Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është akti më i rëndësishëm i rreshtimit politik e kulturor të popullit të Kosovës në skenën e politikës globale, është akt i refuzimit të sistemit komunist dhe i nisjes pa dilemë në udhën e gjatë, por të pakthyeshme në familjen e vendeve të lira dhe demokratike euro-perëndimore. Kështu ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me rastin e 24- vjetori të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shtuar se formimi i LDK shënoi kthesë të madhe në historinë e Kosovës dhe i hapi rrugë demokracisë.
“LDK–ja ishte busulla e veprimit dhe mendimit nacional e politik në Kosovë duke qenë përherë një shembull i demokracisë dhe i pluralizmit të brendshëm partiak”, është shprehur Mustafa, transmeton Kosovapress.
Ai ka përmendur shumë personalitete të LDK-së të cilët punuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Gjatë fjalimit të tij, Mustafa ka përmendur edhe angazhimet për të rinjtë, e për fuqizimin e rolit të gruas.
Mustafa ka komentuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale, për të cilat thotë se LDK doli fituese në këto zgjedhje.
LDK në këto zgjedhje ka dal fituese në Gjilan, Podujevë, Ferizaj, Pejë, Lipjan, Istog, Fushë-Kosovë, Suharekë, Viti dhe, në koalicion me AKR-në, në Mitrovicë, por ka humbur kryeqytetin duke pasur për kandidat liderin e saj, Isa Mustafën, dhe duke u renditur e dyta me 191 mijë e 362 vota apo 224 ulëse.
LDK-ja prej fillimit e deri më 2007 ishte forca kryesore politike në Kosovë. Në zgjedhjet nacionale që pasuan në dhjetor 2010, LDK fiton 27 mandate deputetësh dhe për herë të parë kalon në opozitë. Në zgjedhjet e fundit lokale, moto e kësaj partie ishte “ Sot komunën, nesër Kosovën”.
LDK u formua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh. Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur edhe u nda nga jeta.
Pas vdekjes së kryetarit Ibrahim Rugova, njëherësh edhe president i Kosovës, në janar 2006, LDK-ja udhëhiqet nga Fatmir Sejdiu. Pas zgjedhjeve të 2007, LDK hyn në koalicion me partinë e saj rivale PDK, koalicion ky që prishet pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i Presidentit të Kosovës. Në Kuvendin e partisë që u mbajt në nëntor të vitit 2010, kryetar i LDK-së me shumicën e votave të delegatëve zgjidhet Isa Mustafa.