7.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Mungesa e prokurorit shtyn gjykimin për keqpërdorim pozite ndaj ish-inspektorit në Prizren

Mungesa e prokurorit Metush Biraj, ka bërë që të dështojë seanca e së enjtes, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori Biraj, ka njoftuar gjykatën përmes telefonit se nuk mund të jetë i pranishëm në seancat e paradites, pasi ka thënë se është i zënë me një rast tjetër, përkatësisht me rastin e Astrit Deharit.

Prezent në seancë nuk kanë qenë as dëshmitarët Shemsidin Berisha dhe Zahid Kabashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar për 6 dhjetor 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Nexhmedin Musliu akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qellim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në periudha të ndryshme kohore nga vitit 2013, e deri në 2017, në vazhdimësi vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e pastaj edhe me procesverbale urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj me një procesverbal tjetër urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të objektit, përkatësisht të sallonit të dasmave, afër pompës së benzinës “Arbëria”, në hyrje të autostradës në veri të Prizrenit, pronë kjo e investitorit Shemsedin Berisha.

Sipas aktakuzës, Musliu me procesverbal urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve “Barut Hane” në Prizren, pronë e investitorit Tahir Krasniqi, ndërprerjen e punimeve ndërtimore në objektin hotelier “Crystal Palace”, ky afër fshatit Landovic, pronë e investitorit Zait Kabashi, si dhe urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në depon për prodhimin e peletit, afër rrethit të autostradës, në lagjen “Arban”, pronë e investitorit Asllan Shala.

Sipas aktakuzës, ai urdhëron ndërprerjen e punimeve, mirëpo nuk ndërmerr masa pasuese në frymën e këtyre akteve, gjegjësisht aktvendimeve për rrënime vullnetare dhe përfundimisht konkluzione për rrënim të detyrueshëm të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkakton dëm material edhe Komunës së Prizrenit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë në nenin 422 , paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit