Në Prizren shumë objekte shkollore që ndodhen në skaj të rrugëve automobilistike, po ua pamundësojnë nxënësve dhe prindërve të lëvizin lirshëm në vajtje-ardhje nga shkolla.
Prindërit shprehin shqetësimin e tyre, policia premton prani më të madhe të patrullave, ndërsa komuna thotë se shumë shpejt do të fillojë rregullimin e trotuareve afër shkollave dhe jo vetëm.
Në shkollën “Motrat Qiriazi” në lagjen Kurrillë të Prizrenit nxënësit po e kanë shumë të vështirë të qarkullojnë në kohën e ndërrimit të pasdites.
Trotuaret mungojnë e prindërit nuk ndihen të sigurt për fëmijët e tyre.
“Rrezik boll. A ka pas trotuar ndonjëherë këtu?. Jo , rruga është e ngushtë shtëpitë janë rreth rrugës, rruga e ngushtë”, shprehet Nashide Zogaj, prind nga Lagia Kurrilla.
“Jo nuk mundemi me leju fëmijët vetëm se kemi frik, sepse ka vetura shumë dhe nuk mundemi , patjetër duhet me pru dikush, ose me shoqëruar me dikën” , shprehet Edonjeta Ndrecaj nga Lagja e Re
“Po , po se di a është faji i komunës , apo është faji jonë se ne vetë nuk kemi lëshu rrugë ,kështu që nuk kemi pse me e fajsu komunën , kur ne vetë qytetarët , nuk ja dimë hallin fëmijëve tanë , kur nuk lëshojmë rrugë për fëmijët tanë dhe për vete”, shprehet Shaqir Ninaj nga Lagjja Jeta e Re.
“Zakonisht këtu është shumë e vështirë , pasi bash në kohën kur kemi mi marr fëmijët ose me i pru , po bëhet shumë guzhëm dhe s’po ke nga me ec. A ke siguri ta lësh fëmijën vetë me ardh në shkollë? Jooo , absolutisht”, thotë Edona Nasufaj nga Lagja Kurrilla.
Drejtorët e shkollave thonë se vazhdimisht përballen me ankesat e prindërve , ndërkaq kërkojnë mirëkuptim në pjesëmarrësit e komunikacionit dhe praninë e policisë.
” Ajo që ne kërkojmë është një mirëkuptim i të gjithë qytetarëve të kësaj lagje ,që mos të na parkohen me makina mu në hyrje të shkollës , si dhe një prezencë më të shtuar të policisë së Kosovës , pasi edhe unë e kam planifiku që të bëj një takim me drejtorinë rajonale të policisë”, tha Ekrem Bajraktari drejtor i shkollës ” Motrat Qirjazi”
“Për momentin rruga afër shkollës është duke u rinovuar , siç mund ta shihni , është pak problematike dhe kemi disa ankesa prej prindërve , mirëpo fatmirësisht nuk parkohen makinat as në trotuare e as në oborrin e shkollës dhe po menaxhohet mirë”, thotë Vlora Karavidaj drejtoreshë e shkollës “Lekë Dukagjini”.
“Kjo temë është diskutuar me këshillin e shkollës , këshillin e prindërve , është një brengë që ata e shprehin vazhdimisht për ardhjen e fëmijëve të tyre . Për këtë arsye ata shpesh herë e bëjnë shoqërimin e fëmijëve , natyrisht i sjellin edhe i marrin”, shprehet Sherife Morina – Drejtoresh e shkollës “Haziz Tola”
Ndërsa nga Policia thonë se kanë patrullim të shtuar në vendet ku konsiderohet se ka rrezik më të madh.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, drejtori i shërbimeve publike në komunë e Prizrenit, Çelë Lamaj, thotë se shumë shpejt do të fillojë me rregullimin e trotuareve përreth shkollave në përgjithësi, edhe pse kjo infrastrukturë është ndërtuar vite më parë.rtk