3.4 C
Prizren
E diel, 21 Dhjetor, 2025

Mësuesi im i parë ka qenë një njeri i poshtër

Nga Sali Kabashi

Katërdhjetë fëmijë të Zallçit, Prekallës, Gjurakovcit, Kovragës, Muzhevinave, Llukavcit të Begut, Llugave e Tomocit ishim në klasë të parë. Mësuesi kishte gjithmonë gojën me pështymë. Gojë e mbushur me dhëmbë të nxirë, disa të veshur në argjend e të tjerë me ar.
Ende ia dëgjoj urdhërin: Shtrije dorën!

Të gjithë ne i shtrinim duart. Ai me thuprën që mbante me vete, si i tërbuar, radhazi godiste duart tona të njoma.

Na rrihte mësuesi ynë sepse vinte re se dikush e kishte prishë rreshtin, se kishte guxuar të fliste zëshëm në koridor, se në klasë dikush kishte shtyrë tjetrin. Mësuesi i ndëshkonte të gjithë e pa dallim…

Na rrihte sidomos kur ai hynte në klasë, ndërsa ne nuk ishim ngritur rrufeshëm me sytë drejtuar në foton e Mareshalit Tito varur mbi dërrasë të zezë. Dhe nuk kishim brohoritur fuqishëm e njëzëshëm ashtu siç na kishte mësuar ai në ditën e parë të shkollës:
«Për Atdhe me Titon përpara!»

Na rrihte pamëshirshëm. Nga goditjet e thuprës së tij na krijoheshin këpuja gishtave e shuplakave të duarve.

Mizoria e atij mësuesi mbi ne vocërrakët zgjati një vit të tërë. Rrahjen me thupër mësuesi ynë i tmerrshëm nganjëherë e kombinonte edhe me shkulje të tmerrshme veshi e flokësh.

Një vit të tërë me frikë e me të dridhura prisnim orët mësimore me mësuesin e tërbuar, për të cilin më vonë morëm vesh se nuk kishte pas mbaruar më shumë se katër klasë të fillores në Jugosllavinë e Krajlit. Kuptohet, serbisht!

Drejtori i shkollës ishte malazez. Mësuesi ynë i parë dhe drejtori ynë kishin qenë pobratima mes vete. Domethënë ishin të vëllazëruar. Katërfish pobratima. Drejtori kishte edhe tre vëllezër, tre vëllezër kishte edhe mësuesi ynë. Pas një vit a dy, tre vëllezërit e tij kishin pi gjak me tre vëllezërit e drejtorit. Në Pogur, Podrime, Drenicë e Rekë të dy palët ishin bërë shembuj vëllezërim-bashkimi serbo-shqiptar…

Mësuesi im i parë ishte njeri i poshtër. Nuk ishte mësues, ishte katil!
Ka pasë edhe të tjerë mësues katila dhe mësues të poshtër.
PS

Në shkollë të Gjurakovcit, për mua, sa isha nxënës aty, mësuesi më i mirë, më punëtori e më i dashuri, ka qenë Remzi Shala nga Peja, vëlla i Bajram Shalës, mësues i vjetër në Pejë. Remzi Shala ka përfunduar karrierën e profesorit të shqipes në Prizren.

 

 

Më Shumë

Vdes ish-luftëtari i UÇK-së, Ilir Morina nga Malësia e Vogël e Rahovecit

Në moshën 47-vjeçare ka ndërruar jetë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Morina, nga Malësia e Vogël (Radostë) e Rahovecit. Lajmin për ndarjen e...

Alis triumfon në Fest 64 – “Nân” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

Këngëtari shkodran Alis me këngën “Nan” ka rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, duke fituar si zemrat e...

Lajmet e Fundit