13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Mes Mustafës dhe Haradinajt, do të zgjidhja Haradinajn

Ilir MirenaShkruan: Ilir Mirena

Gjuha mes anëtarëve të Bllokut, LDK, AAK, VV e Nisma, gjithnjë e më shumë po i ngjan gjuhës së fushatave elektorale. Nëse do të isha në një situatë ku patjetër do të më duhej të zgjedhja mes Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt për Kryeministër të vendit, pa më të voglin dyshim që do të përcaktohesha për Haradinajn. Qe disa arsye të një përzgjedhjeje të tillë; Edhe pse mund të duket krahasim banal, por për mendimin tim esencial, Isa Mustafa është shumë më i moshuar se sa Haradinaj. Pse mosha ka rëndësi? Jo se kam diçka kundër të moshuarve, por një lider i molisur nga mosha, stresi, shto këtu edhe ndonjë problem shëndetësor, e ka të pamundur që të ndryshojë diçka, e aq më pak ta nxjerrë Kosovën nga telashet në të cilat jemi zhytur e nuk po mundemi të dalim – problemet politike, ekonomike dhe integrimin e vendit në BE. Pushtetin e Isa Mustafës e kemi provuar në gati dy mandate në qeverisjen e Prishtinës. Fatkeqësisht, trashëgimia qeverisëse që ka lanë LDK në Prishtinë është shumë e zymtë. Pasojat tashmë i ndjen secili kryeqytetas, dhe për normalizimin e Prishtinës do të duhet të merren disa gjenerata politikanësh. Nëse do të normalizohet ndonjëherë!

Nisur nga ajo që kemi parë në Prishtinë, por edhe në qeverisjen qendrore të LDK’së, para se PDK të merrte pushtetin, si mund të keni konfidencë në dikë për të drejtuar vendin kur për çdo ditë para syve tanë kemi modelin se si ishte menaxhuar kryeqyteti për plot 15 vjet. Në Qeverisjen e Prishtinës, është dëshmuar pafuqia e Mustafës për marrjen e vendimeve. Mustafa mund të ketë pasur vizione qëllimmira për Prishtinën, por gjendja në kryeqytet kishte dëshmuar se nuk ishte ai që pyetej a merrte vendimet. Ishin klanet e fuqishme familjare të biznesit dhe politikës brenda LDK’së që e transformuan Prishtinën në një qytet sot për sot të pariparueshëm. Kush garanton se e njëjta nuk do të ndodhë me Isa Mustafën Kryeminstër? Mustafa, përpos një mirëmbajtje hibernuese, LDK’së si parti nuk i ka sjellë ndonjë energji të re. Ai, në më pak se një vit i solli partisë së tij dy humbje të mëdha. I shpallur shumë moti si kandidat për Kryeministër nga LDK’ja, ai humbi garën në zgjedhjet komunale në Prishtinë. Humbja e dytë ishin zgjedhje nacionale të Qershorit, ku nuk arriti ashtu siç kishte premtuar që partinë e tij ta bënte të parën në vend. Përkundrazi, rezultati ishte si mos më keq.

Nisur nga këto rezultate turpëruese nuk e kuptoj se ku zë fill krekosja e fundit e njerëzve të LDK’së? E sa për Haradinajn – megjithatë përfoljet për të, nga më të ndryshmet dhe më monstruozet, të cilat shpeshherë i ka ushqyer me veprimet e tij, siç ishin konfliktet feudale të pasluftës me familje të ndryshme në Dukagjin – kur krahasohet me Mustafën, pa ndonjë dilemë do të përcaktohesha për të.

Fundja, Haradinaj personalisht asnjëherë nuk është testuar në poste publike, përpos atyre 100 ditëve mitike për adhuruesit e AAK’së. Ta kemi parasysh, gjithnjë po flasim në mes dy opsioneve, Mustafa përballë Haradinajt. Veçse, edhe ashtu nuk duhet ta gënjejmë veten se alternativat tjera i kemi të shumta e të shndritshme. Krejt çka ofron ky vend në politikë për një dekadë e gjysmë është Mustafa, Thaçi, Ramushi, Limaj e Kurti. Është për keqardhje, veç duket se edhe një kohë të gjatë do të jemi të dënuar të bëjmë zgjedhjen e të keqes me të vogël.

Më Shumë

Shqetësime për shëndetin e Mike Tyson para duelit me Jake Paul

Shqetësime të reja janë ngritur në lidhje me ndeshjen e ardhshme profesionale midis YouTuber-it të kthyer në boksier Jake Paul dhe ish-kampionit të peshave...

Vdes një 60 vjeçar në Prizren, pësoi sulm në zemër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete në një hotel. Bëhet fjalë...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit