7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Mustafa: Së shpejti do të ketë ndryshime në Qeveri

Isa Mustafa14-27Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se së shpejti do të ketë ndryshime në Qeverinë e tij.

Këtë deklaratë, Mustafa e bëri gjatë qëndrimit të tij në Komunën e Rahovecit, me ç’rast tha se qëndrimi i ministrit serb për Kthim dhe Komunitete në postin që ai mban, nuk do t’i bëjë mirë as atij e as Qeverisë.

“Qëndrimi i Jabllanoviqit në Ministrinë që ai e drejton nuk do t’i bënte mirë as atij, e as Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Mustafa gjatë qëndrimit të tij në Rahovec, raporton KTV.

Deputetë të opozitës i kanë bërë kërkesë kryeministrit Mustafa për interpelancë ditën e nesërme, kërkesë të cilën kryeministri e refuzoi, transmeton Koha.net.

Mustafa ka thënë se do të merr pjesë në interpelancën e seancës së rregullt të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të enjten për të folur në lidhje me deklaratën e Jabllanoviqit dhe gjendjen e krijuar pas kësaj deklarate.

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, gjatë kësaj vizite, kanë vizituar Kuvendin Komunal të Rahovecit, ku Mustafa është pritur nga kryetari Idriz Vehapi si dhe ka qëndruar në Shtëpinë e Verës ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të Shoqatës së Përpunuesve të verës në këtë Komunë.

Mustafa theksoi se me kryetarin Vehapi kanë biseduar lidhur me rrjedhat aktuale në Komunë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë që të përkrahë Komunën e Rahovecit dhe duke vlerësuar rezultatet e arritura në zhvillimin e bujqësisë.

“Ka nevojë për përkrahje edhe në fushën e infrastrukturës dhe në fusha të tjera e sidomos në borxhet të cilat kanë mbetur në këtë Komunë prej viteve të mëparshme. Interesi jonë është që ne t’i japim prioritet bujqësisë sipas programit qeveritar të cilin e kemi harmonizuar të gjithë partnerët e koalicionit. Këtu ka hapësirë të madhe që të zhvillohet vreshtaria, të zhvillohet verëtaria, të zhvillohet pemëtaria. Kemi të bëjmë me prodhues të shkëlqyeshëm, me përvoja shumë të mira të cilët janë treguar të suksesshëm në vend dhe që janë treguar të suksesshëm edhe në eksportimin e produkteve të tyre jashtë”, theksoi kryeministri.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se do të punohet edhe në fushën sistemore, në mënyrë që të përshtaten edhe normat sistemore për të nxitur bujqësinë, si dhe ka bërë të ditur se, sipas marrëveshjes që është arritur me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave do të fillohet nga fundi i këtij muaji edhe pagesa e subvencioneve të cilat kanë mbetur nga periudha e kaluar, fillimisht në shumë diku prej 15 milionë euro.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se me kryeministrin Mustafa, ministrin e Financave dhe ministrin e Bujqësisë është diskutuar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë në fushën bujqësore, duke ditur se profili i Komunës së Rahovecit është profil bujqësor.

Vehapi ka falënderuar kryeministrin Mustafa për përkrahjen e ofruar për të gjitha projektet e Komunës si dhe të kompanive të ndryshme të cilat zhvillojnë afarizëm kryesisht në fushën e bujqësisë por edhe në fusha të tjera.

Më Shumë

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

QKUK në krizë/ I ka vetëm 49 anesteziologë, i nevojiten 118

Qendra Klinika Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me numër të vogël të anesteziologëve. Edhe pse në tre muajt e parë nuk ka pasur ikje...

Lajmet e Fundit