21.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Mustafa: Lista e LDK-së përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës

Isa Mustafa LDKLideri i LDK-së, Isa Mustafa në rrjetin social Facebook, ka shkruar se partia e tij, paraqitet e vetme, unike dhe me listën më të fortë të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas tij, Programi i Lidhjes Demokratike do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve me qeverisje të mirë, transparente, demokratike, llogaridhënëse dhe zhvillimore.

Më poshtë lexojeni të plotë postimin e kryetarit të LDK-së , Isa Mustafa, në Facebook:

“Lidhja Demokratike e Kosovës, paraqitet e vetme, unike dhe me listën më të fortë të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, LDK është e bindur në fitore të thellë më 8 qershor.

Ne nuk jemi frikësuar, prandaj nuk kemi pasur nevojë të dalim nga lëkura jonë, për të kërkuar shpëtim përmes aleancash joparimore, të pabazuara në orientime programore dhe në përpjekje për të kamufluar të kaluarën. Ne kemi përballë një kamp rival të ndërtuar jo mbi parime dhe për interesa të qytetarit e të shtetit, por mbi interesa kryekëput personale. Qytetari i Kosovës këtë e di, sepse e ka provuar sidomos këto tre vitet e fundit. Të trajtohet si makineri votash, të cilat janë keqpërdorur edhe si vota, por edhe si vullnet, krejtësisht për interesat e një grupi njerëzish, të cilët kanë zhvatur taksat dhe pasurinë e qytetarëve e të shtetit tonë, duke i lënë qytetarët pa punë e pa perspektivë, në shtetin më të varfër, me shkallën më të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, rrjedhimisht qytetarët më të izoluar në kontinent.

Këto që i dimë të gjithë, natyrisht i din edhe qeverisja e deritanishme, e cila, ka nevojë dhe prandaj fshihet pas aleancave të tilla joparimore, me orientime programore krejtësisht mashtruese dhe të rrezikshme për stabilitetin ekonomik dhe politik të shtetit.

Por, qytetarët e Kosovës janë të vendosur për ta ndryshuar gjendjen dhe kanë alternativë. Lista e LDK-së përfaqëson më mirë se të gjitha listat e partive tjera interesat e qytetarëve të Kosovës, të të gjitha shtresave shoqërore, pa dallime krahinore e fetare. Lista e LDK përfaqëson më mirë se secila listë tjetër strukturën demografike dhe gjinore të Kosovës. Lista jonë përfaqëson vlerat e familjes dhe të traditës së Kosovës dhe të shqiptarëve.

LDK, në ditët në vijim, do të vazhdojë t’ua ofrojë të gjithë qytetarëve të Kosovës alternativën e saj qeverisëse, me kompetencë profesionale dhe përgjegjësi morale e ligjore.

Programi i Lidhjes Demokratike do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve me qeverisje të mirë, transparente, demokratike, llogaridhënëse dhe zhvillimore.

Me mbështetjen tuaj të fortë për LDK-në më 8 qershor, Ju do të përçoni mesazhin se dëshironi qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh, krijimin e vendeve të reja të punës, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sundim të rendit e ligjit në Republikën tonë të re.

LDK, do të punojë me përkushtim për ta bërë Kosovën shtet ku funksionon rendi e ligji, vend atraktiv për investimet e huaja dhe përmes modelit të ekonomisë sociale të tregut, një vend të njerëzve që kanë mundësi të punojnë për mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre dhe për forcimin e shtetit, në mënyrë që shteti të mund të kujdeset për shtresat në nevojë.

Duke na dhënë besimin, Ju na ngarkoni me përgjegjësinë për t’i bërë institucionet e Kosovës të besueshme për Ju dhe të dinjitetshme për fqinjët dhe krejt botën.

LDK, Ju garantoj se do ta kryej me përgjegjësi këtë detyrë dhe të gjithë ne do të mburremi me atdheun tonë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Më Shumë

Dy personat e vdekur në aksident janë nga Prizreni

Dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti mes një motoçiklete dhe një veture qe ka ndodhur në Shirokë të Suharekës. Dy personat e...

Vjen në jetë vajza e Kiarës dhe Luizit: Fotoja e parë dhe emri i veçantë!

Moderatorja Kiara Tito dhe këngëtari Luiz Ejlli janë bërë prindër për herë të parë. Vajza e tyre ka ardhur në jetë këtë të martë...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit