37.5 C
Prizren
E shtunë, 26 Korrik, 2025

Ministri Gashi: Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës

Ministri Gashi: Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, nën patronatin e Ministrisë së  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Edukimit dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë organizuar manifestimin “Ditët e Skënderbeut”.

Në këtë manifestim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili fillimisht foli rreth historisë dhe studimit të ngjarjeve duke theksuar se “kthimin për studim të ngjarjeve, historive të cilat me shekuj janë prapa nesh, e bëjmë jo për simbolikë por për ta njohur të kaluar”.

“Historia e jonë kombëtare, në djepin e të cilës u lindë krenaria, pavarësia e kombit, në veçanti i njeh katër data fatbardha:  vitin 1444 kur Gjergj Kastrioti mblodhi në Lezhë Kuvendin e prijësve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, vitin 1878, katërqind vjet pas , kur në Prizrenin historik, Abdyl Frashëri tuboi krerët e mbarë Shqipërisë, vitin 1912 kur lindi shteti shqiptar, Shqipëria dhe vitin 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Republikës së Kosovës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu shtoi se “historia jonë edhe nga Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar, për ruajtjen e territoreve të hapësirës jetike shqiptare, për faktorizimin e elementit shqiptar. Gjithsesi, edhe për faktin se, për ne shqiptarët, historia e qytetërimeve nuk ishte aq e mëshirshme, aq miqësore, ne u detyruam që, rrugën e mbijetesë sonë ta hapim edhe me fuqinë e shpatës dhe të plumbit. Jo se ashtu deshëm, por, ngase sunduesit, veçmas ata sllavë në vend të paqes e të mirë fqinjësisë, na imponuan luftëra. Kështu rrodhi historia e jonë kombëtare, sikur lumi i madh i epokave që rrjedh pa u ndalur, pra, nga Epoka skenderbegiane, deri te Epoka e UÇK-së së lavdishme me kryekomandantin Adem Jasharin”.  

Në fund të fjalës së tij ministri Kujtim Gashi foli për rrugët e integrimeve euro-atlantike.

“Ne, pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail  Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, jemi përballë thirrjeve të qytetërimeve të reja. Sërish, me emblemën skenderbegiane, po trokasim në portat e Evropës së Bashkuar, në djepin e kulturës, aty  ku janë gjurmët, rrënjët tona, qytetërimi dhe historia  shqiptare”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq rektori Dema, tha “kemi tentuar që frymën kastriotiane ta rijetojmë duke vendosur interesin e përgjithshëm para interesit personal, ashtu siç ka bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe kur Universiteti i Prishtinës është mirë atëherë edhe Kosova është mirë”.

Më Shumë

Mot përvëlues, temperaturat deri në 39 gradë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat mund të sjellin reshje të...

Aksident i rëndë në Prizren: Përdoruesi i trotinetit goditet nga dera e veturës

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 12:40 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Prizren, ku një person që po lëvizte me...

Lajmet e Fundit