3.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mustafa, Kurtit: Të hiqet taksa ashtu siç po kërkon ShBA-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka kërkuar nga partneri i koalicionit, kryeministri Albin Kurti që ta heq taksën 100 për qind ashtu siç janë duke kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se ShBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë ShBA-të”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar qytetarë

Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 për qind e pastaj 100 për qind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish-kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.

Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të ShBA-ve me përfaqësuesin special të presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike.

Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se ShBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.

Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë ShBA-të.

Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa ShBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.

Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik ShBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës.

Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me ShBA-të dhe BE-në.

Më Shumë

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Vdes ish-ushtari i UÇK-së nga Dragashi, Alevi Rakipi

Ka vdekur veterani i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës Alevi Rakipi. Njoftimi u bë në rrjetet sociale nga familjarët. Varrimi i të ndjerit bëhet sot në fshatin...

Lajmet e Fundit