Pesë muaj pas dënimit me 2 vjet burgim me kusht, të shqiptuar nga Gjykata Themelore (GJTH) në Prizren, kryetari i komunës, Ramadan Muja, vazhdon punën normalisht, në pritje të vendimit të një gjykate më të lartë, asaj të Apelit, derisa shoqëria civile kritikon se kjo ka ndikuar në vështirësimin e funksionimit normal të Komunës, sidomos në realizim projektesh.
Muja është dënuar për shpërdorim të pozitës nga një trup gjyqësor i EULEX-it. Kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm, Muja do ta ketë të ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh. Bashkë me Mujën fajtorë janë shpallur edhe pesë ish-drejtorë të tij, të mandatit të kaluar, por ata janë dënuar më pak sesa shefi i tyre. Pala mbrojtëse e të akuzuarve ka parashtruar ankesë.
Avokati mbrojtës i Mujës, Ruzhdi Berisha, tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit rreth ankesës së parashtruar ndaj vendimit të GJTH-së. “Nuk ka ndonjë datë se kur duhet ta bëjë këtë. Jemi optimistë se ankesa jonë do të aprovohet”, tha për “Zërin”.
Elmedina Baxhaku, nga OJQ “Ec Ma Ndryshe”, që monitoron punën e Komunës, vlerëson se ajo po funksionon me ngecje në vendimmarrje dhe ekzekutim projektesh, të premtuara gjatë fushatës elektorale. “Për këtë dëshmon më së miri fakti rreth marrjes së vendimeve të shumta në takimet e ekzekutivit, vetëm sa për të treguar së punët po ecin mbarë e në realitet jemi dëshmitarë të asaj se për gjithë këtë periudhë kohore, nuk ka pasur lëvizje pozitive”, ka thënë ajo.
Sipas saj, marrja e vendimeve gjatë muajit me rreth 80 sosh, tregon më së miri seriozitetin e institucionit, që këto të mbeten vetëm fjalë në letër.
“Ekzekutivit i kemi prezantuar rreth 40 rekomandime, por disponimi i tyre për përmirësim ka qenë shumë i mangët, pothuajse pa interesim. Kjo për vetë faktin se janë ngulfatur me të papritura dhe angazhim me telashe personale, që po e lënë udhëheqjen pezull vetëm sa për të mbetur në letër”, ka thënë Baxhaku.
Naim Cahani nga KDI-ja, thotë se sigurisht që kjo situatë ka reflektuar edhe në punën dhe mosefikasitetin e organeve vetëqeverisëse lokale. “Këtë e tregon edhe rregullimi i sheshit të “Lidhjes së Prizrenit”, që ka filluar së ndërtuari qysh me fillimin e vitit dhe trendi i punimeve duket shumë i ngadaltë”, ka thënë ai.
Cahanaj mendon mosefikasitet po tregohet edhe në hartimin e politikave publike, rreth hartimit të buxhetit komunal, ku tanimë në mes të gushtit nuk është paraparë një iniciativë për të organizuar dëgjimet publike për projektbuxhetin e vitit 2015.
Deklarimet e shoqërisë civile i ka demantuar Hasan Hasani, që prej dy mandatesh është drejtor i Shërbimeve Publike.
“Komuna po funksionon për merak. Tjetër janë deklarimet e OJQ-ve. Kryetari po bën punën e tij në pritje të përgjigjes nga Gjykata, ndërsa kemi realizuar projektet e parapara. Varësisht nga mundësitë buxhetore dhe zotimet, Komuna realizon atë çfarë ka paraparë. Ndërsa, për këtë dëshmitarët më të mirë janë vetë qytetarët, të cilët falë kësaj qeverisjeje kanë një standard shumë më të mirë jetësor”, ka tha thënë ai për “Zërin”.
Nga vendimi i GJA-së varet edhe e ardhmja e Komunës, nëse Prizreni do të shkojë apo jo në zgjedhje të jashtëzakonshme.