3.3 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

“Miliarderët” e varfër të Veton Surroit

Veton-SurroitAg Apolloni

Romani “Miliarderi” i Veton Surroit, me natyralitetin e tij dhe me gjerësinë tematike, është histori që fatkeqësisht e kemi jetuar të gjithë, por që rastësisht e ka shkruar vetëm njëri e që, fatmirësisht, mund ta lexojmë të gjithë. Në të autori ka akorduar “storjen” e tij me “historinë” tonë, prandaj suksesi i tij dhe interesimi ynë për rrëfime të tilla dita-ditës mund të rriten
Edhe pse gjithmonë është vështirë të vihen kufij kohorë në rrjedhën historike të letërsisë, në debatet letrare aktuale dominon mendimi se letërsia e shekullit të ri përfundimisht e ka forcuar relacionin me jetën duke kaluar shpesh në diskurs dokumentar, aq sa tani vihen pikëpyetje rreth distinksionit fiksionalitet-dokumentaritet, jo në kurriz të letërsisë, por në kurriz të dokumentit, i cili, tek e fundit, është gjithashtu shkrim, anipse me pretendime më të mëdha besueshmërie. Si fill i këtyre debateve, ka shërbyer desakralizimi zhanror i librave të këtij shekulli, lufta që i shpalli postmodernizmi teorisë së zhanreve dhe provokimi që bëri në shekullin e kaluar Akademia Suedeze kur ua dha çmimin Nobel për letërsi filozofit Bertrand Rusell “për mbrojtjen e idealeve humaniste dhe për mbrojtjen e mendimit të lirë” dhe liderit politik Winston Churchill për përshkrimet historike, biografike dhe për ligjëratat oratorike, pra për letërsinë dokumentare. Sot biografitë, ditarët, esetë, itineraret dhe memoaret janë pjesë e domenit të letërsisë, së cilës ia kanë luajtur kufijtë, jo për ta ngushtuar, por për ta zgjeruar.

Letërsia shqipe pak ka përfituar nga debatet e tilla dhe dëshmi e kësaj është produkti letrar i viteve të fundit. Kjo letërsi ende maskohet me figura stilistike stereotipe si pasojë e drojës nga natyraliteti narrativ. Shkurt: këtu proza ende ka frikë nga prozaikja.

Një roman që nuk e ka këtë frikë është “Miliarderi” i Veton Surroit. Edhe pse është romani i parë i tij, ky nuk është roman i një fillestari në fushën e letrave. Autori, i diplomuar për Filozofi dhe Letërsi në Universitetin e Mexico City-t, përkthyes i veprës së Gabriel Garcia Marquez-it, në kolumnet e tij socio-kulturore shpesh ka sjellë informacione mbi debate e vepra të mëdha që për lexuesit shqiptarë, përfshirë dhe profesorët e letërsisë, kanë qenë të panjohura. Prandaj, “Miliarderi” nuk është hapi i parë i tij në letërsi, por është hap i madh dhe i sigurt, hap i njeriut të letrave që, më në fund, vendos të bëhet letrar. Tashmë autori nuk mjaftohet me lojën oratorike, por i përvishet lojës stilistike, duke krijuar struktura narrative që janë të hapura ndaj të kaluarës (si temë), ndaj të tashmes (si teknikë) dhe ndaj të ardhmes (si ide). Strukturimi i romanit “Miliarderi” sipas modeleve aktuale të letërsisë anglo-amerikane e rikthen bindshëm ankthin e së kaluarës në të sotmen dhe e aprovon kështu sloganin postmodern: historia flet tash.

Loja me titull

Titulli i veprës zakonisht mundohet të përmbledhë përmbajtjen, ose ta shënjojë thelbësoren e veprës. Historia njeh katër kategori të mëdha titujsh: tituj eponimikë, tituj tematikë, tituj shkencorë dhe tituj mashtrues. Në kategorinë e parë hyjnë veprat që me titull shënjojnë heroin (“Ana Karenina”, “Tonio Kroeger”, “Dr. Zhivago” etj.), në kategorinë e dytë – veprat që afishojnë temën në titull (“Lufta dhe paqja”, “Të mjerët”, “Komploti kundër Amerikës” etj.), në kategorinë e tretë – veprat që kanë tituj shkencorë (p.sh., romani “Afritë përzgjedhëse” i Goethes që huazon titullin nga kimia dhe romani “Procesi” i Kafkës që huazon titullin nga jurisprudenca), ndërsa në kategorinë e katërt hyjnë veprat që mashtrojnë, ose hutojnë me tituj (“Idioti” i Dostojevskit, “Ujku i stepës” i Hesses, “Tuneli” i Sabatos, “Emri i trëndafilit” i Ecos etj.).

Një titull që huton lexuesin është edhe “Miliarderi” (2013). Ai duket sikur është titull joletrar, “ekonomik”, por gjatë leximit të librit kuptohet që ai është letrar, madje ironik. Titulli shënjon përmbajtjen që flet për efektet e inflacionit në periudhën e pushtimit, që ishte periudhë e zhvleftësimit të parasë dhe të njeriut. Njerëzit janë miliarderë, por miliardave u ka humbur vlera dhe ata e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të blejnë një këmishë, apo një saksi lulesh, apo gjëra elementare për jetesë. Paradoksalisht, ata janë miliarderë të varfër, sepse Liria (si personazh dhe si koncept) vritet, kurse robëria shëtit anembanë vendit. Këtu nuk është Troja, e megjithatë një Hektor torturohet dhe lihet në rrugë pa ndjenja.

Por, romani “Miliarderi” nuk ka vetëm një ose dy tema. Ai ka një spektër tematik brenda të cilit trajtohen: dëbimi nga puna, dhuna, protesta, patriotizmi, pseudopatriotizmi, kolaboracionizmi, seksi, mërgimi etj. Krejt në fund të romanit për absurditetin e jetës në Kosovë, shfaqen kryetemat e letërsisë së absurdit: përhumbja dhe pritja. Dhe këto kryetema vendosen në toposin e letërsisë absurde: në stacion të trenit. Ky invencion artistik për ta përmbyllur rrëfimin në toposin e duhur me tema të duhura për personazhet e përhumbur që presin vdekjen ose lirinë, nuk dëshmon vetëm kreativitet, por edhe kulturë të madhe të leximit e, rrjedhimisht, njohje të thellë të letërsisë.

“Miliarderi” është letërsi urbane e cila trajton temën nacionale, por të artikuluar si temë personale e gërshetuar me socialen. Nuk ndiqet një linjë kronologjike, por paraqiten inserte okazionale, ashtu si i kujtohen narratorit, nga periudha e pushtimit. Akumulohen fakte dhe situata, të cilat nëpërmjet shkathtësisë së shenjëzimit, montohen brenda diskursit narrativ për të dhënë pamjen e një ankthi kolektiv të filtruar nëpërmjet filtrave subjektivë të narratorit, i cili në këtë roman, i përket kategorisë “homodiegjetike” (Genette), që do të thotë se rrëfen për ngjarje në të cilat vetë është i implikuar.

Për nga njohja e realitetit dhe vetëdija letrare, narratori në këtë roman është thjesht një alter ego e autorit, kurse për nga biografia janë dy botë paralele, ku bota letrare huazon jetën reale, varësisht nga nevoja e narratorit, apo nga dëshira e autorit. Po ashtu, disa personazhe të tjera (kryetari, boksieri etj.) që janë lehtë të identifikueshëm në jetën reale, e forcojnë lidhjen e tekstit me referencën, e cila, ashtu si edhe romani, ka qenë e mbushur me provokime, kërcënime, rrahje, plagosje, vrasje dhe vetëvrasje. Mirëpo, sado që teksti flet për një kontekst të egër të cilin e kanë jetuar narratori, autori dhe lexuesit, tonaliteti diskursiv ruan shkallën e neutralitetit, çka flet për një kontroll të plotë racional mbi botën emocionale të universit narrativ.

“Miliarderi” ndonëse ngrihet mbi një kontekst real të kolektivitetit, po të përdornim termat e Ecos, nuk bie në kurthin e “definitivitetit”, por mbyllet me “aperativitet”, që do të thotë se preferon mbyllje “të hapur”, mbyllje që lë mundësi të pashtershme interpretuese, pra e bën rrëfimin sugjerues, jo konkludues, jo ideologjik, qoftë edhe kur flet për ideologjinë.

Loja me histori

Një nga parimet kryesore të letërsisë postmoderne, sipas Linda Hutcheon, është argëtimi me të kaluarën (“The Pastime of Past time”). Një lojë të tillë e gjejmë edhe te romani i Veton Surroit, përkatësisht në shtatë nivelet e humorit të tij: sarkazmi, satira, farsa, grotesku, parodia, burleska dhe ironia, të cilat i shtojnë sharmin romanit dhe dëshmojnë për finesë në artikulim, ngaqë humori, e sidomos disa tipa të tij, shpalosin zgjuarsi të autorit dhe fodullëk të personazheve.

“Miliarderi” disa herë imponon të qeshurën nëpërmjet formulimeve sarkastike, si: “Kushëriri i Lulit qe i njohur në atë anë, si palosës i duarve për paqe të përjetshme. Dhe si i vetmi i agjencisë funerare që i merrte, pa bezdi të gjitha rrobat e të ndjerëve. Në agjenci u bë i njohur për pedanterinë e tij edhe te furra e krematoriumit”, apo “E quajti kafiterinë ‘Ron’. Kur e regjistroi dyqanin në komunë i thanë se tash nuk lejohej të viheshin emrat amerikanë në lokale publike, e ky u përgjigj qetazi, dhe me suksesin e garantuar nga një bankënotë njëzetmarkëshe lënë në sportel, se emri ‘Ron’ është shkurt prej Biberon”. Po ashtu, humorin shpesh e ngre në shkallë satire, duke tallur dhe thumbuar. Një i papunë mendon të hapë një biznes profitabil, por nuk di çfarë mund të jetë ai dhe nis e mendon derisa e gjen zgjidhjen: “Ne prodhojmë njerëz, na shpjegoi. Është e vetmja gjë që prodhojmë.

Kemi aq sa disa t’i çojmë në varreza, disa në mërgim dhe prapë saldoja jonë mbetet pozitive”, kështu që vendos të importojë biberonë. Dhe kur i vjen një ofertë e volitshme për t’u marrë me kondoma, refuzon, sepse kjo “ia prishte logjikën elementare të biznesit, të kapacitetit të vendit tonë për të prodhuar njerëz”. Fillimi i romanit nis si farsë, kur të përjashtuarit nga puna shkojnë në kafeteri “për ta festuar” daljen nga puna: “I rreshtuar për të dalë jashtë sallës, e mora sikur edhe kolegët e mi vendimin për përjashtim nga puna. E mbaja në duar, sikur edhe të tjerët, një copë e theksuar krenarie, ndërsa u nisëm rresht në kafehane, të festonim tok”. Grotesku shfaqet herë pas here për të treguar ankthin e personazheve. Një shembull i groteskut është ai kur narratori sheh një mur të vjetër që po e rrënojnë dhe shikon mos po ia sheh veshët, duke dhënë kështu një shembull grotesku si lojë me idiomën “muret kanë vesh”. Kjo tregon frikën nga spiunimi, pra bëhet shenjë e frikës intelektuale dhe e rënies morale, kurse futja e parave në qese bërlloku tregon rënien e vlerës monetare. Po ashtu, parodia shtrihet gjithandej në tekst, pasi në një kohë ankthi dhe rreziku të përgjithshëm, shqiptarët në vend të lajmeve, shikojnë filmat e përnatshëm pornografikë, kurse kampioni i boksit bie shkallë-shkallë nga maja e suksesit: “Në fillim thoshin se është trim, se luftonte pa shikuar se kush është kundërshtari. Me kohë, se është teknik i mirë, se dinte ku duhej vendosur goditjet, se si do të mbrohet. Më vonë se është i mençur, se kur e shihte se kundërshtari është shumë më i fortë, e sillte veten në kock-down, shenjë për referat dhe publikun se ajo betejë mbaroi”. Po ashtu, një sasi e madhe e rrëfimit artikulohet si burleskë më një figurë patriotike, i cili, i mësuar të rrijë vetëm në burg, nuk di çfarë të bëjë në dhomë me prostitutën. Kështu, burleska vë patriotizmin përballë prostitutës, për të përplasur lirinë e munguar me lirinë e tepruar dhe për të sinjifikuar se dikush nuk e gjen veten në asnjërën. Ndërsa, figura më e përdorur është ajo e ironisë si figurë dominuese e letërsisë postmoderne.

Ajo nuk i kontribuon paraqitjes pikturale, sepse janë grotesku e farsa që mbulojnë planin imazhist të rrëfimit, mirëpo nëpërmjet ironisë krijohet, siç thotë Octavio Paz, “parafytyrimi mbi kompleksin intelektual dhe emocional në një moment të caktuar”. Në thumb të ironisë gjenden: pushtuesi (torturuesi), nëpërmjet fjalisë që paraqet pasojën (“ndreqësi i eshtrave quhet personi që vë në vend eshtrat të cilat dalin nga vendi nga marrja në pyetje”); i pushtuari (profesori shet banane, Arbër Hasin e rrahin policët dhe e detyrojnë të këndojë) dhe kolaboracionistët, për të cilët në vend se të thuhet “janë spiunë me traditë”, thuhet në mënyrë ironike: “janë tradicionalisht mbledhës gojëdhënash”. Ironia me spiunët shkon deri atje sa të paraqiten si njerëz që s’duan të vdesin, sepse të vdekur s’mund të mbledhin “gojëdhëna”, apo si njerëz që jepen me mish e me shpirt pas “profesionit” të tyre: “Kur ndodhin shumë gjëra, i biri i Hamdi Leqit nuk pshurr; gjërat që ndodhin nuk lejojnë që të humbet koha me bjerrje anësore”. Shembuj të ironisë, ashtu si edhe të tipave dhe niveleve të humorit, mund të gjenden me shumicë në këtë roman, por ajo që është me rëndësi të konstatohet është aftësia për të operuar me nuanca humori në situata të rënda dhe për të krijuar kështu një roman tragjikomik, një roman ku pavarësisht elementeve të shumta komike, tragjikja e thotë fjalën e fundit.

Romani “Miliarderi” i Veton Surroit dallohet për risinë tematike, për akrobacionet stilistike, për natyralitetin e përshkrimit të situatave politike dhe erotike, si dhe për krijimin e një bote sa absurde, aq edhe drithëruese.

“Miliarderi” është shkruar me përvojë jetësore, me dije letrare, me vetëdije eksperimentale dhe me shije estetike. Si i tillë, botimi i tij është një lajm i mirë për letërsinë shqipe./mapo/

 

Më Shumë

Nis Fest 63 në RTSH, 15 artistë prekin sot skenën magjike

Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e natës së parë të FEST 63 në RTSH që do ngjisë në skenë artistë të ndryshëm,...

Kanosi dhe ofendoi policët, arrestohet një person në Suharekë

Një person është arrestuar në Suharekë pasi që i njëjti kishte kanosur dhe ofenduar policët. I dyshuari është dërguar në mbajtje. “Është arrestuar i dyshuari mashkull...

Lajmet e Fundit