22.8 C
Prizren
E enjte, 11 Gusht, 2022

Mungon prokurori, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Komunës së Dragashit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën është shtyrë gjykimi për korrupsion ndaj të akuzuarit Avni Nebiu, për shkak se prokurori Mehdi Sefa gjendet në pushim vjetor.

Lidhur me mungesën e prokurorit Sefa, prokurori Genc Nixha i cili e ka zëvendësuar ka thënë se i njëjti nuk mund të prezentoj në seancë për shkak se gjendet në pushim vjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai tha se nuk është në gjendje të përfaqësojë lëndën sepse sipas tij, kjo lëndë duhet të përfaqësohet nga prokurori i çështjes dhe ka propozuar që e njëjta të shtyhet.

“Pas leximit të lëndës kam ardhur në përfundim se kjo çështje duhet të përfaqësohet drejtpërdrejtë nga prokurori çështjes”, tha prokurori Nixha.

Mungesa e kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance bëri që ajo të shtyhet.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 9 shtator 2022.

Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.

Në aktakuzë thuhej se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.

Kështu që thuhet se i mundësoi djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohej se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djalit të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Prizren: 3 vëllezërit në dasmë, hajnat “festuan” në shtëpitë e tyre (VIDEO)

  Në Krushë të Vogël të Rahovecit mbrëmë ka ndodhur një vjedhje e rëndë. Hajnat hynë në shtëpitë e tre vëllezërve Hajdari, të cilët bashkë më...

Burri nga Rahoveci: Gjakovarët s’kanë qef me u martu me katunarë

Një burrë nga Rahoveci ka marrë vëmendje me një deklaratë që e ka bërë për gjakovarët. Sipas tij, gjakovarët s’kanë qejf të martohen me ‘katunarë’....

Lajmet e Fundit