sipas “The New York Times” bestseller. Në total librat e saj kanë shitur më shumë se 5000 milionë kopje, dhe janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Disa prej librave janë ekranizuar. Libri që do ta kthente menjëherë në një nga emrat më të njohur të letërsisë amerikane ishte romani “Bota është e mbushur me burra të martuar”, të cilin e botoi më 1968.

Deri para se të botonte këtë libër, Jackie shkruante tregime të shkurtra dhe asnjëherë nuk kishte çuar në fund një novelë. Ishte bashkëshorti i saj i dytë, Oscar Lerman, i cili një ditë i thotë “Ju jeni një rrëfimtare e shkëlqyer, ti duhet t’i kthesh në libra këto histori”. Kaq do të mjaftonte që dashurinë e një burri Jackie ta kthente në frymëzim të pasionit të saj të heshtur. Romani i saj i dytë “Dashnori” 1969 do të kishte të njëjtin fati si libri i parë, duke u kthyer në bestseller. Vitet ’80 do të ndryshonin jetën e shkrimtares.

Zhvendosja në SHBA, duket se do të jetë me fat për të. “Nëse ka një vend ku ju do të ndieni suksesin, ai është Los Angelos”, do të shprehej ajo. Dhe Los Angelos i viteve ’80 ishte i tillë për Collins.

Në vitin 1981 ajo boton romanin “Shansi”, i cili vazhdon të lexohet ende sot për një personazh tepër interesant si Lucky Santangelo, një vajzë e rrezikshme dhe e bukur. Duket sikur Collins i kishte veshur këtij personazhi jetën e saj. Një grua me sharm, që kërkon me ngulm të jetë e suksesshme, por njëkohësisht dhe të jetë e vërtetë. Romani “Gratë e Hollivudit” të cilin e botoi më 1983 do të kryesonte për vite me radhë listën e “New York Times” për librat më të shitur.

Romani do të shiste 15 milionë kopje dhe Collins do të ndihmonte me këtë libër dhe motrën e saj aktore, Joan, e cila interpreton rolin kryesor në ekranizimin që iu bë librit. Më 1986-n ky libër do të pasohej nga një tjetër botim “Burrat e Hollivudit” dhe “Rock Star” më 1988-n.

Jeta e saj private nuk ka qenë e qetë. Më vitin 1960 ajo u martua me Wallace Austin, me të cilin do të divorcohej katër vite më vonë, për shkak të varësisë që ai kishte nga droga. Pas ndarjes një vit më pas, Austin do të vdesë nga mbidoza. Çifti kishte një djalë, Tracy i cili lindi më 1961. Më 1965, Collins martohet me Oscar Lerman, një galerist i njohur. Dasmën e tyre e bënë në shtëpinë e së motrës së Collins Joan, e cila në atë periudhë ishte e martuar me Anthony Newley. Collins dhe Lerman kanë dy vajza Tiffany dhe Rory. Lerman do të ndahej nga jeta në vitin 1992 nga kanceri.

Në vitin 1994, ajo fejohet me biznesmenin e njohur nga Los Angelos, Frank Calcagnini, i cili do të ndahet nga jeta katër vite më vonë nga një tumor në tru. Por këto humbje nuk e penguan Collins të vazhdonte të kërkonte dritë në jetë. Në vitin 2011 kur u pyet në ishte duke dalë me dikë, ajo u përgjigj se “ka gjithnjë një burrë diku, për çdo rast”. “Unë u rrita duke lexuar revistën e “Play boy” të babait tim, duke parë figura me apartamente e makina fantastike. Tani unë i kam të gjitha këto. Pse duhet të kërkoj sërish një burrë, kur unë kam pasur dy burra fantastikë në jetën time. I pari ishte bashkëshorti im për 20 vite, dhe i dyti i fejuari im për 6 vite”, u shpreh ajo. “The Sunday Times” e ka renditur atë si një nga shkrimtaret më të pasura të Britanisë së Madhe. Collins bëri gjithnjë një jetë të ndarë mes Britanisë dhe SHBA-së duke i dashur të dyja këto vende. Por letërsia duket se qe shpëtimi i saj, bota ku u ndje më e bukur dhe më e fortë.

“Unë shkruaj për gjërat që di. Më pëlqen të shkruaj, dhe gjithnjë bie në dashuri me personazhet e mi. Ata bëhen unë dhe unë bëhem si ata”, do të shprehej ajo në një konferencë.

Zemra e shkrimtares pushoi më 19 shtator 2015 nga kanceri i gjirit dy javë përpara se të mbushte 78 vjeç. Ajo u diagnostikua me kancer 6 vite më parë, por e mbajti të fshehtë. Motrave të saj u tregoi vetëm 9 ditë përpara se të ndahej nga jeta. Kjo, pasi Collins donte të jetonte bukur, pa fjali për sëmundjen në jetën e saj.

Vetëm dy javë më parë ajo ishte e ftuar në një emision televiziv për të folur mbi jetën. “Nuk shqetësohem për moshën time. Jam ende këtu, dhe bëj atë që kam dëshirë të bëj më shumë…kjo është më mirë se një alternativë”, do të shprehej ajo. Këto nuk u ngjasonin fjalëve të një gruaje që po luftonte me një kancer terminal. Vetëm disa ditë pas kësaj interviste, Collins do të mbyllte përgjithmonë sytë në apartamentin e saj, duke e mbajtur sëmundjen sekrete deri në fund. E motra Joan do të postonte menjëherë një foto me të në faqen e saj në Facebook, shoqëruar me shprehjen “Lamtumirë motra ime e bukur. Do më mungosh gjithmonë. Pusho në paqe”. Vetëm disa javë më parë ato pinin të dyja çaj në një hotel në Londër, ku Jack ishte ftuar për të folur mbi librin e saj të fundit. “Joan dhe unë jemi mikesha shumë të ngushta. Ne pimë çaj vetëm disa ditë më parë dhe ajo më dërgoi mua lule kur mbërrita në Londër. Njerëzit gjithnjë përpiqeshin të futeshin mes nesh, për të na ndarë, pasi ne ishim të suksesshme. Por ishim dhe krejtësisht të ndryshme. Joan është më sociale, më glamur dhe i pëlqen moda. Unë jam më e mbyllur, dhe më pëlqen më shumë të dal për dreka apo darka. Asaj i pëlqen të rrijë natën e të festojë, ndërsa mua të rri në shtëpi dhe të shkruaj”, do të shprehej Collins.

Është e çuditshme sesi ajo arrinte ta fshihte sëmundjen dhe pse ishte në ditët e fundit të jetës, duke u shfaqur tërheqëse veshur me një palë pantallona të zeza, duke u shfaqur plot humor dhe tërheqëse. Collins dha gjithnjë shumë pak informacione për jetën e saj private. Në Londër ajo tregoi se kishte nisur të shkruante kujtimet. “Është e vështirë të kthehesh pas në kohë dhe të shkruash. Por mendoj se kam shumë për të treguar mbi mënyrën sesi duhet ta përballosh jetën dhe kur ajo të përball me humbjet. I fejuari im, Frank, ishte i mahnitshëm. Ai ishte italian i bukur, dhe dukej si një hero i dalë nga librat e mi. Më kujtohet ajo ditë kur prisja që ai të dilte nga zyra e mjekut. Kishte shkuar të kontrollohej për një kollë. Ai doli i bukur si gjithnjë duke më thënë “Kam vetëm tre muaj jetë”. Tre muaj më vonë ai nuk ishte më. Gjithnjë mendoj ku shkuan flokët e tij të zezë të trasha dhe kaçurrela…”, do të shprehej Collins.

Në kujtime, shkrimtarja tha se kishte shkruar dhe për disa lidhje sekrete që kishte pasur, vajzat dhe shkrimin e librave. Iku mbretëresha e bestsellerëve, gruaja që e bëri shkrimin e bukur dhe u dha mijëra femrave kurajë për të dashuruar e për të ndryshuar jetët e tyre, përmes librave të saj./ Gazeta Shqip

Më Shumë

Nesër Xhoxhaj bokson kundër Alievit

Boksieri nga Kosova, Labinot Xhoxhaj, i cili është kampion aktual evropian i peshave të rënda në EBU, do të ngjitet nesër në ring ku...

Profesori dyshohet se goditi kolegen në Universitetin “Ukshin Hoti”, rasti nën hetim për lëndim të lehtë trupor

Një punonjës akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dyshohet se të martën ka goditur një punonjëse akademike gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në...

Lajmet e Fundit