Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa vlerëson se proceset demokratike të cilat po zhvillohen gjatë zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë të dobishme, jo vetëm për këtë parti por edhe për Kosovën.
Postimi i Mustafës:
Miq të nderuar,
Proceset demokratike të cilat po zhvillohen gjatë zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë të dobishme, jo vetëm për këtë parti por edhe, për Kosovën. Në këtë proces nuk ka fitues dhe humbës, ka shprehje të vullnetit të anëtarësisë. Andaj ky vullnet po pranohet në mënyrë demokratike edhe nga ata që po marrin votat e shumicës edhe nga ata që po marrin votat e pakicës. Kjo është shprehje e unitetit. Shprehje e unitetit është edhe koncesusi partiak, sepse ai nuk arrihet me porosi. Nëse një forum i LDK-së vendosë me pajtim të plotë pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime, atëherë ajo është shprehje maksimale e mendimit të përbashkët për një vendim.
Njerëzit që kanë punuar gjatë dhe kanë dhënë kontribut të veçantë për LDK-në, kapërcejnë vlerësimet vetëm nga një forum i LDK-së, sepse puna dhe meritat e tyre shtrihen më gjerë. Meritat e tyre do të vlerësohen edhe në forumet më të larta të LDK-së.
LDK në katër vitet e fundit arriti me sukses të reflektoj orientimin e saj demokratik, të fitojë shumë komuna, të koncentrohet në çështjet jetike të qytetarëve, të bëhet anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe ta merr përgjegjësinë për drejtimin e Qeverisë. Kjo është vlera e LDK-së.