12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Mirë se vini, zonja e zotërinj cinikë!

Enver Robelli

Shefi i EULEX-it ankohet: “Nuk kemi miq në Kosovë”. E vërteta është: askund në këtë botë misionet paqeruajtëse dhe shtetndërtuese nuk janë pritur me më shumë dashamirësi se në Kosovë. Dhe askund nuk është keqpërdorur në mënyrë më tinëzare mikpritja nga ndërkombëtarët sesa në Kosovë

Është e kuptueshme që EULEX-i përpiqet të mbrohet. I gjendur nën akuza të ashpra për mungesë rezultatesh, i pranishëm në medie vendore e ndërkombëtare me skandale të llojllojshme, i kritikuar për harxhime marramendëse të parave të taksapaguesve evropianë, i përmendur edhe në kontekst të korrupsionit dhe presionit kundër medieve – krerët e misionit të BE-së për sundim të ligjit, pasi janë mbështetur për muri, kundërgodasin. Por gjuha të cilën po e përdor shefi i Misionit, Gabriele Meucci, flet shumë dhe tregon edhe më shumë për mënyrën krejt të pakujdesshme, nonshalante, të ballafaqimit me situatën e pakëndshme.

Në një muhabet me një gazetë perëndimore Meucci tha këto ditë se EULEX-i në Kosovë nuk ka miq, andaj edhe puna na qenkësh e vështirë, gati e pamundshme. Sepse, vazhdoi ai, kjo shoqëri është e infiltruar nga krimi i organizuar. Nuk mund të mohohet se shoqëria kosovare është infiltruar nga krimi i organizuar, por do të ishte e sinqertë nga ana e Meuccit të tregonte se kush e ka shtruar rrugën deri tek infiltrimi gati i plotë i shoqërisë nga krimi: këtë e kanë mundësuar sidomos misionet ndërkombëtare, të cilat kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për të ruajtur stabilitetin sipërfaqësor në vend – dhe rruga më e lehtë ka qenë pajtimi se duhet bërë kompromis me vetë bartësit e krimit të organizuar, të cilët prej opingarëve u shndërruan në oligarkë, pronarë vilash, veturash të shtrenjta dhe administratorë të xhirollogarive të mbushura me milionë.

Meucci tani, në stilin e tij arrogant, mund të bërtasë: “Ku janë faktet?” E keqja e fakteve është se nuk kanë brirë, as nuk mund të flasin e bërtasin. Duhet të ketë prokurorë eulexianë që pa marrë leje nga eprorët politikë në Bruksel ua vënë prangat të gjithë të dyshuarve dhe fillojnë verifikimin e pasurisë së tyre. Nëse ka bankierë në Zürich që tregojnë se politikanët e Kosovës, përmes ndërmjetësuesve, duan të marrin informata si fshihen paratë, atëherë Meucci duhet t’i pyesë prokurorët e tij nëse e kanë nën kontroll rrjedhën e parave në relacionin bankar Prishtinë-Zürich, Prishtinë-Vjenë, Prishtinë-Stamboll, Prishtinë-Frankfurt.

Meucci me gjasë nuk i bën këto pyetje fare, synimi i tij është ta nxjerrë EULEX-in nga balta dhe të organizojë largimin me sa më pak dhembje. Të thuash, siç thotë Meucci, se EULEX-i në Kosovë nuk paskësh miq, se të gjithë, pa dallim, qenkan të painteresuar që në këtë vend të sundojë ligji, është, thënë më së buti, fyerje e rëndë për shoqërinë e Kosovës. E vërteta është: askund në këtë botë misionet paqeruajtëse dhe shtetndërtuese nuk janë pritur me më shumë dashamirësi se në Kosovë.

Dhe askund nuk është keqpërdorur në mënyrë më tinëzare mikpritja nga ndërkombëtarët sesa në Kosovë. Me përjashtim të ndonjë incidenti të izoluar që nga qershori i vitit 1999 shoqëria e Kosovës ka bashkëjetuar me misionet ndërkombëtare, duke mbajtur qëndrim miqësor – si ndaj ushtarëve të NATO-s, ashtu edhe ndaj personelit civil të UNMIK-ut, OSBE-së, EULEX-it.

Se çfarë domethënë mikpritja e llojit tjetër, Meucci do të bënte mirë të shikonte në vende përtej Kosovës. Në Bagdad është vrarë i dërguari i OKB-së, Sergio Vieira De Mello, i cili në vitin 1999 për disa javë ka qenë shef i UNMIK-ut, në Afganistan përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare janë përherë cak i sulmeve terroriste, siç janë edhe në Pakistan, në Siri po se po, në Libi, në Egjipt, ku ushtrohet presion edhe ndaj, ta zëmë, përfaqësuesve të fondacioneve të partive politike gjermane.

Diçka e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë nga ana e shumicës së popullsisë. Në Afganistan tani një ish-ministër i Punëve të Jashtme i Suedisë i kishte shkelur të gjitha ligjet dhe e kishte kontrabanduar me veturë diplomatike një aktivist për të drejtat e njeriut, duke e çuar në Suedi për ta shpëtuar nga drejtësia e padrejtë afgane. Në Kosovë UNMIK-u, EULEX-i, ambasadat e shteteve që kosovarët pa asnjë dilemë i quajnë mike nuk kanë bërë pothuaj asgjë që të zbulohen vrasësit e aktivistëve të të drejtave të njeriut, gazetarëve, letrarëve. Kjo valle cinike duhet të marrë fund.

Me përjashtim të disa zhurmëbërësve shumica e shoqërisë kosovare ende e mbështet edhe themelimin e Gjykatës Speciale, para së cilës pritet të dalin edhe persona me të cilët e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare ka bashkëpunuar ngushtë që nga viti 1999. Kështu në Kosovë është instaluar kultura e mosndëshkimit në vend të instalimit të kulturës së llogaridhënies. Në vend se të ndërpriste bashkëpunimin me ministra të përzier në skandale, EULEX-i ka bashkëpunuar me ta, i ka quajtur madje partnerë, duke thënë se i ka zgjedhur populli – edhe pse botërisht dihet se zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 janë vjedhur dhe partia “më e madhe” në fakt ka qenë “manipuluesja më e madhe”.

Të gjitha këto duhet t’i ketë parasysh shefi i EULEX-it para se të përpiqet të njollosë të tjerët me fjalor denigrues dhe cinik. Ai duhet ta ketë parasysh se shpeshherë personeli i deritanishëm i EULEX-it nuk ka qenë në nivel të detyrës dhe jo pak pjesëtarë e kanë mbaruar javën të enjten dhe vrap kanë përfunduar në lokalet e buzukut në Selanik apo te ndonjë “klapa” polifonike në Dubrovnik. Ende shoqëria kosovare po i vuan pasojat e udhëheqjes së dobët, madje skandaloze të EULEX-it nga ana e dy gjeneralëve francezë, të cilët merrnin vesh nga shtetndërtimi po aq sa marrin vesh mundësit e sumos në operimin e kancerit. EULEX-i lëre që nuk zbuloi asnjë krim të madh dhe nuk e solli para drejtësisë asnjë nga figurat kyç të korrupsionit, krimit të organizuar dhe fëlliqësive të tjera, por ky mision nuk po ka sukses as në gjetjen e vrasësve të një doganieri të EULEX-it.

Misioni më i madh dhe më i shtrenjtë i Bashkimit Evropian po mbetet përralla më e madhe e Brukselit e treguar ndonjëherë. Për këtë dështim Gabriele Meucci duhet të kërkojë përgjigje në Bruksel dhe jo të atakojë padrejtësisht qytetarët e Kosovës, opinionbërësit, gazetarët, shoqërinë civile, njerëzit e shqetësuar për të ardhmen e tyre. Meucci mund të vazhdojë karrierën e tij në ndonjë vend tjetër, ndërsa qytetarët e Kosovës do të mbesin këtu për të jetuar.

Dështimet e EULEX-it janë pasojë e kalkulimeve politike dhe posaçërisht e paaftësisë për të realizuar premtimet që i përmbante katalogu i dimrit të viteve 2008-2009, kur EULEX-i u vendos në Kosovë për të ndërtuar një shtet funksional dhe për t’i arrestuar – ah! – peshqit e mëdhenj. Peshqit e dikurshëm janë bërë peshkaqenë dhe Meucci vetëm po i ushqen ata./koha ditore/

Më Shumë

U themelua zyrtarisht Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe

Në pikën e dymbëdhjetë të seancës së rregullt të Kuvendit Komunal të Rahovecit, qw u mbajt dje, në praninë e profesorëve të Universitetit të...

Sot, Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur

Në Kosovë sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në...

Lajmet e Fundit