3.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Musmurati: Largimi i Limajt e Krasniqit do ta dëmtojë PDK-në

BasriMusmurati6-06Kërkesa e Këshillit Drejtues të PDK-së për ndëshkimin e humbësve të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, nuk pritet të merret parasysh nga drejtuesit e PDK-së. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Bastri Musmurati, ka thënë se askush nuk do të ndëshkohet për humbjen e zgjedhjeve në disa komuna. “A pak është që kanë humbur, por edhe të ndëshkohen. Nuk ka ndëshkim. Nuk ka ‘prerje kokash’ te ne si parti demokratike”, ka thënë ai

Partia Demokratike e Kosovës nuk pritet të kërkojnë shkarkimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, edhe nëse ky i fundit themelon subjekt te ri politik. PDK nuk ka menduar as për pasuesin e Krasniqit në rast se ai jep dorëheqje ashtu siç ka paralajmëruar me të themeluar partinë. “Presim çfarë eventualisht do të ndodhë. Tash zgjedhjet janë afër edhe pse ende nuk është caktuar data, por mendoj se nuk është e udhës që tani të merremi me këtë punë, pavarësisht a do të jetë Krasniqi kryetar i Kuvendit apo do të japë dorëheqje”, ka thënë në një intervistë për gazetën Tribuna, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati. Ai ka thënë se largimi i Limajt e Krasniqit do ta dëmtojë PDK-në, por kjo parti prapë do të dalë e para në zgjedhjet nacionale. “Normalisht kur prej një subjekti politik ndahet edhe vetëm një votë, atëherë ajo votë është minus, por në këtë kontekst duhet parë se sa largohen, e sa po vijnë”, ka shtuar ai.
Duke folur rreth thirrjeve të Këshillit Drejtues për ndëshkimin e kandidatëve të cilët kanë humbur në zgjedhjet e 3 nëntorit, Musmurati ka thënë se PDK nuk është parti që humbësit i dënon me ‘prerje të kokës’. “A pak është që kanë humbur, por edhe të ndëshkohen. Nuk ka ndëshkim. Nuk ka ‘prerje kokash’ te ne si parti demokratike”, ka thënë ai.
Musmurati ka shtuar se PDK është e gatshme të hyjë në zgjedhje nacionale qysh nesër, mirëpo kjo parti preferon që zgjedhjet nacionale të mbahen në muajin qershor ose shtator, por jo pa përfunduar reforma zgjedhore.

Tribuna: Këshilli Drejtues i PDK-së është shprehur i pakënaqur me humbjen e disa komunave. Sa do të merren parasysh shqetësimet e tyre?

Musmurati: Nuk ka ndonjë shqetësim që është për t’u potencuar, sepse ne kemi bërë një analizë dhe kemi parë se ku kemi pas sukses të plotë, ku kemi pas më pak sukses dhe ku nuk kemi pas aspak sukses. Dhe në këtë çështje e kemi shtruar në mënyrë parimore dhe kemi hartuar një program të punës që të takohemi nëpër degë dhe të bëjmë mobilizimin komplet të strukturave të degëve për zgjedhjet e ardhshme.

Tribuna: Çfarë keni vlerësuar përparim e çfarë ngecje në zgjedhjet e fundit lokale të 3 nëntorit?

Musmurati: Ne nuk jemi marrë drejtë për së drejti me secilën komunë veç e veç, por i kemi thënë të gjitha në mënyrë të përgjithshme, duke i përmendur edhe rastet ku jemi ndarë më keq, siç është Gjilani, Ferizaj, Mitrovica dhe Lipjani. Tani këto degë kryesisht e kanë bërë mobilizimin e tyre. E sa i përket votave si subjekt politik ne nuk jemi ndarë keq. Në Mitrovicë kemi qenë shumë përpara LDK-së e AKR-së, në Lipjan e Ferizaj gjithashtu kemi qenë përpara, ndërsa në Gjilan e kemi pas pak një dallim të vogël me LDK-në.

Tribuna: A pritet ndonjë ndëshkim për kandidatët të cilët i kanë humbur zgjedhjet?

Musmurati: A pak është që kanë humbur dhe të ndëshkohen. Nuk ka ndëshkim, nuk ka ‘prerje kokash’ te ne si parti demokratike. Ne bashkërisht edhe me ata që kanë qenë kandidatë për kryetarë sepse kanë qenë njerëz të cilët në një periudhë të caktuar i kanë udhëhequr komunat mjaftë mirë, edhe pse nuk është se këta kandidatë kanë humbur, por janë bërë disa matematika në mes të subjekteve të ndryshme politike për të eliminuar njëri-tjetrin dhe në këtë drejtim nuk kemi pse të merremi me ata më shumë, por duhet të mobilizohemi që në zgjedhjet e ardhshme të jemi sa më të përgatitur.

Tribuna: Do të pranoni që pjesë e listës për deputetë të Kuvendit të jenë edhe kandidatët të cilët i kanë humbur zgjedhjet e fundit lokale?

Musmurati: Është herët të flitet për kandidatët për deputetë, megjithatë ne e kemi një rregull si subjekt politik, që paraprakisht i bëjmë disa kritere se kush do të mund të kandidojë për deputet dhe kush do të jenë përfaqësuesit prej një komune dhe kush do të kishte vota më shumë e kush do të kishte ndikim më shumë. Kjo do të shikohet mirë, megjithatë këto janë çështje e të gjitha strukturave të partisë gjegjësisht e këshillit drejtues të strukturave të partisë.

Tribuna: Ish drejtuesit e PDK-së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, kanë paralajmëruar se më 28 shkurt edhe zyrtarisht do të formojnë partinë e tyre të re. Sa mund ta dëmtojë PDK-në kjo?

Musmurati: Ata ishin figura të rëndësishme në PDK, por nuk janë më. Sepse janë tërhequr me vetëdëshirë. Përhajr ju qoftë dhe është punë e tyre se sa do të kenë sukses. Ndërsa ne vazhdojmë punën tonë qysh e kemi vazhduar deri me tani me një riorganizim më të madh. Normalisht kur prej një subjekti politik ndahet edhe vetëm një votë, atëherë ajo votë është minus, por në këtë kontekst duhet parë se sa largohen e sa po vijnë. Në këtë kontekst ne kemi numër më të madh të njerëzve të cilët aderojnë në PDK, sesa ata të cilët pretendojnë se do të tërheqin ndonjë elektorat tonin me vete.

Tribuna: A do të ishte PDK e gatshme të bashkëpunonte me partinë e Limajt e Krasniqit?

Musmurati: Ne do t’i fitojmë zgjedhjet sepse të gjitha parashikimet janë për të fituar dhe pas kësaj shohim më vonë. Këta ende nuk kanë formuar subjekt dhe nuk mund të flas paraprakisht se çfarë do të ndodhë.

Tribuna: Jakup Krasniqi ka paralajmëruar dorëheqjen nga pozita e kryeparlamentarit pas themelimit të partisë. A keni menduar se kush do të jetë pasuesi i tij?

Musmurati: Nuk dua të merrem me thashetheme, presim çfarë eventualisht do të ndodhë. Tash zgjedhjet janë afër edhe pse ende nuk është caktuar data nuk është e udhës që tani të merremi me këtë punë, pavarësisht a do të jetë Krasniqi kryetar i Kuvendit apo do të japë dorëheqje. Është një kohë shumë e shkurt.

Tribuna: I përmendet përgatitjet që janë duke u bërë për zgjedhjet nacionale. Kryeministri Thaçi ka filluar takimet me disa drejtues të subjekteve politike për t’u dakorduar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Janë përmendur muaji, prill, qershor dhe shtator. Cila është koha optimale për zgjedhjet nacionale sipas PDK-së?

Musmurati: Në prill është e pamundur që të mbahen zgjedhjet sepse janë disa procedura ligjore të cilat duhet të respektohen. Ndërsa sa i përket muajve që janë përmendur, qershori apo shtatori, po e shpreh mendimin tim se ne nuk kemi ndonjë qëndrim të prerë në parti, edhe pse përgatitjet i kemi që zgjedhjet të mbahen qysh nesër, por jam i mendimit që pasi që është bërë gjithë kjo punë rreth reformës zgjedhore dhe kanë mbetur pa u harmonizuar një numër i çështjeve të vogla, atëherë është krejt normale dhe e domosdoshme që duhet të harmonizohen edhe këto çështje dhe në momentin që harmonizohen këto qëndrime sigurisht që liderët do të gjejnë një datë të përshtatshme që shumicës i konvenon dhe do t’i shpallin zgjedhjet.

Më Shumë

Mbyllen 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e...

Vullnetarët e Vetëvendosjes në kufirin e Morinës ftojnë bashkatdhetarët të regjistrohen për votim

Në kufirin e Morinës, ku qindra mërgimtarë po arrijnë çdo orë duke sjellë gjallëri dhe energji festive në prag të fundvitit, përveç pritësve familjarë...

Lajmet e Fundit