Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në panelin e diskutimit “Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore” të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Me këtë rast ministri Gashi fillimisht foli rreth Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare –PDV duke thënë se “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tashmë është lidere në Kosovë, rajon pse jo edhe model për shumë vende të ndryshme për njohjen institucionale dhe regjistrimin e punës vullnetare përmes Platformës dhe Databazës për Punë Vullnetare. Kjo është platformë elektronike shumë e avancuar e pa kopjuar dhe e krijuar nga ne dhe që administrohet nga Departamenti i Rinisë ku mbështetje teknike dhe financiare kanë dhënë UNICEF-i dhe OSBE-ja, mbështetje për të cilën gjithsesi jemi mirënjohës”.
Ministri po ashtu tha se kjo platformë jetëson lehtësisht Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2016 për punë Vullnetare për të Rinjtë në Kosovë. “Udhëzimi administrativ që ka krijuar MKRS-ja është një akt nënligjor i Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë dhe është në funksion të të rinjve dhe me shumë përgjegjësi themi se është akt nënligjor që është zbatuar 100%, së fundi edhe me shpalljen e vullnetarit të vitit me 5 dhjetor 2018”, theksoi ministri Gashi.
Përveç tjerash, ministri Gashi e përmendi si shumë të rëndësishëm faktin specifikimin e natyrës së punës së të rinjve si mënyrë e parandalimit të abuzimit në emër të vullnetarizmit. Gjithashtu ai foli edhe rreth bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë si UNICEF dhe OSCE për të themeluar për herë të parë Komitetin Kosovar për punë vullnetare për të rinj. “Ky komitet do të ketë rol të madh në promovimin dhe fuqizimin e vullnetarizmit rinor në Kosovë. Në këtë tematikë edhe më shumë gëzon fakti se ne tashmë jo vetëm që kemi trajnuar dhe certifikuar mbi 40 mentor vullnetar rinor”, tha ministri Gashi.
Në fund, ministri Gashi, për të pranishmit ndau të dhëna të nxjerra zyrtarisht nga Platforma dhe Databaza për Punë Vullnetare që administrohet nga MKRS-ja: “Gjithsej i kemi 3455 vullnetarë aktiv që janë të interesuar në platformë dhe që janë regjistruar nga organizata të ndryshme, 188 organizata të regjistruara në Platformë, 135 mundësi të krijuara për punë vullnetare”.
a