23.8 C
Prizren
E mërkurë, 23 Qershor, 2021

Mos i lexoni autorët tanë, lexoni të huajt!

Romani i autorit kosovar Ag Apolloni, “Ulurima e ujkut”, jo vetëm që sjell një depërtim të rrufeshëm mbi situatën ende problematike të Ballkanit, por i vendos përpara pasqyrën letërsisë çeke dhe (mos)interesimit për të nëpër botë, domethënë (jo)zotësisë së saj për t’u bërë tërheqëse jashtë shtetit

Shkruan: Ond?ej Horák

Për çfarë mund të na shërbejë përkthimi i mirë i romanit të një autori kosovar? Për shembull, për të marrë ndonjë informacion mbi Kosovën bashkëkohore. Në radhë të parë që njerëzit aty jetojnë pak më keq se ne dhe për më tepër, aty bëhen edhe gjithë ato intriga. P.sh. një deputet te “Ulurima e ujkut” thotë: “Boll jena tu punu, e kemi bâ Kosovën Paris, po ky popull u mësu m’u anku”. Ndërsa, kur pastaj kamerieri mundohet t’i shpjegojë që nuk mund të paguajë me kartelë, sepse në atë lokal ende nuk i kanë pajisjet për kartelë, deputeti reagon: “Ah, harrova qi Kosova â’ Afganistan”.

Kjo gjë tek ne nuk ndodh, tek ne deputetët e mbingarkuar me punë mund të paguajnë me kartelë kudo, madje edhe në tramvaj – megjithëse as nuk kanë nevojë, sepse biletën kuptohet që e kanë falas. Megjithatë, ata tramvajin as nuk e përdorin si mjet transporti. Kështu që, duhet të jemi të lumtur që jetojmë këtu dhe jo në Kosovë, ku shoferi i taksisë mund të mbajë këtë dialog me narratorin e romanit:

“-Dukesh njeri i mirë. Pse s’bâhesh politikan?

– Se jam njeri i mirë.”

A e ndjeni distancën dhe ndryshimin në kulturën politike? Në vendin tonë që sa vjen e më shumë po thahet, politikanët janë vetëm njerëz të mirë – madje kemi aq shumë njerëz të këtillë saqë disa prej tyre ende nuk e kanë gjetur rrugën drejt politikës.

Ag Apolloni (1982) në romanin e tij të shkruar në gjuhën shqipe, të cilin e botoi Kniha Zlín (shtëpia botuese “Albatros”), me përkthim të Orkida Backus Borshit, na ofron njëfarë imazhi të Kosovës aktuale, që me siguri ka specifikën e vet. Megjithatë, këtu hasim një mashtrim optik, sepse sado kritik të jetë syri i Ag Apollonit – dhe është pa masë – ai duket sikur e karakterizon mjaft mirë edhe ambientin ku jetojmë ne. Ky është edhe motivi themelor i këtij romani, tensioni midis veçorive lokale dhe gjithçkaje universale, domethënë gjërave që janë të njëjta kudo.

As ndërgjegje e kombit

Ag Apolloni është nga Kosova, por është shumë kritik ndaj saj. Ag Apolloni është shkrimtar, por është shumë kritik ndaj letërsisë së vendit të tij: “Letërsia jonë, që më duket aq e huaj, mund të përdoret si mjet torture nëpër burgje. Ajo vërtet ka dhënë shkrimtarë të mëdhenj kombëtarë, por s’ka dhënë asnjë shkrimtar botëror. Në letërsinë pa identitet kombëtar, çfarë e sugjeronte Hesse, shkrimtarët tanë nuk kanë shpresë të mbijetojnë. Ata madje nuk arritën të bëhen as ndërgjegje e kombit, pasi gjatë diktaturës, ose heshtën, ose u përshtatën”.

Këtu prapë shikojmë shumë ngjashmëri me ne, megjithëse mund të themi se nga ky aspekt ne jemi pak më mirë se Kosova, sepse kemi Hashekun, Çapekun, Hrabalin, Kunderën.

Sidoqoftë, letërsia bashkëkohore është mjaft e trishtueshme. Megjithatë, zbulimi kryesor për ambientin çek nuk qëndron te fakti qetësues që jemi mirë në krahasim me Kosovën. “Ulurima e ujkut” më tepër se gjithçka na tremb, duke na kujtuar se, krahas botës perëndimore, jemi pothuajse njëlloj me Kosovën. Ajo që mbase mund të quhej një njohje me letërsinë kosovare, në të vërtetë u shndërrua në një lajm të dhimbshëm – një  pasqyrim – për letërsinë çeke.

Në fakt, duhet të kemi parasysh që romanet nga aspekti primar nuk i lexojmë në mënyrë që të njihemi me ndonjë shtet ose me kulturën e tij, nuk kemi të bëjmë me sondazh, ose me ndonjë analizë politologjike, ose sociologjike. Megjithatë, “Ulurima e ujkut” e skicon kontekstin aktual të Kosovës në një mënyrë mjaft domethënëse. Kosova ndodhet e rrethuar me “Maqedoninë e vogël që kapet fort për bolet e Aleksandrit të Madh; Serbinë e marrë që është dashuruar në Kosovën e shëmtuar; Shqipërinë e shkretë që s’po e gjen udhën as për inat të shqiptarëve”.

Për veten e tij pastaj Apolloni shkruan: “mendoj që jam vetëm një personazh në librin e quajtur jetë, ku shoqëria ma shpif”.

Ekonomia turke

Prozatori kosovar është mjaft kritik ndaj vendit të tij dhe në përgjithësi edhe ndaj gjithë regjionit ballkanik, megjithatë ai nuk përpiqet ta tregojë Kosovën si një vend të largët ose ekzotik – nuk është njëfarë narratori mistik si p.sh. Gabriel Garcia Marquez, apo Salman Rushdie. Natyrisht që toka në Kosovë është e ngjyer në gjak dhe kuptohet që çështja e kombësisë aty është ende e hapur. Natyrisht që në “Ulurimën e ujkut” mund të gjejmë dëshmi nga më të ndryshmet për nivelin e avancuar të ekonomisë turke në vend, megjithatë nga asnjëra prej këtyre Ag Apolloni nuk mundohet të nxjerrë në pah ekzotikën ballkanike, pasqyrimi i së cilës mund t’i interesojë një lexuesi të ndrojtur perëndimor.

Mënyra që ka zgjedhur shkrimtari kosovar është krejt e ndryshme. Ai është kritik ndaj vendit dhe kulturës së vendit të tij dhe mundohet ta rrahë me dru gjithë mediokritetin dhe vogëlsinë e njeriut, sidomos në pasazhet ku citon veprat kanonike – duke filluar  nga “Komedia hyjnore” – dhe kulturën e famshme. Dikush mund të shohë edhe në këtë hap përpjekje të Apollonit për ta përqafuar botën perëndimore, për të treguar se ai vetë nuk i përket Kosovës, por botës moderne dhe dashamirëse të kulturës – me fjalë të tjera është “më turk se turku vetë”. Duket sikur prozatori kërkon ta adoptojnë, kur në fakt ndërkohë e ka riedukuar vetveten.

Megjithatë duhet nënvizuar që në rastin e autorit kosovar lexuesi nuk ka nevojë të luftojë me asnjë lloj pretendimi fals – dhe citimet që përmban libri nuk janë përpjekje për të treguar se sa horizont të gjerë ka vetë Apolloni. Për më tepër, kemi të bëjmë me një thikë me dy tehe: nga njëra anë, aluzionet dhe citimet e shpeshta mund t’i lënë lexuesit përshtypje të mirë, por, nga ana tjetër, romanin mund ta dëmtojnë, sepse lexuesi në çdo faqe i ekspozohet një konteksti me kualitet shumë të lartë, ku fillon ta ndiejë veten si një pisanjos i vogël.

S’ke sesi të mos e kujtosh Aushvicin

Në fillim të këngës nr. 18 të “Komedisë hyjnore” të Dante Alighierit lexojmë: “Është një vend në ferr që quhet Malebolge/ krejt prej guri me ngjyrë hekuri”. Ashtu siç është e qartë nga rreshtat e mësipërm, në romanin “Ulurima e ujkut” ka aluzione të shumta nga Dante, gjë që të bën të kuptosh se nëse në Evropë ekziston ezofagu i djallit, ky vend është pikërisht në Kosovë. Përveç kësaj autori përmend emrin e Primo Levit, në librin e të cilit “A është vallë njeri…?” gjejmë edhe kapitullin “Kënga e Odisesë”. Në këtë të fundit Primo Levi, në disa momente të rralla kur sorollaten duke shkuar për të ngrënë supë, i citon drejtpërdrejt një bashkë të burgosuri të tij “Komedinë” e Dantes.

Megjithatë duhet theksuar edhe një herë që aluzionet e këtilla nuk përpiqen të krijojnë përshtypje megalomane, përkundrazi. Fjalia kryesore në librin e Primo Levit “A është vallë njeri…?”, e cila më tepër se një kujtim përfytyron një analizë të thellë të tmerreve të kaluara, është: “Nuk jam më aq i gjallë sa të jem në gjendje të vetëvritem”. Për fat të mirë, jo çdo njeri mund të kalojë në këtë gjendje dhe për më tepër jo çdo njeri mund ta mbijetojë një gjendje të tillë dhe të jetë i zoti ta formulojë dhe ta përshkruajë atë me saktësinë e Primo Levit.

Romani “Ulurima e ujkut” flet gjithashtu edhe për një sërë njerëzish të vrarë gjatë luftës dhe konflikteve të tjera në Kosovë. Megjithatë fjalitë e Ag Apollonit nuk kanë të njëjtën urgjencë dhe detyrim si ato të Primo Levit. “Po ta shohësh trenin nëpër Kosovë, s’ke sesi të mos e kujtosh Aushvicin”. Kjo është  më e se kuptueshme, autori kosovar nuk është i vetmuar në këtë perceptim, këtu kemi të bëjmë me një simptomë prezente në të gjithë kulturën bashkëkohore.

Thrilleri me Michaelin

Po të qëndrojmë edhe pak më gjatë në regjimin e drojës vigjilente dhe ta ndryshojmë pak këndvështrimin, citimi i këtyre veprave të rëndësishme letrare mund të na duket si i motivuar jo vetëm nga mundi i autorit për të treguar nivelin e tij të lartë, por më tepër për t’i krijuar lexuesit vjedhurazi përshtypjen që edhe ky roman bën pjesë në veprat madhore të lartpërmendura. Megjithatë, “Ulurima e ujkut” në asnjë drejtim nuk ta lë përshtypjen e një mashtrimi të ulët letrar. Gjë që rrjedh nga fakti se romani vetë e hedh poshtë këtë pretendim patetik. Ag Apolloni në fjalë të tjera nuk bën dallim midis citimeve nga Goethe dhe teksteve të këngëve të Justin Timberlakut. Bile në disa momente gjendemi në kufi me çfarë konsiderohet ende e akceptueshme, si p.sh. pasazhi i fotografive të njerëzve të humbur të vendosura përreth parlamentit, të cilin autori e përcjell me vargje nga kënga e James Bluntit. Mirëpo autori i “Ulurimës së ujkut” mund të jetë ekzibicionist, por në asnjë mënyrë nuk pozon. Ai është në gjendje të trazojë gjërat efemere me ato të pavdekshmet. Sot mbase ka më shumë kuptim të citosh në roman popkulturën sesa vepra  letrare madhështore – megjithatë as në rastin e aluzioneve të këngëve të njohura, ose të filmave, nuk është me vend që autori të akuzohet nëse e ka bërë mirë llogarinë. Ag Apolloni ka dhuntinë të krijojë përshtypjen se është i besueshëm.

Romani “Ulurima e ujkut” përbëhet nga një sërë pjesësh pak a shumë autonome – kompozicioni i tij është nën kontroll, megjithatë përmbajtja e kapitujve individualë përcjell një përshtypje spontane. Dëshmia më e fortë për faktin e trazimit të gjithçkaje pavarësisht se nga vjen ose se sa larg gjendet, shfaqet te rreshtat e mëposhtëm: “Viti 1982 është datë historike, sepse atë vit Michael Jackson kishte edituar albumin më të mirë në histori, Thriller. Në anën tjetër të botës, në një skutë të Evropës, po në këtë vit kisha lindur unë që gjithmonë do ta shihja Michael Jackson-in si një thriller. Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1999, kur Kosova po digjej dhe banorët e saj po vriteshin e dëboheshin, tamam si në Earth song dhe kishin mbetur pa kurrfarë kujdesi, tamam si në They don’t care about us, Mbreti kishte dhënë një milion dollarë për refugjatët kosovarë”.

Romani i autorit kosovar Ag Apolloni, “Ulurima e ujkut”, jo vetëm që sjell një depërtim të rrufeshëm mbi situatën ende problematike të Ballkanit, por i vendos përpara pasqyrën letërsisë çeke dhe (mos)interesimit për të nëpër botë, domethënë (jo)zotësisë së saj për t’u bërë tërheqëse jashtë shtetit.

I ngjaj babait

Çfarë do të thonë të gjitha këto? Që Ag Apolloni me gjithë mend qëndron me këmbët mbi tokë në atdheun kosovar, por mendja e tij gjendet me qindra kilometra larg? Që kuadri kulturor brenda të cilit ai krijon është i zhvendosur? Shumë gjëra do të flisnin pro. Si p.sh. kombinimi i jetës së tij intime dhe pozitës së tij publike, shumë herë të përziera.

Në aspekt më të gjerë pastaj kemi të bëjmë me konfliktin e një djali të zakonshëm me artistin, para të cilit vendosen gjithë ato sfida të mëdha. Kështu, në një pasazh citohet filmi i Guiseppe Tornatores, “Nuovo Cinema Paradiso”, në të cilin Alfredo që e luan Philippe Noiret këmbëngul që Totoja i ri të shkojë në Romë dhe që të mos kthehet më asnjë herë, sepse ajo është mënyra e vetme për të arritur diçka në jetë – nëse qëndron, nuk do të arrijë  asgjë asnjëherë; këtu hasim dëbimin e shpeshtë të artistëve nga vendet e mëdha ose të vogla, pak rëndësi ka – nguti që të ikin, që të ndërrojnë ambientin, shpesh  herë edhe gjuhën, sepse përndryshe nuk do të arrijnë asgjë, talenti i tyre nuk do të evoluojë në mënyrë të favorshme, për shkak se u mungojnë kushtet.

Megjithatë, Ag Apolloni në romanin e tij është tepër i sinqertë për t’ia mbushur mendjen vetes së tij që njeriu mund të zhvendosë rrënjë nga një vend në tjetrin e që po ta parafrazojmë lirshëm dalim te rezultati që djalin mund ta transferosh nga Kosova, por Kosovën nuk mund t’ia shkulësh atij nga shpirti. Prandaj, tek “Ulurima e ujkut” gjejmë pasazhin e mëposhtëm: “Dhe që, pos pamjes, kisha trashëguar dhe tabiatet e tij, e kuptova befas një natë: derisa po kërkoja ca libra në dhomë këtu në Prishtinë, më erdhi shurra dhe në vend se të shkoja në banjo, dola në ballkon dhe pshurra nga kati i pestë. Derisa po lirohesha nga uji i tepërt, m’u kujtua që babai shpesh pshurrte nga dritarja e shtëpisë, derisa nëna i bërtiste dhe e pyeste mos ishte trenuar”. Gjenet nuk gënjejnë.

Nëse qëndrojmë edhe pak në këtë atmosferë të sinqertë, atëherë mund ta pyesim veten pse pikërisht të zgjedhim për ta lexuar “Ulurimën e ujkut”, për shembull, në vend të librave të rinj të autorëve çekë  midis të cilëve është e mundur të hasim vepra jo dhe aq interesante sa ajo e shkrimtarit kosovar, por në të njëjtën kohë mund të gjejmë edhe shkrime më interesante. Këtu mjafton të shtojmë se njeriu i shikon me lehtë të metat te një i huaj se te vetja e tij. Gjë që narratori në romanin e Ag Apollonit e konfirmon edhe vetë kur thotë: “Prandaj, të lutem mos i lexo tanët, të cilët do t’i kontribuonin letërsisë vetëm duke hequr dorë prej saj. Zoti, ata që i do, i ruan nga leximet e kota! Ti lexo shkrimtarë të huaj! Po pse them të huaj, kur në fakt, të huaj për mua janë shkrimtarët tanë?”

(Ky recension i shkrimtarit dhe kritikut çek, Ond?ej Horák, është botuar së pari në “Lidové noviny”, më 29 qershor 2019. Recensionin e përktheu në gjuhën shqipe Orkida Backus Borshi, përkthyese dhe profesoreshë në Universitetin e Pragës) / KultPlus.com

Më Shumë

“200 persona në një dasmë”, Sot pritet të zyrtarizohet manuali i ri për ahengje

Këngëtari kosovar dhe përfaqësuesi i departamentit të estradës, Afrim Muqiqi tha se sot pritet që Qeveria e Kosovës ta zyrtarizojë manualin e ri që...

Prizren, 11 aktakuza kundër 20 personave

Prokurori i Shtetit njofton se nga prokuroritë themelore janë ngritur 55 aktakuza kundër 65 personave, për vepra të ndryshme penale. Po ashtu, me urdhër të...

Kylie Jenner rikthehet te ish i dashuri

Duket se Kylie Jenner dhe Travis Scott janë rikthyer bashkë. Ata morën pjesë me vajzën e tyre 3-vjeçare, Stormi, në 72-vjetorin e Parsons Benefit...

Nisin hetimet për vdekjen e foshnjës në Duhël të Suharekës

Një foshnje e gjinisë mashkullore ka vdekur dje në fshatin Duël të Suharekës. Prokuroria Themelore e Prizrenit ka nisur hetimet për rastin e vdekjes së...

Sërish shpallet i pafajshëm ish-inspektori i Komunës së Prizrenit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës

 Ish-inspektori i tregut në Komunën e Prizrenit, Fatmir Gashi është shpallur sërish i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren. Ai akuzohej se kishte keqpërdorur pozitën...

Roma pas Sergio Ramos

Sergio Ramos do të largohet nga Real Madridi pasi kontrata e tij me gjigantët e La Ligas skadon në fund të muajit. Ai ka qenë...

Diaspora në Kosovë, për dy javë vijnë rreth 300 aeroplanë me mbi 41 mijë udhëtarë

Me fillimin e lehtësimit të masave kundër pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës ka filluar ta shtoj fluksin e ardhjes në vendin tonë. Sipas zëdhënëses së...

Një grua ndërron jetë në Spitalin e Prizrenit, dyshohet se kreu vetëvrasje

Dyshohet se një grua, në rrugën “Janina” në Prizren, i ka dhënë fund jetës së saj, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:00, raporton Gazeta...

Në 78 vjetorin e lindjes, veshje dhe libra të Ukshin Hotit vendosen në Shtëpinë Muze

Sot shënohet 78 vjetori i lindjes së njërit ndër intelektualët dhe veprimtarët më të shquar kosovarë, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus. Ukshin Hoti ka qenë dhe...

Publikohet fotografia e ushtarit të KFOR-it gjatë shërbimit në Kosovë më 1999 duke kënduar

Ish-ushtari i KFOR-it, Kenneth Andresen, ka publikuar një fotografi të një ushtari tjetër gjatë shërbimit në Kosovë në qershor të vitit 1999. “Gjatë themelimit të...

SBASHK dërgon 452 punëtorë të arsimit për pushime në bregdetin shqiptar

Sindikata e Bashkuar, Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se po vazhdon me traditën e organizimit të pushimit në bregdetin shqiptar për një numër...

Dy raste pozitive me Covid në Kosovë

Nga 1.328 teste të kryera në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar vetëm dy raste pozitive me COVID-19. Rastet janë nga qyteti...

Finalizohet manuali, dasmat do të lejohen deri në këtë orë

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me manualin e organizimit të...

Marte Kuqi nga Prizreni pranohet në Shtëpinë e të Moshuarve, “Jetimat e Ballkanit”

Marte Kuqi nga komuna e Prizrenit është banorja e re e Shtëpinë e të Moshuarve, “Jetimat e Ballkanit”. Marteja e cila jetonte e vetëm tani...

Prizren/ Asfalti i derdhej nga kamioni, shoferi e kupton pas 300 metrave

Sot në rrugën e Krushës në Prizren, një kamion kishte rrezikuar trafikun dhe për pak sa nuk kishte shkaktuar aksident me disa vetura. Sinjalizuesit e...

Gjyqtari Fidan Hoxha nga Prizreni, zgjedhet anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës 

  Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtur sot në Prishtinë, ku të drejtë vote kishin 318 (treqind e tetëmbëdhjete) gjyqtarë nga të gjitha Gjykatat Themelore,...

Lajmet e Fundit